Prof.Dr Ermira Ymeraj: Mësuesi, mes pasionit dhe padrejtësisë

Ky shkrim nga Ermira Ymeraj, i publikuar sot më 7 Mars – Ditën e Mësuesit, nuk flet për festën, por në gegnisht flet për realitetin e vështirë të arsimtarëve. Ai trajton padrejtësitë në sistemin arsimor, ku pasioni dhe përkushtimi shpesh anashkalohen, ndërsa servilizmi dhe mediokriteti shpërblehen.

Nga Ermira Ymeraj 


Mësuesi asht nji udhëtar rrezikzi, që koha këtu te ne e ka kërrysë e ka zvogëlu, e ka zhveshë prej mantelit e kunorës që sisteme prenjimend shtetare e vlerësojnë. Po jo të gjithë, ma rrezikzitë janë njato që e pasionojnë detyrën e tyne si mësimdhanës, janë njato që nuk fryhen si gjela, urtnojnë, fisnikërojnë, duan të përmirësohen, angazhohen. Janë njato që nxanësin e shohin si një lule që duhet me u përkujdesë çdo ditë me e ujitë me dije në masë, në sasi e cilësi, me e nxjerrë në diell me i dhanë dritë e me e ba me mendu vetë n' origjinalitetin e tij. 


Janë njato që lypin te nxanësi që ma parë se me ushtrue aftësinë me nxanë mësimet të nxajë detyrimin e tij me u ba, me u ba i qytetnuem. E më pas duan që ai t' zotnojë aftësinë n' sprova jete bash kur t' përplaset e t' rrëzohet e ma shumë bash kur të gjindet para vedit n' ushtrime detyrash. E këta mësues rrezikzinj kanë në këtë sistemin tonë nji përndjekje të.çuditshme. Koha s' i le me e ushtrue zanatin e tyne me dashuni, sepse lukunia e të paaftëve asht shtri sa gjanë gjatë. Asht në majë, atje ku nënshkruhen aktet e erërave të ndryshimeve. 


Atje t' paaftët  bjerrin mundin, bjerrin ngjitjet, bjerrin vullnetmirët me gjuhën e mbrapshtë të pushtetarit të dehun prej tulelëpirësi i binë kresë arsimtarit mëndjedritun, herë tu i denigru me kolegun e paaftë brenda grupit lëndor që i tund përpara diplomat me "nota demokracie", me mastera shkencorë, me "C1" pa e ditë dhe gjuhën e huaj që ka ble a fitu, me "trajnime" që duhej t'i vlenin, po sistemi i shndërroi në letra që duhen me u gjetë e si e sa arsimtari nuk po pyt. Ai i urti gjer në dhimbje që e do shkumësin kur jep matematikë, që e do librin kur jep lexim, gjuhë a letërsi, ai që përdor një epruvetë të bame në shpi, ai që nuk i bërtet punës që ban, nuk e shet atë që ban, po knaqet kur nji nxanës ngrihet ma i fortë mas çdo rrëzimi, ai asht nji rrezikzi sot, sepse "pikët në dosjen e tij nuk numërohen me ça jep po me ça ka". 


Asht rrezikzi sepse nuk i matet rezultati me ça nxënësi i tij ka fitu, ça nxënësi i tij arrin, nuk i matet rezultati me cilësinë e mësimdhënies që ai ban çdo ditë, po fiton ai që ulëret, që kërcënon me pushtet, që lëpihet, lëpin, gjarpnon, që shet shtrenjtë gjithçka që ban, që rrah shuplakë, që merr rrushfet, që jep rrushfet, që nuk skuqet, që skuq e turpëron të tjerët, ai që mashtron dhe në dije dhe pastaj ai i miri mësues i urtnuem në pasionin e tij, mbetet në hije. 



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

564 Lexime
2 javë më parë