MASR

Procesi mësimor, Ministrja Shahini u jep përgjigje disa prej pyetjeve të ngritura

Nëpërmjet video-mesazheve të postuara në rrjetin e saj social facebook, Ministrja Besa Shahini u ka dhënë përgjigje disa prej pyetjeve përmbajtësore për leksione të caktuara të ngritura nga nxënës apo prindër nëpër kanalet e ndryshme të rrjeteve sociale.

Nëpërmjet video-mesazheve të postuara në rrjetin e saj social facebook, Ministrja Besa Shahini u ka dhënë përgjigje disa prej pyetjeve përmbajtësore për leksione të caktuara të ngritura nga nxënës apo prindër nëpër kanalet e ndryshme të rrjeteve sociale. 


Pyetjes se “si mund të mësohet online”, ajo është përgjigjur se janë 3 mënyra të ndryshme për këtë: 1) nëpërmjet komunikimit të vazhdueshëm të nxënësve me mësuesit, ndërsa inkurajoi nxënësit të jenë në kontakt me mësuesit e tyre. “Sot që flasim, janë diku 70% të nxënësve tashmë në kontakt me mësuesit e tyre. Synojmë që ta çojmë në 100%, për aq sa është e mundur”, shprehet ajo; 2) RTSH, i cili po i transmeton leksionet e unifikuara për të gjithë nxënësit në nivel kombëtar; 3) kanali në youtube i MASR, ku janë të gjitha videot që po regjistrohen, jo vetëm këto që po i transmetohen në RTSH, por edhe ato që po dërgohen nga mësuesit në mënyrë individuale".  


Për pyetjen “A është mbyllur shkolla edhe për mësuesit apo vetëm për nxënësit?”, Ministrja Shahini nënvizoi se shkolla se “Shkolla është e mbyllur për të gjithë”, teksa shtoi: "Ne po punojmë me një grup të vogël mësuesish, të cilët po na ndihmojnë të bëjmë leksionet e fundit që duhet t’i mbyllim për këto dy javë që t’i transmetojmë në RTSH. Por edhe me ata mësues me të cilët po punojmë, po marrim të gjitha masat e mbrojtjes së tyre dhe tonën, duke qëndruar larg njëri tjetrit në distancë 1.5 deri në 2 metër, duke i larë duart shpesh, dhe duke mos u grumbulluar në grupe me më shumë se dy ose tre persona përgjatë inçizimit të leksioneve. Kështu që, shkollat janë të mbyllura për të gjithë dhe ne po punojmë me një grup të vogël mësuesish, të cilët po i mbrojmë maksimalisht”.  


Një pyetje tjetër për të cilën dha përgjigje, lidhet me studentët dhe angazhimin e tyre në vijim. “Për studentët, në kuadër të 'Paktit për Universitetin', kemi të vendosur në dispozicion një bibliotekë online, e cila është falas për të gjithë. Aty ka miliona artikuj shkencorë, qindra mijëra libra akademikë, si dhe 30 kurse për mësimin e gjuhës së huaj. Ne inkurajojmë studentët që në këtë periudhë 2-javore të shfrytëzojnë duke kryer detyrat e kursit që kanë për lëndët e ndryshme duke lexuar sa më shumë për artikujt që janë në dispozicion të tyre – pa pagesë dhe duke u përgatitur për fillimin e mësimit në fund të muajit mars”. 


Për pyetjen se “kur do të rifillojë shkolla”, ministrja Shaihini ka nënvizuar se: “Planet tona janë që mësimin ta rifillojmë me datë 23 mars. Task forca për Koronavirusin ka paraparë që mbyllja e shkollave në një afat dy javor deri më  23 mars është e nevojshme, por edhe e mjaftueshme. Në qoftë se kjo ndryshon, do t’ju njoftojmë me kohë”.


Ndërkohë, në lidhje me pyetjen për dezinfektimin e shkollave para rifillimin të procesit mësimor, ministrja shprehet se: “Disa janë dezinfektuar këtë javë dhe disa do të dezinfektohen javën tjetër. U kemi çuar një letër të gjitha bashkive që t’i rikujtojmë që të bëjnë dezinfektimin e shkollave para 23 marsit, para se të fillojë mësimi”.


Pyetjes së një prindi që thotë se “Fëmija im ka bërë leksione që jepen në Televizion, si do të jetë programi në vazhdim, pasi shkolla të ndryshme punojnë me libra të ndryshëm”, ministrja Shahini i është përgjigjur se:

“Leksionet aktuale kryejnë dy funksione, përsëritja e disa prej leksioneve që janë bërë shkollë, dhe e dyta të mos mbesim mbrapa me mësimet që nuk janë bërë ende dhe duhet të ishin bërë gjatë këtyre dy javëve”, ndërsa shton: “Por kjo nuk e zëvendëson punën që bëhet direkt me mësuesen. Kështu që ju inkurajojmë dhe kërkojmë nga nxënësit që të rrinë në kontakt të vazhdueshëm me mësuesit. Të marrin instruksionet nga ata se cilat leksione duhet t’i bëjnë vetë në shtëpi, cilat pjesë nga librat duhet t’i lexojnë, cilat detyra të shtëpisë duhet t’i mbyllin gjatë këtyre dy javëve, në mënyrë që kur të kthehemi në shkollë të bëjmë një përsëritje të shkurtër dhe të vijojmë pastaj me orët e tjera që duhet t’i mbyllim këtë gjysmë vjetor”shprehet ministrja Shahini në video-mesazh.  


Ajo tha se edhe për nxënësit e arsimit fillor do të zhvillohen orë mësimore në TV. Ndërkohë, për gjuhën shqipe gjithashtu do të zhvillohen orë mësimi në televizion dhe online. Jo vetëm për arsimin fillor që do t’i mbulojmë javës tjetër, por edhe për arsimin e mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë. 


“Për nxënësit që kanë provimet e lirimit, Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) po përgatit programet orientuese edhe për klasën e 9-të edhe për klasën e 5-të. Do të jenë në dispozicionin tuaj duke filluar nga java tjetër”, nënvizoi gjithashtu Ministrja Shahini.


Në fund, Ministrja Shahini inkurajoi që të vazhdohet me dërgimin e pyetjeve dhe se ajo do t’u përgjigjem sa më parë të jetë e mundur përmes video-porosive sikurse kjo.



(Portali Shkollor)

3,199 Lexime
4 vjet më parë