INTERVISTË

Planet e reja mësimore, Fiqiri Çifliku nga MASR: Mësuesit duhet ta bëjnë vetë përshtatjen e temave me tekstet

Përgjegjësi i Sektorit të Burimeve Njerëzore, Shërbimeve dhe Statistikës nga DPAP, Fiqiri Çifliku, në një intervistë ekskluzive u është përgjigjur të gjitha pyetjeve që kanë ngritur mësuesit dhe prindërit në Portalin Shkollor Albas, për fillimin e këtij viti të ri shkollor.

Që nga vështirësia e bërjes së planeve mësimore, norma e punës së mësuesve, e deri te detajet e rregullave të reja që shqetësojnë prindërit për këtë vit të ri shkollor, vijnë të sqaruara nga Përgjegjësi i Sektorit të Burimeve Njerëzore, Shërbimeve dhe Statistikës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, Fiqiri Çifliku. Në një intervistë ekskluzive ai u është përgjigjur të gjitha pyetjeve që kanë ngritur mësuesit dhe prindërit në Portalin Shkollor Albas, për fillimin e shkollave më 14 shtator. Ju ftojmë të lexoni më poshtë. 



Në këtë prag fillimi të vitit shkollor shumica e mësuesve po hasin vështirësi më bërjen e planeve vjetore duke u bazuar te temat që ka shpërndarë MASR, pasi një pjesë e këtyre temave nuk gjenden në libra. Si duhet t’i përgatisin ata këto plane? A mund të bëni ju Z.Çifliku një shpjegim apo sqarim mbi këtë? 


Planet mësuesve u janë dërguar gati si dhe udhëzuesi përkatës në lidhje me planet dhe skenarët për zhvillimin e mësimit në vitin akademik 2020-2021. Në pyetjen tuaj thuhet “një pjesë e temave”. Për sa kohë flasim për një “plan të unifikuar” dhe jo “tekste të unifikuara”, atëherë do t’u referohemi grup-temave sipas klasave. Këto grup-tema janë bazuar në programin lëndor i cili parashikon njohuritë për realizimin e kompetencave për çdo shkallë dhe rezultatet e të nxënit për çdo kompetencë. Mësuesi me ndihmën apo orientimin e drejtuesit të rrjetit, evidenton temat që nuk i ka në tekst (në ato tekste që mund të ketë mungesa të tilla) dhe si njohës shumë i mirë i lëndës gjen lidhjen, bën përshtatjen dhe trajtimin e përmbajtjes së librit në përputhje me konceptet dhe njohuritë që do të përcjellë tek nxënësi. Aftësia e mësuesit nuk qëndron në leximin e një teksti dhe ndjekjen e radhës së ushtrimeve apo temave në libër por pikërisht në shfrytëzimin e metodave, strategjive dhe teknikave të shumta të mësimdhënies, drejtimin e nxënësit drejt rezultateve të pritura të orës së mësimit, duke i zgjuar interesin, duke përgatitur aktivitete të ndryshme për orën e mësimit që ndihmojnë në shtimin e aktivizimit të nxënësit në klasë, duke shfrytëzuar teknologjinë, apo edhe burime të tjera që ndihmojnë në orën e mësimit. ASCAP në këtë drejtim po vijon trajnimet pa ndërprerje duke bërë edhe sqarimet përkatëse për të gjithë mësuesit.



A do të munden të mësojnë dot shkrim e këndim fëmijët e klasave të para e të dyta pa afërsinë e mësuesve, pa i ndihmuar ata që të mbajnë lapsin apo stilolapsin? Si do të vlerësohet puna e këtyre nxënësve ndërkohë që mësuesit duhet të ruajnë distancën fizike?


Mësuesit do të ruajnë distancën fizike, por kjo nuk do të jetë ekstreme. Nxënësit do të dorëzojnë fletore për vlerësim dhe mësuesi i arsimit fillor do të afrohet për ta ndihmuar fëmijën kur është e domosdoshme por do të shmangen p.sh. përqafimet, të cilat kanë qenë normale për fëmijët e arsimit fillor me mësuesen. Fëmijët e regjistruar në klasën e parë kanë frekuentuar pothuajse 80% të arsimit parashkollor apo klasën përgatitore dhe tashmë janë të përgatitur me aftësitë dhe elementët bazë të qëndruarit në shkollë por në të njëjtën kohë kanë fituar edhe eksperiencën e nevojshme për zhvillimin e motorikës fine dhe përdorimin e mjeteve didaktike. Ndodhur përballë këtij realiteti të ri, patjetër që kërkohet bashkëpunimi i të gjithë aktorëve në shkollë; prindër, mësues dhe nxënës, për t’ia dalë mbanë dhe me sukses vitit të ri shkollor. 



Po me fëmijët me aftësi ndryshe si do të punojnë mësuesit? 


