PISA 2025: Sinjalet e një krize të heshtur në arsim

PISA 2025 sjell sinjale shqetësuese për arsimin: rënie të kompetencave bazë, lexim sipërfaqësor, dobësim të motivimit dhe sfida të reja nga inteligjenca artificiale. Fiqiri Çifliku analizon pse, përtej renditjes, Shqipëria ka nevojë për reflektim dhe veprim real.

Përtej çdo entuziazmi që mund të krijojnë rezultatet e Shqipërisë në PISA 2025, raporti i OECD-së kërkon një lexim më të kujdesshëm dhe më të thellë të të dhënave. Vetë OECD thekson se rezultatet e Shqipërisë nuk janë plotësisht të krahasueshme me ciklet e mëparshme për shkak të kufizimeve metodologjike në kampionim, ndaj nuk raporton trendet zyrtare të vendit. Në këtë kuptim, vëmendja nuk duhet të përqendrohet vetëm te renditja apo krahasimet e drejtpërdrejta, por te sinjalet që raporti jep për gjendjen e arsimit në tërësi.


Rënia globale e performancës në lexim, matematikë dhe shkencë, vështirësitë në zhvillimin e kompetencave digjitale, si dhe sfidat që sjell epoka e inteligjencës artificiale, janë sinjalet më të forta që dalin nga PISA 2025. Në këtë kontekst, raporti duhet të shërbejë jo si arsye për vetëkënaqësi, por si një mundësi për reflektim mbi cilësinë e të nxënit dhe përgatitjen e brezave të rinj për të ardhmen.


Infografika përmbledhëse e OECD-së evidenton disa tendenca shqetësuese në arsimin global, por edhe ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si nxënësit mësojnë dhe ndërveprojnë me teknologjinë.


Më e qarta ndër to është rënia e performancës në shkencë, lexim dhe matematikë gjatë dekadës së fundit. Pas një periudhe stabiliteti deri rreth vitit 2015, rezultatet kanë pësuar një përkeqësim të vazhdueshëm, me rënien më të madhe në lexim dhe matematikë. Në vitin 2025, mesatarja e OECD-së në lexim ka rënë në 463 pikë nga 488 pikë në vitin 2018, duke konfirmuar dobësimin e kompetencave bazë që qëndrojnë në themel të gjithë procesit të të nxënit.


Një tregues veçanërisht domethënës lidhet me mënyrën se si nxënësit lexojnë. Përqindja e përgjigjeve të gabuara për shkak të leximit të nxituar të pyetjeve është rritur nga 4.6% në vitin 2018 në 8.9% në vitin 2025, pra pothuajse është dyfishuar. Kjo sjell në vëmendje një problem më të thellë sesa vetë rezultati i testit: uljen e përqendrimit, leximin sipërfaqësor dhe vështirësinë për të përpunuar me kujdes informacionin e shkruar.


Po aq shqetësuese janë edhe të dhënat që lidhen me motivimin. Raporti sugjeron se interesimi i nxënësve për të mësuar po dobësohet në shumë sisteme arsimore. Mërzia ndaj të nxënit mbetet e përhapur dhe vazhdon të jetë një sfidë për shkollat, pavarësisht investimeve në teknologji dhe metodologji të reja mësimore.


Nga ana tjetër, inteligjenca artificiale po ndryshon me shpejtësi mënyrën se si nxënësit mësojnë dhe ndërveprojnë me informacionin. Rreth 46% e nxënësve raportojnë se përdorin Chatbot-e me inteligjencë artificiale të paktën një herë në javë për të mësuar, ndërsa 29% i përdorin ato rregullisht për të hartuar tekste, përgjigje apo detyra. Kjo tregon se AI nuk është më një teknologji e së ardhmes, por një realitet i përditshëm në procesin arsimor.


Megjithatë, përparimi teknologjik shoqërohet edhe me rreziqe. Raporti evidenton se nxënësit përballen me vështirësi në identifikimin e dezinformimit dhe në vlerësimin kritik të informacionit që marrin. Vetëm 46% deklarojnë se kontrollojnë burimet dhe mbështeten te prova shkencore kur gjykojnë një informacion. Një pjesë e konsiderueshme vazhdon të mbështetet te intuita ose te ajo që e konsideron “arsye e përbashkët”, duke rritur rrezikun e ekspozimit ndaj informacionit të pasaktë dhe manipulues.

Kjo tregon se sistemet arsimore po përballen njëkohësisht me dy sfida të mëdha. Nga njëra anë, rënien e rezultateve akademike, dhe nga ana tjetër, nevojën për t’i pajisur nxënësit me aftësi të reja për të përdorur teknologjinë dhe për të dalluar informacionin e besueshëm nga dezinformimi. Në këto kushte, leximi kritik, mendimi analitik dhe kompetencat digjitale bëhen më të rëndësishme se kurrë më parë.


Në thelb, PISA 2025 na kujton se sfida më e madhe e arsimit nuk është thjesht t'u mësojë nxënësve të lexojnë, por t'i aftësojë ata të kuptojnë, të gjykojnë dhe të veprojnë mbi atë që lexojnë. Një shoqëri që lexon pa kuptuar dhe informohet pa verifikuar rrezikon të humbasë aftësinë për të marrë vendime të mençura. Siç shprehej filozofi Francis Bacon, “Njohuria është fuqi”, por në shekullin XXI kjo fuqi nuk buron vetëm nga leximi, por nga aftësia për të kuptuar, analizuar dhe përdorur me mençuri atë që lexojmë.



PISA 2025 dërgon një mesazh të qartë: cilësia e arsimit nuk matet nga sasia e informacionit që përvetësohet, por nga aftësia për ta kthyer atë në gjykim të shëndoshë, mendim kritik dhe veprim të përgjegjshëm.


Për Shqipërinë, ky mesazh merr një rëndësi edhe më të madhe. Pavarësisht kufizimeve metodologjike që e bëjnë të vështirë krahasimin me ciklet e mëparshme, sinjalet që vijnë nga raporti janë mjaftueshëm të qarta për të kërkuar reflektim dhe veprim. Debati publik nuk duhet të përqendrohet vetëm te renditja apo te perceptimi i suksesit, por te cilësia reale e të nxënit, aftësia për të lexuar me kuptim, për të menduar në mënyrë kritike dhe për të përdorur me përgjegjësi teknologjinë. PISA 2025 duhet të shërbejë si një thirrje për të investuar më shumë te mësuesit, nxënësit dhe shkollat, duke orientuar burimet drejt përmirësimit real të arsimit dhe jo drejt krijimit të perceptimeve të përkohshme të suksesit. Në fund, sfida më e madhe nuk është të ngjitemi disa vende në renditje, por të ndërtojmë një brez që di të kuptojë botën ku jeton dhe të veprojë me mençuri brenda saj.

48 Lexime
1 orë më parë