Provimi i Shtetit për profesionin e mësuesit, aplikimet hapen më 7 prill për sezonin XXI
Aplikimet për Provimin e Shtetit në profesionin e mësuesit, sezoni XXI, do të kryhen online në platformën e-Albania nga 7 deri më 14 prill 2026. Kandidatët duhet të ngarkojnë dokumentet përkatëse dhe të ndjekin të gjitha fazat e aplikimit, sipas udhëzimeve të publikuara nga QSHA.
Qendra e Shërbimeve Arsimore ka shpallur njoftimin për zhvillimin e Provimit të Shtetit në profesionin e rregulluar të mësuesit, sezoni XXI, ndërsa aplikimet për kandidatët do të kryhen online gjatë periudhës 7-14 prill 2026.
Sipas njoftimit, kandidatët duhet të aplikojnë përmes shërbimit “Aplikim për provim shteti” në platformën e-Albania. Edhe shtetasit e huaj mund të aplikojnë përmes të njëjtit shërbim, duke zgjedhur opsionin “shtetas i huaj” dhe duke plotësuar fushat përkatëse.
Dokumentet që duhet të ngarkohen gjatë aplikimit
Gjatë aplikimit online, kandidatët duhet të ngarkojnë në sistem:
Diplomën ose diplomat e programit të studimeve për profesionin përkatës;
Dëshminë e përfundimit me sukses të praktikës profesionale, të lëshuar nga institucioni kompetent;
Në raste të veçanta, dokumente shtesë si:
vërtetimi për njohjen dhe njësimin e diplomës nëse studimet janë kryer jashtë vendit;
dokumentacion nga institucioni përgjegjës për arkivat për diplomat e lëshuara nga institucione të arsimit të lartë të mbyllura.
Pas shqyrtimit të aplikimit, kandidatët do të marrin njoftimin e pranimit nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar (DRAP).
Pagesa dhe konfirmimi i aplikimit
Vetëm pas njoftimit të pranimit nga DRAP, kandidatët duhet të kryejnë pagesën për llogari të QSHA-së dhe të ngarkojnë faturën në sistem brenda 72 orëve. Dokumenti i pagesës duhet të ruhet në format PDF me emërtimin “pagesa”. Pas ngarkimit të pagesës, kandidatët duhet të presin konfirmimin përmes email-it nga QSHA, si dhe publikimin e kalendarit dhe orarit të provimit.
Si njoftohen kandidatët
Statusi i aplikimit mund të ndiqet në çdo fazë përmes:
postës elektronike;
platformës e-Albania, në rubrikën “Hapësira ime - Mesazhet e mia”;
kodit unik të gjurmimit të aplikimit.
Rregullat gjatë zhvillimit të provimit
Kandidatët duhet të paraqiten pranë QSHA-së 30 minuta përpara orarit të publikuar, të pajisur me kartë identiteti ose pasaportë origjinale.
Gjatë zhvillimit të provimit ndalohet:
përdorimi i telefonit celular apo mjeteve të tjera të komunikimit;
komunikimi me kandidatët e tjerë;
lëvizja jashtë vendit të përcaktuar për provim;
pirja e duhanit dhe konsumimi i ushqimit në ambientet e provimit.
Hapi pas provimit
Kandidatët që rezultojnë të suksesshëm në provimin e shtetit mund të marrin pjesë menjëherë në testimin e informatizuar të mësuesit, i cili është një nga procedurat për punësim në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar.
Programet orientuese dhe fondet e pyetjeve sipas profileve janë publikuar në faqen zyrtare të QSHA-së, ndërsa programet orientuese për testimin e informatizuar gjenden në faqen e Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar.
Ndërkohë, kalendari dhe orari i detajuar i provimeve për çdo kandidat do të publikohen në vijim në faqen zyrtare të QSHA-së.
“Orari i pjesëmarrjes në provim do të jetë i përcaktuar dhe nuk do të ketë ndryshime përtej orarit të publikuar,” theksohet në njoftim.
Në rast problematikash gjatë aplikimit, kandidatët këshillohen të kontaktojnë ZVAP/DRAP përkatëse, ndërsa për çështje që lidhen me pagesën të drejtohen pranë QSHA-së.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600