PISA 2025: Shqipëria mes progresit dhe alarmit për cilësinë e arsimit

PISA 2025 e vendos arsimin shqiptar përballë një tabloje me dritëhije: klimë pozitive në shkolla dhe mbështetje nga mësuesit, por rezultate ende të dobëta në lexim, matematikë, shkencë e kompetenca digjitale. Eksperti Fiqiri Çifliku analizon shifrat dhe sfidat.

Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi 


Nga rezultatet e publikuara të PISA 2025, Shqipëria paraqet një panoramë komplekse që duhet vlerësuar me kujdes. Nga njëra ana referon një sistem arsimor me klimë pozitive shkollore dhe mbështetje të fortë nga mësuesit, por nga ana tjetër vijon të përballet me vështirësi serioze në rezultatet e të nxënit, veçanërisht në lexim, shkencë matematikë dhe kompetencat digjitale.


Programi Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA) i OECD-së, i cili mat aftësitë e 15-vjeçarëve në 91 vende dhe ekonomi, e rendit Shqipërinë në grupin e vendeve me performancë nën mesataren e OECD-së, duke evidentuar nevojën për reforma të mëtejshme në cilësinë e arsimit. Në ciklin e fundit të vlerësimit, Shqipëria regjistroi:


  • 435 pikë në Shkencë
  • 433 pikë në Matematikë
  • 408 pikë në Lexim
  • 437 pikë në Zgjidhjen Kompjuterike të Problemeve


Krahasuar me mesataren e OECD-së, nxënësit shqiptarë rezultojnë ndjeshëm më poshtë në të katër fushat kryesore. Hendeku më i madh evidentohet në lexim dhe në kompetencat digjitale, dy prej aftësive më të rëndësishme për pjesëmarrjen në ekonominë moderne dhe shoqërinë e dijes.


Ndërkohë në rajon, Shqipëria renditet mes vendeve të mesit të tabelës. Rezultatet tregojnë se Shqipëria nuk renditet më në fundin e klasifikimit rajonal, por gjithashtu mbetet larg vendeve më të suksesshme të Evropës Juglindore. Në shkencë, rezultatet e vendeve të rajonit paraqiten si më poshtë:


Sllovenia: 484 pikë

Kroacia: 476 pikë

Serbia: 429 pikë

Mali i Zi: 435 pikë

Shqipëria: 435 pikë

Bullgaria: 421 pikë

Maqedonia e Veriut: 378 pikë

Kosova: 357 pikë


Kjo do të thotë se Shqipëria renditet pas Sllovenisë, Kroacisë, dhe Serbisë, është e barabartë me Malin e Zi dhe qëndron mbi Bullgarinë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovën. Megjithatë, hendeku me vendet më të avancuara mbetet i konsiderueshëm. Ndërsa Sllovenia dhe Kroacia i afrohen mesatares së OECD-së, Shqipëria vijon të mbetet rreth 50 pikë larg saj në shkencë dhe edhe më shumë në lexim.


Leximi, mbetet sfida më e madhe e sistemit. Rezultati prej 408 pikësh në lexim përfaqëson treguesin më shqetësues të raportit. Leximi është aftësia bazë mbi të cilën ndërtohen të gjitha kompetencat e tjera akademike. Kur nxënësit kanë vështirësi në kuptimin dhe interpretimin e tekstit, kjo reflektohet në performancën e tyre në shkencë, matematikë dhe fusha të tjera. PISA tregon se një pjesë e konsiderueshme e nxënësve shqiptarë vazhdojnë të kenë vështirësi në:

  • kuptimin e teksteve komplekse;
  • analizimin e informacionit;
  • nxjerrjen e argumenteve dhe përfundimeve;
  • vlerësimin kritik të burimeve.


Për një sistem arsimor që synon të përgatisë qytetarë aktivë dhe profesionistë konkurrues, ky mbetet një sinjal alarmi.


Një tregues tjetër që ngre shqetësim është numri shumë i ulët i nxënësve me performancë të shkëlqyer. Vetëm 1.9% e nxënësve shqiptarë arrijnë nivelet më të larta të kompetencës (niveli 5 dhe 6), ndërsa mesatarja e OECD-së është 11.9%. Ky rezultat tregon se sistemi arsimor shqiptar ka vështirësi jo vetëm në mbështetjen e nxënësve më të dobët, por edhe në zhvillimin dhe promovimin e talenteve të nivelit të lartë. Në garën globale për inovacion, kërkim shkencor dhe ekonomi të bazuar në njohuri, ky është një tregues që meriton vëmendje të veçantë.


