Aktualitet

Plagjiatura te nxënësit, efekt shqetësues

Pse ndodh plagjiatura ose kopjimi i detyrave e projekteve në shkollë? Çfarë mendojnë mësuesit mbi këtë fenomen? Sa të ndërgjegjësuar janë nxënësit dhe studentët mbi fenomenin e plagjiaturës. A ka strategji për reduktimin e plagjiaturës? Artikulli në vijim jep përgjigjen për secilën nga këto pyetje.

Me plagjiaturë kuptojmë përvetësimin e punës letrare ose shkencore, vjedhjen dhe publikimin nga një autor tjetër. Ky fenomen ndodh rëndomtë në çdo vend të botës, e megjithatë në vendin tonë po përhapet në ritme shqetësuese për edukimin. Përgjithësish studentët e fakulteteve apo të gjimnazeve janë të prirur të marrin informacione të gatshme dhe të fshehin burimin origjinal. Për shkak të limitimit nga periudha e pandemisë, u vu re nga mësuesit se këtë prirje e ushtronin edhe nxënësit e 9-vjeçares, të cilët preferonin të huazonin punime të gatshme gjatë orëve mësimore online. 


Pse ndodh kjo?


Nga vëzhgimet e mësuesve në shkolla, një arsye për plagjiaturë është ngarkesa e lartë e detyrave dhe projekteve gjatë operimeve online, por edhe tani që nxënësit janë kthyer në klasa vijon pandryshuar marrja e detyrave të gatshme. Nxënësit bëjnë një ndarje për t’i krijuar vetes më pak kohë studioze. Kështu, detyrat nga lëndët sociale janë lehtësisht të gjetshme në portale online, të cilat shpesh huazohen me pikë dhe presje nga burimet e marra. Një tjetër fakt është edhe prirja dembele për ta marrë informacionin shabllon. Periudha moderne e teknologjisë ka ndikuar si lehtësues në përftimin e dijes, ndërkohë dembelizmi vjen si produkt negativ në zhvillimin e aftësive personale. Nxënësit e dinë se nëse ngecin në ushtrimin e një detyre, mjaftojnë dy klikime dhe ndihmesa nga google shfaqet menjëherë. 


Çfarë mendojnë mësuesit mbi këtë fenomen?


Wikipedia është shndërruar në makth për këdo mësues, kur për nxënësit kjo faqe shikohet si shpëtues nga detyrat shkollore. Gjatë leximit të detyrave, mësuesit shikojnë fillimisht nëse detyra është e kryer nga vetë nxënësi. Në shumicën e detyrave mungojnë referencat nga citimet ose argumentet e parashtruara. Nisur nga kjo, mësuesi e ka të thjeshtë të kuptojë impenjimin real të nxënësit dhe përkushtimin ndaj lëndës. Materialet e huazuara kryesisht vijnë nga Ëikipedia, por edhe në rastet kur nxënësit përpiqen të avancojnë me detyrat e huazuara, për shembull duke i përkthyer nga anglishtja në shqip falë programeve si “google translate”, shikohet pastër ngërçi i përshtatjes së termave nga thelbi me gjuhën shqipe. Në të dyja rastet, mësuesit shprehen të shqetësuar, pasi detyra e përgatitura vetë nga nxënësi janë në rënie. 


Pse plagjiatura është kaq e përhapur si efekt?


Përpara se të nisë procesin e të shkruarit, çdo nxënësi i këshillohet të lexojë mbi tematikën mësimore, për të hartuar detyrën e propozuar më pas. Mbështetja mbi autorë dhe vepra të tjera shërben për të përforcuar idetë kryesore të nxënësve dhe vjen si praktikë e shëndetshme. Shpesh nxënësit e neglizhojnë rëndësinë e citimeve, pasi u pëlqen t’i përshtasin idetë e të tjerëve me veten, duke u prezantuar nëpërmjet tyre. Kjo ndodh nga dembelizmi, nga neglizhimi, ose kur ndihen të pamotivuar për të shkruar. Nëse tema nuk e motivon nxënësin, gjasat për të marrë një detyrë të gatshme janë të larta. Në vend të ndëshkimit me notë për nxënësit që dorëzojnë punime të huazuara, do të ishte i saktë edukimi mbi plagjiaturën dhe problemet që sjell ky efekt në arsim. 


“Të qenit të panjohur me sjelljet që përbëjnë plagjiaturë mund të jetë një arsye pse studentët përfshihen në këtë lloj sjellje të keqe akademike“ (Insley, 2011).


Ekspertët e arsimit kanë hartuar dy shembuj për të kuptuar se sa të ndërgjegjësuar janë nxënësit dhe studentët mbi fenomenin e plagjiaturës. 


Shembulli 1. Karla po përgatit një shkrim për esenë e saj kërkimore. Ajo përfshin kërkime nga një studim që e gjeti në internet dhe përdor dy nga fjalitë kërkimore fjalë për fjalë në përshtatje me atë. Karla nuk i përmend këto dy fjali. A është Karla e përfshirë në plagjiaturë?

a) Po,

b) Jo,

c) Unë jam i pasigurt.


Shembulli 2. Juan duhet të krahasojë dy psikologë për kursin e tij të Psikologjisë. Në vitin e parë të shkollës së mesme, Juan shkroi një detyrë mbi profilin e Albert Bandura për një detyrë. Ai dëshiron të përdorë Albert Bandurën si një nga dy psikologët për këtë detyrë. A është Juan i përfshirë në plagjiaturë?

a) Po,

b) Jo,

c) Unë jam i pasigurt. 

 

A ka strategji për reduktimin e plagjiaturës?


Nëse një klasë çalon vazhdimisht, duke dorëzuar detyra të huazuara, atëherë mësuesi del në disa konkluzione. Mësuesi e organizon ndërgjegjësimin duke pyetur studentët mbi vështirësinë e tyre në kryerjen e detyrave. Një shembull mund të jetë: nëse koha është e pamjaftueshme dhe e çon nxënësin drejt plagjiaturës, atëherë klasa mund të propozojë strategji për të menaxhuar kohën. Nëse plagjiatura vjen si shkak i uljes së motivacionit ose moskuptimit të kërkesave, atëherë klasa propozon ide dhe këshilla në bashkëpunim me mësuesin. Nëse plagjiatura vjen si pasojë e mungesë burimore të informacioneve, atëherë nga ky shqetësim klasa dhe mësuesi sigurojnë burimet e duhura për të punuar me detyra cilësore dhe origjinale. 


Burimi:https://www.facultyfocus.com/articles/effective-classroom-management/plagiarism-education-considerations-for-the-semester-start-up/


Shkroi: Xhoana Jaku

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

1,856 Lexime
2 vjet më parë