Predikoi fenë në orët e anglishtes, ASCAP konfirmon largimin nga puna të mësuesit në shkollën “Gustav Mayer”

Predikimi i temave fetare gjatë orëve të anglishtes në shkollën “Gustav Mayer” çoi në ankesa nga prindërit dhe verifikime institucionale. ASCAP konfirmon se Komisioni i Disiplinës vendosi largimin nga puna të mësuesit, në respekt të parimit të arsimit laik.

Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP) ka konfirmuar zyrtarisht largimin nga puna të mësuesit të gjuhës angleze në shkollën 9-vjeçare “Gustav Mayer”, pas ankesave të paraqitura nga prindër dhe verifikimeve të kryera nga institucioni arsimor.


Sipas informacionit të bërë publik, mësuesi i anglishtes ka përdorur orët mësimore për të trajtuar dhe predikuar tema fetare, konkretisht bindje të lidhura me fenë e Jehovait, duke i zhvendosur nxënësit e arsimit bazë nga programi i miratuar mësimor.


Prindërit e nxënësve të klasës së katërt ngritën shqetësimin pranë drejtuesve të shkollës në fillim të javës, pasi konstatuan se fëmijët po shikonin video me përmbajtje fetare dhe po merrnin detyra në fletore të lidhura me urdhërimet e Perëndisë dhe dashurinë ndaj Zotit.


Dëshmitë e nxënësve dhe prindërve tregojnë se mësuesi i kushtonte disa orë mësimi temave fetare, duke lënë në plan të dytë zhvillimin e lëndës së anglishtes.


“5 orë mësim për Zotin. Thoshte fjalët e Zotit për fundin e botës. Na vendoste vetëm 10 për Zotin”, shprehet një nga nxënësit.


Ndërsa një prind deklaron: “Ka ndodhur një gjë e paparë. T’i thuash fëmijës ‘vdis sot, se do ngjallesh nesër’. Jashtë shkolle secili ka besimin e vet, por në shkollë jo. Është gabim që nuk falet”.


Nga ana tjetër, disa prindër kanë pohuar se më parë nuk kishin pasur shqetësime lidhur me cilësinë e mësimdhënies në anglisht.


“Unë 5 vite e kam vajzën që bën anglisht dhe s’kam pasur shqetësim”, thotë një prej tyre.


ASCAP bën me dije se, pas ankesës së paraqitur më 2 shkurt 2026, drejtoria e shkollës, në bashkëpunim me shërbimin psikosocial, ka kryer verifikime të menjëhershme, ka hyrë në orën e mësimit dhe ka administruar materialet e përdorura nga mësuesi.


Rasti iu referua fillimisht Komisionit të Etikës dhe më pas Komisionit të Disiplinës, i cili më 3 shkurt 2026 vendosi me votim të fshehtë masën disiplinore “largim nga puna”.


“Në zbatim të Kodit të Punës, ligjit nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, rregullores për funksionimin e institucioneve arsimore parauniversitare dhe Kodit të Etikës së Mësuesit, ka nisur procedura për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së punës. Që prej datës 3 shkurt 2026, mësuesi nuk zhvillon më orë mësimore në shkollën ‘Gustav Mayer’ ndërsa është njoftuar të paraqitet më 9 shkurt për të dhënë qëndrimin e tij lidhur me vendimin.”, thuhet në dekleratën e ASCAP. 


Institucionet arsimore theksojnë se arsimi parauniversitar në Shqipëri është laik dhe çdo shkelje e këtij parimi përbën cenim të rëndë të rregullores dhe ligjit, ndërsa mbrojtja e interesit dhe sigurisë së nxënësve mbetet prioritet.


© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

320 Lexime
1 ditë më parë