
Prof. As. Dr. Teuta Toska: Shkollat po ngulisin gabime drejtshkrimore në fasadat e tyre
Studiuesja dhe gjuhëtarja Teuta Toska ka reaguar për gabimet drejtshkrimore në fasadat e shkollave, si rasti i mungesës së vizës në “9-vjeçare”. Ajo thekson se këto pasaktësi, të vendosura në institucione ku mësohet shqipja, dëmtojnë punën e mësuesve dhe ngulisin forma të gabuara te nxënësit.
Studiuesja dhe gjuhëtarja Teuta Toska ka reaguar publikisht në lidhje me mënyrën se si shkruhen emërtimet në fasadat e shkollave në vend, duke theksuar se shpesh aty gjenden gabime drejtshkrimore që më pas rrezikojnë të përcillen si model për nxënësit.
Shkas për reagimin e saj u bë shkrimi në një shkollë në të cilin mungonte vizë lidhëse mes numrit dhe fjalës, duke u vendosur “9 vjeçare’ në vend të formës së saktë “9-vjeçare”.
“Rregulli i Drejtshkrimit e do që kur bashkohet numër e shkronja për të bërë një fjalë, të lidhen me një vizë. Në këtë rast duhet ‘9-vjeçare’. Kjo gjë duhet ndryshuar sa më shpejt, përpara se nxënësit ta ngulisin në kokë gabimin drejtshkrimor”, shkruan Toska, duke e shoqëruar reagimin me tone ironike.
Sipas saj, ky nuk është një problem i thjeshtë, pasi mungesa e korrektësisë në gjuhën shqipe në fasadat e shkollave tregon shpërfillje nga një sërë hallkash të përfshira në ndërtimin apo rikonstruktimin e institucioneve arsimore, nga arkitektët dhe inxhinierët, te zyrat arsimore e bashkitë.
“Nëse do të ishte në një institucion tjetër publik, nuk do të këmbëngulja kaq shumë. Por është mu aty, në ballë të vendit ku mendohet se mësohet drejtshkrimi i shqipes... U shkon kot puna mësuesve të gjuhës”, thekson ajo.
Toska shton se kjo situatë dëmton seriozitetin e shkollës dhe çon në ngulitjen e formave të gabuara të shkrimit te fëmijët.
“Shkurt, po lini nam që të gjithë! T’i gëzoni shkollat!”, përfundon reagimin e saj gjuhëtarja.
(Shënim: Më poshtë disa nga shkollat ku janë vërejtur këto gabime)





© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Mirela Kumbaro emërohet Ministre e Arsimit
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe