Aktualitet

Përzgjidhen 320 mësuesit koordinatorë për orientimin e karrierës në shkolla

Ministria e Arsimit dhe Sportit prezantoi 320 mësuesit e përzgjedhur si koordinatorë për orientimin e karrierës, pas thirrjes që u hap për dy role të reja që shtohen në shkollat tona: ajo e Mësuesit Koordinator për orientimin e karrierës dhe Mësuesit Koordinator të Sigurisë së Cilësisë.

 

Ministria e Arsimit dhe Sportit prezantoi 320 mësuesit e përzgjedhur si koordinatorë për orientimin e karrierës, pas thirrjes që u hap për dy role të reja që shtohen në shkollat tona: ajo e Mësuesit Koordinator për orientimin e karrierës dhe Mësuesit Koordinator të Sigurisë së Cilësisë.

 

Gjatë aktivitetit të organizuar me këtë rast, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, u shpreh se kjo është pjesë e një reforme të gjerë për përmirësimin e orientimit të nxënësve dhe mbështetjen e tyre në zgjedhjen e drejtimit të studimeve apo të karrierës.

 

“Në kuadër të reformës së pagave për mësuesit në arsimin parauniversitar, vendosëm të krijojmë dy role të reja: mësuesin koordinator për orientimin e karrierës në shkollë dhe mësuesin përgjegjës për sigurinë dhe cilësinë e mësimdhënies. Këto role të reja përmbajnë mbështetje financiare specifike dhe mundësi për një fokus të veçantë brenda shkollës për të orientuar nxënësit në lidhje me arsimin e tyre të mëtejshëm ose integrimin në tregun e punës,” tha Manastirliu.


 

320 mësuesit koordinatorë, të shpërndarë në të gjitha shkollat do të ofrojnë udhëzime të personalizuara për nxënësit dhe prindërit, duke i orientuar në zgjedhjet e mëtejshme akademike dhe profesionale.

 

“Bëmë të mundur që kurrikula e kulturës së përgjithshme të ishte edhe më e unifikuar me atë të vitit të parë gjimnaz në mënyrë që ata të vitit të parë në gjimnaz, nëse duan të transferohen në një shkollë profesionale, të mund ta bëjnë gjatë gjithë vitit të parë. Është e rëndësishme që nxënësit dhe prindërit të kuptojnë se zgjedhja e një shkolle të mesme profesionale të lejon edhe ndjekjen e studimeve universitare, duke u bërë të aftë për tregun e punës ose për vazhdimin e studimeve universitare në një fushë të specializuar teknike,” theksoi Manastirliu.

 

Në mbyllje të fjalës së saj, Ministrja Manastirliu vuri theksin te përgjegjësitë e mësuesit koordinator të karrierës në shkollë.

 

“Ju, koordinatorët e orientimit të karrierës, jeni këtu për të udhëhequr nxënësit drejt të ardhmes së tyre, të bindur se kanë bërë zgjedhjen e duhur, por njëkohësisht ju duhet t’i orientoni nxënësit drejt profesioneve të së nesërmes duke zgjuar interes tek ata. Ky është mësuesi që duhet për vizionin tonë për Shkollën 2030,” tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

 

Këto dy role të reja do të fuqizojnë rolin e mësuesve që sigurojnë një orientim më të mirë për nxënësit drejt profesionit dhe të ardhmes së tyre dhe garantojnë cilësi në mësimdhënie dhe mësimnxënie.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

601 Lexime
1 javë më parë