PISA evidenton gjithashtu se 27.8% e nxënësve shqiptarë ose një në katër nxënës nuk arrin kompetencat bazë nuk arrijnë nivelin minimal të kompetencave që konsiderohen të domosdoshme për pjesëmarrje efektive në shoqëri. Kjo përqindje është dukshëm më e lartë se ajo e OECD-së. Në terma praktikë, kjo do të thotë se afërsisht një në katër nxënës shqiptarë përfundon arsimin bazë pa zotëruar plotësisht aftësitë themelore të të lexuarit, analizimit dhe zgjidhjes së problemeve.


Raporti konfirmon se origjina socio-ekonomike vazhdon të ketë ndikim të fortë në rezultatet shkollore. Diferenca ndërmjet nxënësve të favorizuar dhe atyre të pafavorizuar arrin 82 pikë, një hendek shumë i madh sipas standardeve ndërkombëtare. Megjithatë, raporti sjell edhe një element pozitiv: 12.1% e nxënësve nga familje të pafavorizuara arrijnë të performojnë mirë pavarësisht vështirësive ekonomike, një tregues pak mbi mesataren e OECD-së. Kjo tregon se sistemi arsimor ka potencial për të krijuar mundësi reale suksesi, por ndikimi i kushteve sociale mbetet ende i fortë.


Një nga gjetjet më interesante të PISA 2025 lidhet me aftësinë për zgjidhjen kompjuterike të problemeve. Shqipëria përfshihet në grupin e vendeve ku lidhja ndërmjet performancës në shkencë dhe kompetencave digjitale është më e dobët se në shumicën e vendeve të OECD-së. Praktikisht, kjo do të thotë se një nxënës mund të ketë njohuri të mira teorike në shkencë, por të mos jetë në gjendje t'i përdorë ato në mjedise digjitale për analizimin e të dhënave apo zgjidhjen e problemeve reale. Ky konsiderohet një sinjal të qartë për nevojën e integrimit më të madh të teknologjisë, programimit, analizës së të dhënave dhe metodave STEM në mësimdhënie.


Megjithëse rezultatet akademike mbeten sfiduese, raporti sjell edhe disa lajme inkurajuese. Nxënësit shqiptarë raportojnë:

  • nivele të larta të mbështetjes nga mësuesit;
  • ndjenjë të fortë përkatësie në shkollë;
  • pjesëmarrje të lartë në aktivitete mjedisore;
  • besim se mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve të mjedisit;
  • klimë shkollore relativisht pozitive.

Këta tregues sugjerojnë se shkollat shqiptare kanë ndërtuar marrëdhënie sociale dhe mjedise mbështetëse, por sfida mbetet transformimi i këtij potenciali në rezultate më të larta të të nxënit.


Në raportimin e të dhënave ka një kufizim i rëndësishëm metodologjik. OECD ka vendosur kufizime në raportimin e rezultateve të Shqipërisë për shkak të pjesëmarrjes jo të plotë të kampionit. Gjatë zhvillimit të studimit, shkollat me më pak se 21 nxënës të pranueshëm për PISA nuk u përfshinë në testim. Shumë prej tyre ndodheshin në zona rurale dhe socio-ekonomikisht më të pafavorizuara. Për këtë arsye:


  • OECD nuk raporton trendet e Shqipërisë krahasuar me ciklet e mëparshme;
  • rezultatet e pyetësorëve paraqiten me status të kufizuar;
  • krahasimet ndërkombëtare duhet të interpretohen me kujdes.

Megjithatë, analiza e OECD-së arrin në përfundimin se edhe në skenarin më pesimist rezultati mesatar në shkencë nuk do të binte nën 428 pikë.


PISA 2025 jep një mesazh të qartë për politikëbërësit shqiptarë se problemi kryesor nuk është më qasja në arsim, por cilësia e të nxënit. Shqipëria ka shkolla ku nxënësit ndihen të mbështetur dhe të përfshirë, por rezultatet tregojnë se vendi vazhdon të mbetet prapa në kompetencat bazë që kërkon ekonomia moderne. Shqipëria ka arritur të ndërtojë shkolla me klimë pozitive dhe mbështetje të mirë për nxënësit, por mbetet përpara detyrës së vështirë për të rritur aftësitë në lexim, mendimin kritik, shkencë, matematikë dhe kompetencat digjitale. 


Leximi, zhvillimi i nxënësve me performancë të lartë, ulja e hendekut social dhe forcimi i kompetencave digjitale dalin si prioritetet kryesore të reformave të ardhshme. Të mos e shohim PISA 2025 thjesht si një renditje ndërkombëtare, por si një pasqyrë e qartë e sfidave që duhet të adresohen nëse Shqipëria synon të afrohet me standardet arsimore të vendeve më të zhvilluara.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

231 Lexime
1 ditë më parë