Telegram ngushëllimi

Profesor Magjun Bruqi ishte ndër pishtarët e parë të arsimit shqip

Profesor Magjun Bruqi, ishte ndër pishtarët e parë të arsimit shqip në Kosovë, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, i cili me përkushtim dhe atdhedashuri të thellë, edukoi dhe arsimoi shumë breza të rinjsh

E nderuara familje Bruqi,
 
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e kryefamiljarit tuaj, veteranit të arsimit në komunën e Deçanit dhe më gjerë.

Profesor Magjun Bruqi, ishte ndër pishtarët e parë të arsimit shqip në Kosovë, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, i cili me përkushtim dhe atdhedashuri të thellë, edukoi dhe arsimoi shumë breza të rinjsh. Ai ishte profesor i dalluar i lëndës së gjeografisë, të cilën me aq dashuri e profesionalizëm ua shpjegoi nxënësve për më shumë se 40 vite. 

Profesor Magjun Bruqi, tashmë është pjesë e panteonit të arsimit shqip në Kosovë, si njeri i cili tërë jetën ia kushtoi arsimit. Ai do të mbetet gjatë në kujtesën tonë dhe  secilit nxënës që pati fatin të mësoi nga profesori për kulturën, pedantërinë dhe etikën profesionale prej pedagogu.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të! 

Me respekt,
Arsim Bajrami, 
Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë 

1,620 Lexime
8 vjet më parë