AKTUALITET

Pse nuk marrin më shpërblim punonjësit në arsim?

As këtë vit nuk do të ketë shpërblime për punonjësit në arsim. Burime nga MAS për Portalin Shkollor thanë se shpërblimi është bërë pjesë e pagës duke u shkrirë në elementë përbërës të saj. Specialistja e arsimit Valbona Nathanaili thirrje mësuesve: “Drejtohuni sindikatave të bëjnë punën e tyre”.

U bënë disa vite që punonjësit mësimor nuk e kanë përfituar shpërblimin e fundvitit, ose pagën e 13-të. Ata në fakt kanë shpresuar gjithmonë se do të vlerësohen financiarisht për Vitin e Ri, për punën e tyre të palodhur. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.  


Nga informacionet që Portali Shkollor ka marrë pranë MAS, as këtë vit nuk do të ketë shpërblime për punonjësit në arsim. 


Në fakt burime nga ky institucion na thanë se prej pak vitesh tashmë funksionon një skemë e re e përfshirjes së shpërblimeve për këtë kategori. Sipas tyre "shpërblimi është bërë pjesë e pagës duke u shkrirë në elementë përbërës të saj". 


Specialistja e arsimit Valbona Nathanaili u ka bërë thirrje mësuesve që të kërkojnë të drejtat e tyre.

 


  

“Shpërblimi i fundvitit për mësuesit, një lloj page e trembëdhjetë, e plotë apo përgjysmë, ka një natyrë të veçantë dhe, ose rregullohet me kontratë, ose fitohet me përpjekje. Pra, ky lloj shpërblimi është më shumë çështje administrative dhe vullneti për të ndryshuar. Thënë ndryshe, nëse ka kohë që nuk jepet ky shpërblim dhe mësuesit mendojnë se e meritojnë, duhet t’u drejtohen shoqatave e sindikatave të tyre. Në fund të fundit, pse i kanë formuar? Hapat janë të thjeshtë. Gjithçka varet nga vullneti dhe dëshira për t’u investuar”, kështu është shprehur për Portalin Shkollor specialistja e arsimit Valbona Nathanaili. 


SPASH: Kërkesat tona dhe të mësuesve asnjëherë nuk janë marrë parasysh! 


Që nga viti 2012 mësuesit në Shqipëri nuk kanë marrë asnjë shpërblim për festat e fundvitit, ndërsa rrogën e fundit të 13-të e kujtojnë që prej vitit 2007.

“Rroga e fundit e 13-të mësuesve u është dhënë afërsisht në vitin 2007, kohë kur doli si problem pagesat e sigurimeve shoqërore për këtë rrogë. Në atë kohë u dakordësua nga qeveria e asaj kohe dhe sindikata jonë që rroga e 13-të shpërndahet përgjatë 12 muajve të tjerë të vitit dhe në fund të vitit t’i jepej çdo mësuesi 100 mijë lekë të vjetra shpërblim. Ky shpërblim është dhënë deri në vitin 2012. Që atëherë deri më sot mësuesit nuk e kanë përfituar më as këtë shpërblim prej 100 mijë lekësh të vjetra.  Pra prej shumë vitesh mësuesve nuk u jepet më as rroga e 13-të dhe as shpërblimi prej 100 mijë lekësh”, kështu është shprehur Isa Halilaj, Zv.President i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë (SPASH). 


I pyetur se çfarë ka bërë SPASH për këtë problem, Halilaj, është përgjigjur se: “Ne kemi bërë shpeshherë protesta, i kemi dërguar letra zyrtare ministrave përgjegjës për këtë problem, kemi dal në media, por kërkesat më të mëdha tonat dhe të mësuesve asnjëherë nuk janë marrë parasysh”.  



Por sa do t’i kushtonte shtetit nëse do të lëvronte një pagë mesatare shpërblim për punonjësit në arsim?

Referuar VKM-së Nr.175 Nr.175, datë 8.3.2017, dhe vendimeve të saj të mëpasshme me ndryshime, “për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jomësimorë në arsimin parauniversitar”, rezulton se veçanërisht paga mesatare bruto e një mësuesi është 60.758 lekë (2021).  


Dinamikat e pagave dhe e numrit të mësuesve bëjnë që për vitin 2022 të mos na rezultojnë referenca të sakta zyrtare. Por nëse do t’i referoheshim shifrës së përafërt të pagesës mesatare bruto të vitit 2021, që është diku tek 60 mijë lekë të reja dhe numrit të përafërt të punonjësve në arsim, që është afërsisht 31 mijë, atëherë shteti nga buxheti i tij duhet të llogariste afërsisht 1.9 miliardë lekë të reja ( ose 16 milionë euro) për të shpërblyer këtë kategori. 



Përgatiti Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,377 Lexime
1 vit më parë