Njoftim

Provimi i shtetit për mësuesit, QSHA publikon detajet

Provimi i shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit do të zhvillohet nga java e tretë e muajit Shtator 2018 e në vijim, në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (më poshtë QSHA) me adresë: Rruga: “Naim Frashëri”, Nr. 37, Tiranë.

Për të gjithë kandidatët aplikantë për provimet e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit, ju bëjmë me dije sa më poshtë:


- Provimi i shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit do të zhvillohet nga java e tretë e muajit Shtator 2018 e në vijim.


Provimi i shtetit do të zhvillohet në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (më poshtë QSHA) me adresë: Rruga: “Naim Frashëri”, Nr. 37, Tiranë.


Kandidati duhet të paraqitet në QSHA 30 min. para fillimit të provimit të shtetit. Ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me:


1. Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal);

2. Kopje të Kartë ID ose Pasaportë;

3. Faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të QSHA, nga një bankë të nivelit të dytë/postë (sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të QSHA) sipas herës së pjesëmarrjes; {Vëmendje: fatura të ketë vulën e bankës përkatëse};

4. Kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga MAS, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit. {Kandidatët, të cilët nuk janë pajisur me Diplomë të ciklit të dytë të studimeve, duhet të paraqesin një vërtetim nga Universiteti përkatës, ku konfirmohet shlyerja e të gjitha detyrimeve, përfshirë edhe gjuhën e huaj, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi}.


QSHA -ja nuk do të mundësojë kandidatët të cilëve u mungojnë këto dokumente, të marrin pjesë në provimin e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit.


Mbështetur në ligjin nr. 10171, datë 22.10.2009, neni 7, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar dhe nenin 4 pika 6 të Rregullores, “Për organizimin e provimeve të shtetit për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, miratuar me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr. 82, datë 22.02.2011, e ndryshuar, kandidatët që regjistrohen për provimin e shtetit, duhet të jenë të pajisur me diplomat e ciklit të parë dhe të dytë të studimit, të lëshuar nga IALtë përkatëse. Neni 7 i ligjin nr. 10171, datë 22.10.2009 thekson sa më poshtë:


Neni 7

Formimi dhe kualifikimi profesional për ushtrimin e profesionit të rregulluar.

Personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.


Për paraqitjen në qendrat e provimit kandidati duhet të ketë parasysh rregullat e mëposhtme:

1. ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter s ‘kualifikimi;

2. ndalohet duhani, dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit;

3. ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të provimit.


Tarifa e depozituar për llogari të Qendrës së Shërbimeve Arsimore, është e pakthyeshme dhe e vlefshme vetëm për sezonin aktual të provimit të shtetit.


Për të gjithë kandidatët, lutemi të verifikoni emrin, atësinë, mbiemrin, si dhe datën dhe orën e provimit në faqen zyrtare të QSHA në adresën www.qsha.gov.al, rubrika lista e kandidatëve. Kandidatët lutemi të paraqiten VETËM në orarin e përcaktuar dhe publikuar në faqen web të QSHA.


Në rast pasaktësie në të dhënat e paraqitura në web, lutemi të kontaktoni në adresën [email protected] si dhe të njoftoni përpara se të hyni në ambientin e provimit.

(Portali Shkollor)

26,384 Lexime
5 vjet më parë