Konferenca

Platforma për arsim e trajnim e Ballkanit Perëndimor

Kuadri ligjor ku do të mbështetet ky proces është paraprirë me ligjin e ri të arsimit të lartë, me ndryshimin e kushteve për hyrjen në universitet, me administrimin rigoroz të Maturës Shtetërore

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla mori pjesë në takimin e ministrave të arsimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Platformës për Arsim dhe Trajnim, që u organizua nga Komisioni Evropian në Sarajevë. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit dhe sfidat që hasin vendet e rajonit në arsimin dhe trajnimin e mësuesve.

Gjatë prezantimit të zbatimit tëreformës arsimore ministrja Nikolla u fokusua në nevojën që ka ndryshimi i formimit të mësuesve në Shqipëri. Ministrja prezantoi në mënyrë të plotë hapat e ndërmarra dhe përfundimet e arritura. Përmirësimi rrënjësor i formimit të mësuesve në Shqipëri vjen si nevojë për të korrigjuar problemet e evidentuara pas vlerësimit të të gjithë mësuesve në sistem, pas shqyrtimit të rezultateve të mësuesve që kanë dhënë provimin e shtetit për licencim si dhe nga shqyrtimi i rezultateve të testimit për shkallët e formimit profesional. Për të zbatuar një reformë tërësore ishte e domosdoshme një analizë strukturore e të gjithë situatës aktuale.

Kuadri ligjor ku do të mbështetet ky proces është paraprirë me ligjin e ri të arsimit të lartë, me ndryshimin e kushteve për hyrjen në universitet, me administrimin rigoroz të Maturës Shtetërore, si dhe me politikat mbështetëse për studentët që do të zgjedhin degën e mësuesisë.

Nga të pranishmit u shfaq interes i veçantë dhe u bënë pyetje lidhur me zhvillimin e testimit të mësuesve, administrimin e tij, përgatitjen e pyetjeve dhe fushat e testimit. Adam Tyson, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme për arsim dhe kulturë në Komisionin Evropian, vlerësoi nismën e ndërmarrë nga MAS si një revolucion të mirëfilltë në arsim, veçanërisht për mënyrën e administrimit dhe lidhjes midis testimit, vlerësimit të mësuesve dhe pagave të tyre.

Përveç prezantimeve nga ministrat e rajonit, ky takim shërbeu edhe si një forum ku u shtruan pyetje dhe u diskutuan ide të reja për zhvillimin profesional të vazhdueshëm të mësuesve, për testimet ndërkombëtare të nxënësve si: PISA, TIMMS, PIRLS, TALIS, për lidhjen sa më të mirë të programeve të studimeve me nevojat e tregut të punës, etj.

1,584 Lexime
7 vjet më parë