Kualifikimi 2021

Pyetje - përgjigje për procesin e provimit të kualifikimit të mësuesve dhe drejtuesve të arsimit parauniversitar

Nesër, më 8 maj, plotë 3999 drejtues dhe mësues të arsimit parauniversitar do t’i nënshtrohen provimit të kualifikimit. Nisur nga kërkesat tuaja për informacion rreth këtij provimi më poshtë ne kemi renditur pyetjet më të shpeshta dhe përgjigjet për secilën prej tyre në lidhje me këtë proces.

Viti 2021 është i pesëmbëdhjeti vit radhazi që drejtuesit dhe mësuesit e arsimit parauniversitar marrin pjesë në procesin për të fituar kategoritë e kualifikimit.  

Konkretisht nesër, më 8 maj 2021, plotë 3999 drejtues dhe mësues të arsimit parauniversitar do t’i nënshtrohen provimit të kualifikimit


Nisur nga kërkesat tuaja për informacion rreth këtij provimi më poshtë ne kemi renditur pyetjet më të shpeshta dhe përgjigjet përkatëse, bazuar në udhëzimet, ligjet përkatëse dhe ASCAP. 



Pse testohen drejtuesit e arsimit parauniversitar dhe mësuesit?  


Procesi i kualifikimit të mësuesve në Republikën e Shqipërisë zhvillohet në mbështetje të Ligjit Nr.69 datë 21.06.2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të Udhëzimit të Ministrit të arsimit nr. 4, dt 26.02.2021 “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve”. Kualifikimi 2021 është viti i pesëmbëdhjetë që mësuesit dhe drejtuesit e arsimit parauniversitar hyjnë në këtë proces për të fituar kategoritë e kualifikimit. Përveç marrjes së kategorisë, ky proces gjithashtu ka qëllim  të ndikojë në përmirësimin e zhvillimit të vazhduar profesional të mësuesve në mënyrë që ata të përmirësojnë procesin e mësimdhënie – nxënies dhe ajo që është më kryesorja të përmirësojnë arritjet e nxënësve.    

 


Si realizohet provimi i kualifikimit?


Provimi i kualifikimit do të realizohet me shkrim në mjedise të përcaktuara në Tiranë, ku janë marrë edhe masat anti-Covid 19.

 


Kush merr pjesë në provimin e kualifikimit?


Provimeve të kualifikimit u nënshtrohen detyrimisht punonjësit e institucioneve arsimore parauniversitare publike dhe private, të cilët kanë diplomë në fushën e mësuesisë sipas kritereve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi dhe deri më datën 31 dhjetor të vitit paraardhës plotësojnë:

a) të paktën 5 vjet punë për kategorinë e kualifikimit  “Mësues i kualifikuar”;

b) të paktën 10 vjet punë për kategorinë e kualifikimit “Mësues specialist” dhe të paktën 5 vjet punë pas marrjes së kategorisë “Mësues i kualifikuar”; 

c) të paktën 20 vjet punë për kategorinë e kualifikimit “Mësues mjeshtër” dhe të paktën 10 vjet punë pas marrjes së kategorisë “Mësues specialist”. 

Për vitin 2021 në procesin e kualifikimit do të marrin pjesë 3999 mësues. 



Cila është struktura e testit të sivjetshëm (2021)? Sa pyetje do të jenë?  


Një test i provimit të kualifikimit përbëhet nga dy pjesë: 

a) Pjesa e parë e cila përmban:

  • dokumentacioni zyrtar që përdorin mësuesit gjatë punës së përditshme në shkollë;
  • programet përkatëse lëndore sipas profilit dhe ciklit përkatës;
  • metodologjinë e mësimdhënies - nxënies që lidhet me lëndën për të cilën testohet mësuesi; 
  • komunikimi dhe etika e mësuesit në institucionin arsimor parauniversitar që lidhet kryesisht me kodin e etikës
  • aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. 

b) Pjesa e dytë përfshin përmbajtjen shkencore të lëndës 

Programet e kualifikimit janë hartuar për çdo lëndë, për çdo rubrikë të testit me rezultate të pritshme dhe literatura që të ndihmojnë mësuesit të orientojnë përgatitjen e mësuesve. 

Testet në përgjithësi kanë 34 deri 38 pyetje.



Nga kush hartohen testet? Sa ndryshojnë këto teste nga vitet e kaluara?


Testet hartohen nga grupe të specializuara të ngritura pranë ASCAP, sipas profileve përkatëse. Testet kryesisht masin kompetencat dhe janë me situata konkrete nga puna e përditshme e mësuesve në shkollë. 



A do të ketë tolerime këtë vit, për shkak të situatës së pandemisë?


Procesi i kualifikimit nuk ka për qëllim të penalizojë mësuesit përveç se të ndihmojë në përmirësimin e zhvillimit të tyre profesional.



Si bëhet vlerësimi i provimit të kualifikimit? Konkretisht si behet konvertimi i pikëve gjatë vlerësimit të provimit të kualifikimit? 


Vlerësimi i testeve organizohet nga ASCAP dhe kryhet nga komisionet e vlerësimit të testeve të cilët janë mësues me përvojë në këtë proces.

Provimi quhet i kryer me sukses nëse kandidati ka fituar të paktën 40% të pikëve të secilës pjesë të testit. 

Vlerësimi përfundimtar i kandidatit bëhet me sistemin e 100 pikëve, nga të cilat 30 pikë janë të portofolit dhe 70 pikë janë të provimit.

Kandidati vlerësohet me pesë shkallë: A, B, C, D, E, që u korrespondojnë përkatësisht vlerësimeve me fjalët "Shkëlqyeshëm”; "Shumë mirë”, ‘’Mirë”, "Mjaftueshëm” dhe "Dobët”.

Kandidati nuk e fiton kualifikimin nëse vlerësimi përfundimtar i tij është "Dobët”, pra nëse nuk ka fituar 40% të pikëve të secilës pjesë të testit. 



Po gjuha e huaj si vlerësohet? 


Gjuha e huaj është pjesë e portofolit të mësuesit dhe vlerësohet nga Zyra arsimore përkatëse sipas shtojcës 1 të udhëzimit 4, datë 26.022021 “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve”.



A përsëritet provimi dhe nëse po sa herë ekziston mundësia? 


Kandidati ka të drejtë të hyjë në procesin e kualifikimit për çdo kategori dhe në rast se nuk e kalon me sukses provimin, hyn në provim në sesionin pasardhës.



Kur dalin përgjigjet?


Përgjigjet dalin mbasi të përfundojë periudha e korrigjimeve e cila zgjat për gati dy javë. 



A do të publikohet këtë vit çelësi i pyetjeve? 

Në provimin e kualifikimit janë 42 teste të lëndëve dhe cikleve të ndryshme. Gjithsesi nëse një kandidat dëshiron të shoh testin e tij mund ta shikojë gjatë periudhës së ankimimit.



Po vitin e shkruar sa pjesëmarrës në provimin e kualifikimit kanë rezultuar jo kalues?


Në vitin 2020, 67% e mësuesve që morën pjesë fituan kategorinë e kualifikimit. Pra 33% jo kalues. 



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

18,841 Lexime
2 vjet më parë