
Qeveria miraton mbylljen e përkohshme të TikTok për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve
Qeveria shqiptare miratoi mbylljen e përkohshme të platformës TikTok për 12 muaj, si masë për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga rreziqet e rrjeteve sociale. Vendimi erdhi pas konsultimeve me prindërit dhe shqetësimeve mbi ndikimin e mundshëm negativ në shëndetin psiko-emocional të të rinjve.
Këshilli i Ministrave miratoi sot Projektvendimin “Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës TikTok”, si një hap konkret për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga rreziqet e rrjeteve sociale.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu pas mbledhjes së qeverisë deklaroi se:
“Qeveria ka marrë vendimin për mbylljen e përkohshme të platformës online TikTok. Ne kemi zhvilluar një sërë takimesh konsultative me prindër, rreth 65 mijë prindër të pyetur në mbi 1300 takime për efektet që lidhen me sigurinë në mjedisin digjital dhe efektet negative që rrjetet sociale dhe platformat të cilat kanë përmbajtje të pakontrolluara, mund të sjellin në shëndetin psiko-emocional të fëmijëve. Në të gjitha këto takime, prindërit kanë qenë pro mbylljes ose kufizimit të platformës TikTok.”, tha Manastirliu.
Me këtë vendim, Qeveria ka vendosur ndërprerjen e aksesit në TikTok në territorin e Shqipërisë për një periudhë 12-mujore, deri në momentin që kjo platformë të zbatojë standardet e sigurisë dhe moshës për përdoruesit e mitur. Autoritetet kompetente, në bashkëpunim me ofruesit e internetit dhe platformat teknologjike, do të marrin masat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi dhe vlerësimin e efektivitetit të tij në vazhdimësi.
“Është mbyllje e përkohshme e aksesit në platformën TikTok. Një mbyllje e përkohshme do të thotë që i kemi dhënë vetes 12 muaj kohë për të bërë të mundur që, në bashkërendim me përfaqësuesit e platformës së TikTok, të marrim të gjitha masat e nevojshme për të vendosur kushtet dhe kriteret e duhura në mënyrë që aksesi në TikTok të mos dëmtojë fëmijët dhe të rinjtë. Do të jetë Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e cila, me entet përkatëse, do të punojë dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore, që mund të jetë disa ditë ose një javë e pak, do të mundet që të realizojë këtë ndërprerje të aksesit në platformën TikTok.”, deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Rekomandimi për mbylljen e përkohshme të kësaj platforme, është bërë nga një grup ndërinstitucional dhe u miratua sot me vendim qeverie.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Mësuesit denoncojnë procesin e kualifikimit: SBASH kërkon ndërhyrje urgjente nga MAS
"Mospërputhjet me Udhëzimin Nr. 17 dhe mungesa e transparencës", eksperti Çifliku analizon testimin e informatizuar
Hartimi i projektit kurrikular