Për këta fëmijë do të bëhet përshtatje në mënyrën e mësimdhënies. Për të arritur nivelin më të lartë të mundshëm të realizimit të kompetencave, mësuesi përzgjedh teknikat dhe metodat më të përshtatshme që u japin mundësi këtyre nxënësve të përmbushin rezultatet e të nxënit. Ka gjithmonë një plan të veçantë në shkolla për këta fëmijë, i cili punohet nga mësuesit ndihmës në bashkëpunim me punonjësin e shërbimit psiko-social.  Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë ka patur gjithmonë në prioritet të saj arsimin gjithëpërfshirës dhe fëmijët me AK kanë një vëmendje të veçantë. Pranë Zyrave Vendore Arsimore janë ngritur Komisionet Multidisiplinare që bëjnë vlerësimin e nxënësve çdo fillim viti shkollor në bazë të dokumentacionit të përcjellë nga vet prindërit. Komisioni kryen vlerësimin në bashkëpunim me prindin dhe psikologen e shkollës dukë u bazuar dhe në raportin mjeko-ligjor të fëmijës dhe del me rekomandimet përkatëse sesa orë mësimore duhet të zhvillojë një fëmijë me AK gjatë ditës. Për të gjithë fëmijët e vlerësuar do të caktohet mësues mbështetës i cili do të mbështesë nxënësin për të zhvilluar /thelluar njohuritë në lëndën e matematikës dhe gjuhës duke punuar në klasë më moshatarët e tij ose në klasa burimore në mënyrë individuale, duke u përpjekur që të respektohen masat e përshkruara.



Po roli i psikologut dhe i punonjësit social në shkolla cili do të jetë këtë vit? A do të ndryshoj ky rol? 


Punonjësit e shërbimit psiko-social do të vazhdojë të jenë pjesë e pandarë e ekipeve në shkollë duke u përqendruar te siguria dhe shëndeti mendor i fëmijëve mësuesve dhe stafeve drejtuese. Psikologët dhe punonjësit social do të ofrojnë shërbime profesionale dhe do të hartojnë plane ndërhyrje në rast nevojë për t’u ardhur në ndihmë nxënësve dhe mësuesve; do të bashkëpunojnë me stafin për të ndërhyrë në orët edukative që ata do të zhvillojnë për të rritur shkallën e ndërgjegjësimit, por edhe për të ndarë në të njëjtën kohë mendimet, frikën që mund të kenë, emocionet, ankthin që mund t’i kenë përfshirë gjatë kësaj periudhë të pazakontë. Punonjësit e shërbimit psiko-social janë këshilluar që në mënyrë të vazhdueshme të vëzhgojnë klasat ku zhvillohet mësim me qëllim monitorimin e sjelljeve të nxënësve nëse shfaqin problematike që më parë nuk i kanë shprehur duke i orientura apo ofruar ndihmën e nevojshme. Gjithashtu ata do të asistojnë në hartimin e protokolleve të masave ndaj COVID-19 dhe të procedurave të zbatimit së bashku me stafin e shkollës, duke vlerësuar nevojat sociale, emocionale dhe mësimore të nxënësve.



Si do llogaritet norma e mësuesit në kohën e mësimit gjatë pandemisë, ndërkohë që orët do të jenë 30 minuta?


Pa dyshim që jemi në kushte të një situate jo normale dhe të vështirë, e që kërkohet humanizëm e devotshmëri nga të gjithë edhe pse mundi i mësuesve do të vlerësohet vazhdimisht. Mësuesi në kohë normale punon me nxënësit me orë 45 minuta. Në kushtet e reja me në shkollat ku mësimi do të zhvillohet sipas skenarëve me turne ora e mësimit do të jetë 30 minuta. Është përllogaritur që një shtesë e grupeve do të rriste ngarkesën e mësuesit me rreth 7 orë mësimore 45 minutëshe. Për këtë orë, mësuesi do të paguhet me vlerën e orës suplementare ashtu sikundër është e përcaktuar në bazën ligjore në fuqi. Nëse në shkolla do të ketë orë të tjera që nuk mund të përballohen nga mësuesi i klasës apo i lëndës do të rekrutohen mësues të tjerë nga portali “Mësues për Shqipërinë”.



A do të zhvillohen punët me grupe, nëse po si do të procedohet?


Ka aq shumë mënyra si të punohet me nxënësit sa mendoj se kjo nuk përbën problem. Edhe puna në grup mund të vazhdojë, por duke ruajtur distancën dhe në grupe me 2 apo 3 nxënës.  Të punuarit në grup është një ndër format më të mira për të bashkëvepruar dhe zhvilluar kapacitetet ndërmjet njëri – tjetrit. Puna në grup jo domosdoshmërisht duhet të kryhet në klasë, mund të zhvillohet jashtë ambienteve të klasave, në oborr, palestër apo edhe online duke ndarë detyrat e gjithsecilit dhe duke finalizuar me sukses punën.



A do të zhvillohen mbledhjet me prindërit? Nëse po, si do të zhvillohen ato?


