Model

Plan aktiviteti, shkolla si qendër komunitare

Ky është plani i një aktiviteti të realizuar në një shkollë 9-vjeçare, klasa e dytë. Aktiviteti është organizuar në kuadër shkollës si qendër komunitare. “Unë jam pjesë e botës së madhe” ndiqni hap pas hapi arritjen e objektivave të kësaj teme.

Plan aktiviteti: Shkolla si qendër komunitare

Tema: Unë jam pjesë e botës së madhe


Edhe pse vijmë nga lloje të ndryshme familjesh, me kultura, zakone dhe tradita të ndryshme, ne jemi pjesë e botës së madhe, e botës së pasurisë së vlerave njerëzore…


Shkolla 9- vjeçare, Cikli i Ulët, Klasa e dytë


“UNË JAM PJESË E BOTËS SË MADHE”


Synimi: Respektimi i diversitetit kulturor në komunitet


Objektivat: 


Në fund të veprimtarisë nxënësi të jetë i aftë:


• Të njohë dhe të dallojë zakone e tradita të ndryshme krahinore të komunitetit ku jeton.

• Të sjellë informacion rreth kulturës / traditave të origjinës së tyre familjare.

• Të flasë për festat familjare, duke veçuar tradicionalen e festës.

• Të sjellë në shkollë veshje dhe punime të ndryshme tradicionale të krahinës së tyre.

• Të shkëmbejë dhe të marrë njohuri nga shoku / shoqja rreth traditave të tyre familjare.

• Të respektojë shokët / shoqet pavarësisht origjinës së tyre, si qytetarë të barabartë të një komuniteti /shoqërie.


Partnerët: Qendra Kulturore e Fëmijëve, prindër, nxënës, mësues.


Mjetet: Kostume popullore dhe punime të ndryshme të punuara me dorë, video – projektor, magnetofon, CD me këngë e valle të trevave të ndryshme të Shqipërisë, vegla muzikore, kartonë, lapustila, kartolina, etj.


Struktura e zhvillimit të veprimtarisë


Faza përgatitore:


a) Takim me prindër. Njohja me temën e veprimtarisë, ku prindërit shkëmbejnë ide dhe japin sugjerime rreth realizimit të saj.

b) Përcaktimi i krahinave që do të përfaqësohen nga pjesëtarë të komunitetit të prindërve.

c) Përcaktimi i prindërve vullnetarë.

d) Përcaktimi i mënyrës së kontributit të tyre.

e) Takimi me përfaqësues të Qendrës Kulturore të Fëmijëve për të na ndihmuar me mjete që ata kanë.

f) Sigurimi, grumbullimi i bazës materiale dhe përgatitja e posterave/ vizatimeve.

g) Gjetja e fotove / ilustrimeve nga interneti, me veshje popullore sipas krahinave dhe përgatitja në POWER – POINT e prezantimit të tyre.

h) Sigurimi i CD-ve me këngë e valle nga treva të ndryshme të Shqipërisë.

i) Përgatitja e palestrës së shkollës për realizimin e veprimtarisë.


Faza e realizimit të veprimtarisë

( Bisedë – Demonstrim – Vëzhgim)


Hapi i parë: Referat i përgatitur nga mësuesja rreth respektimit / ruajtjes së kulturave, vlerave dhe traditave të ndryshme krahinore.


Hapi i dytë: Paraqitje me video- projektor të ilustrimeve të gjetura me karakteristika gjeografike dhe etnografike të krahinave: Skrapar, Dibër dhe Durrës.


Hapi i tretë: Sfilatë me veshje popullore nga nxënës të klasës.


Hapi i katërt: Vëzhgim i ekspozitës me punime dore e druri të sjella nga prindërit, me vegla muzikore të sjella nga QKF-ja, si dhe i posterave / vizatimeve të përgatitura nga nxënësit.


Hapi i pestë: Mbyllja e aktivitetit me muzikë e valle nga treva të ndryshme të vendit tonë.


(Portali Shkollor)

31,813 Lexime
6 vjet më parë