Mbledhjet me prindër mund të bëhen në të njëjtën ndarje si klasat. Të zhvillohen në dy ditë dhe prindërit përkatës të vijnë sipas ditës së caktuar. Sigurisht që teknologjia mund tu vijë në ndihmë mësuesve dhe prindërve të komunikojnë më shpejt dhe në kohë reale, tashmë përvoja nuk mungon. 



Në ato shkolla publike, pa menca, ku do zhvillohet mësimi normalisht dhe do të ketë pushim të gjatë si do zhvillohet ky pushim në një kohë që në klasë nuk lejohet ushqimi ndërsa në oborrin e shkollës mund të ketë rrezik që të thyhet rregulli i distancimit social? Kush do kujdeset për këtë pjesë?


Organizimi i pushimit dhe menaxhimi i tyre do të jenë pjesë e detyrave që çdo drejtori e IA me personelin mësimdhënës dhe ndihmës do të realizojnë nisur edhe nga kushtet e çdo IA.



Kur klasa ka 20 nxënës a me pak sa ky numër, ajo nuk ndahet në dy grupe. Si do veprohet në rastin kur klasa nuk i nxë me largësinë e duhur as 15 nxënës?


Drejtuesit e shkollave do të menaxhojnë situatën duke caktuar ambientet më të mëdha të shkollës për klasat që kanë numër të lartë nxënësish. Si referencë do të kemi protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë i cili përcakton se nxënësit duhet të ruajnë një distancë jo më pak se 1.5 metër. Kemi skanuar çdo shkollë dhe çdo klasë për të gjetur mjediset më të mira duke menduar edhe për mënyrën e vendosjes së bankave në mënyrë të tillë që të ruhet distanca e përcaktuar.



Disa nga prindërit ngrenë pyetjen se: "Pse në shumë shkolla librat falas janë të rinj dhe në disa shkolla të tjera janë libra të vjetër? A nuk janë fëmijë e barabartë?"


VKM dhe udhëzimi e përcakton qartë mënyrën e përdorimi të tekstit shkollor falas. Librat janë të shpërndarë sipas kërkesave të shkollave dhe nuk ka shpërndarje disa të reja dhe disa të përdorura. Aty ku numri i nxënësve ka qenë më i madh se numri i vitit paraardhës është bërë porosia për tekste dhe janë shpërndarë duke alternuar tekstet e reja dhe të përdorura. Sigurisht në rastet kur tekstet kanë rezultuar të dëmtuar janë hequr nga qarkullimi dhe janë zëvendësuar me tekste të reja. Nga informacioni që kemi na rezulton se jemi në një përqindje pothuaj të barabartë midis teksteve të reja dhe të përdorura.



Të tjerë pyesin: "Si mund të qëndrojnë fëmijët pa ngrënë asgjë në shkollë dhe pa pirë ujë? Po maskën si mund ta mbaj gjatë gjithë orëve, e gjatë gjithë ditës së mësimit?" 


Ujë mund të marrin fëmijët me vete, por jo ushqim. Maskën do e mbajnë siç e mbajnë kur shoqërojnë prindërit në supermarket, qendër tregtare apo vende të tjera me shumë njerëz dhe sipas protokolleve që do të përcaktohen nga ministria e Shëndetësisë. Të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm që maska është për sigurinë tonë dhe deri më sot nuk ka ndonjë mënyrë tjetër që na mbron nga Covid 19.



Nëse mësimi mund të kaloj online në varësi të situatës së përhapjes së COVID-19, si do të procedohet me ata fëmijë të cilët nuk kanë mjete teknologjike në dispozicion për të mësuarit online? Po ata nxënës që nuk kanë mundësi të kontrollohen pasi prindërit janë në punë si propozoni të veprohet? 


Për këtë qëllim MASR ka marrë masa për ngritjen e një platforme të vetme dhe të unifikuar për zhvillimin e mësimit online, ky proces po shoqërohet me trajnime intensive të mësuesve në sistem kaskadë duke filluar me mësuesit e teknologjisë, të cilët në vijim do të trajnojnë mësuesit e shkollave të tyre. Ndërkohë po vijon puna intensive me regjistrimet e orëve të mësimit për transmetim në RTSH shkolla, kanalin e dedikuar për mësimdhënie në disa orare. Këtu dalim përsëri tek pyetja e parë sepse lindi nevoja e planeve të unifikuara. Nëse do të detyrohemi të kalojmë në mësimin online, TVSh dhe platformat do të mbështesin këtë proces që do jetë i njëjtë në të gjithë Shqipërinë, për çdo klasë dhe çdo lëndë. Detyra jonë nuk mbaron sot dhe as në dt 14. Vazhdimisht jemi këtu për të bërë më të mirën për të gjithë nxënësit në të gjithë Shqipërinë në një kohë të pazakontë ku secili nga ne ka mundësinë të kontribuojë sadopak. 


Intervistoi Nanila Allkja Biçaku


© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

15,993 Lexime
3 vjet më parë