KONKLUZIONET

Raporti i ISHA-s: Strategjitë dhe teknikat e përdorura nga mësuesit janë të varfra

Në raportin e fundit të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit dhe veçanërisht në raportit mbi mësimdhënien dhe të nxënit, citohen shumë hallka të cilat mbeten ende të papërmbushura nga mësuesit. Për më tepër ju ftojmë të viheni në dijeni si më poshtë.

Në Shqipëri, përgjithësisht në shkollat publike, mësuesit kanë në fokus nxënësit aktiv, duke lënë të papërfshirë gjatë orës së mësimit nxënësit me vështirësi në të nxënë, thuhet në raportin  e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit për vitin 2018, vit që korrespondon edhe me të dhënat e fundit të nxjerra mbi kontrollet e ushtruara në institucionet arsimore nga ky inspektorat.  


Shpjegimi i mësimit është i qartë dhe i saktë nga ana shkencore, por mësuesit përgjithësisht kanë në fokus nxënësit aktivë, duke lënë të papërfshirë në proces nxënësit joaktivë dhe me vështirësi në të nxënë”- thuhet konkretisht në këtë raport.


Në raport thuhet gjithashtu seMësuesit zbatojnë strategji dhe teknika në funksion të realizimit të rezultateve të të nxënit, por ka raste kur ato janë të varfra, dhe nuk ndihmojnë lehtësimin e të nxënit. Kështu, jo gjithmonë orët e mësimit sigurojnë një proces gjithëpërfshirës. Orët e mësimit përgjithësisht mbizotërohen ende nga mësimdhënia me qendër mësuesin. Në përgjithësi teknika e punës në grup nuk zhvillohet mirëfillti”.  

Pjesë nga raporti

Këto më poshtë janë disa nga evidentimet që ne kemi nxjerrë nga ky raport, të cilin të plotë do të mund të gjeni, në formatin PDF, në fund të këtij artikulli. 


Nuk zbatohet gjithëpërfshirja  

Ka raste ku evidentohet nxitja e frymës së debatit dhe e diskutimit, duke bërë që nxënësit të zhvillojnë aftësitë e të menduarit kritik dhe krijues, por kjo nuk vërehet në një nivel gjithëpërfshirës. 


Nuk përfshihen teknologjitë, tekstin e përdorin si burim kryesor 

Shkollat kanë ende sfidë integrimin e teknologjive të reja në procesin e mësimdhënies. Të pakta janë rastet kur ato përdoren me efektivitet, duke lejuar nxënësit të marrin njohuritë e nevojshme edhe në formë të demonstruar.  Mësuesit planifikojnë përgjithësisht tekstin si burim kryesor për realizimin e programit mësimor, por në disa raste tek klasat e 10-ta, mësimdhënia dhe mësimnxënia planifikohet e bazuar në burime të tjera alternative si të nxënit digjital.


Planet vjetore i marrin të gatshme 

 Planet vjetore të klasave të 10-ta dhe 11-ta, që në disa raste janë marrë të gatshme nga shtëpitë botuese, nuk janë përpunuar nga mësuesit e lëndës për t’iu përshtatur kërkesave të programit dhe nuk mbështeten në karakteristikat e shkollës apo nivelin e klasës.


Nuk zhvillohet procesi i vetëvlerësimit apo vlerësimi i ndërsjellët

Përgjithësisht mësuesit nuk zhvillojnë procesin e vetëvlerësimit apo vlerësimin e ndërsjellët. Vlerësimi në përfundim të orës së mësimit është kryesisht formal dhe jo i pasur me komente të detajuara për pjesëmarrjen e nxënësve dhe përgjigjen e dhënë gjatë orës së mësimit. Në pak raste bëhet një vlerësim i argumentuar për një periudhë afatgjatë.


Shërbimet psiko-sociale nuk hartojnë planet 

Shërbimi psiko-social në disa raste nuk ka hartuar plan veprimi për nxënësit që shfaqin probleme në sjellje dhe nuk kanë zbatuar plan individual rehabilitues apo parandalues, megjithëse janë evidentuar nxënës të tillë dhe nxënës që kanë tendencë braktisjen e shkollës, siç parashikohet në nenin 46/1/a të Dispozitave Normative.


Nuk bëhen komentet përkatëse sipas nivelit të arritjeve të nxënësve 

Mësuesit shprehen se vlerësojnë nxënësit duke u bazuar te përgjigjet me gojë ose me shkrim, detyrat e shtëpisë dhe të klasës, teste të ndërmjetme, por nuk bëjnë komentet përkatëse sipas nivelit të arritjeve. Nga vëzhgimi i evidencave të klasave I-III dhe VI-VIII, orëve mësimore të vëzhguara dhe bisedave me mësuesit, u evidentua se ata nuk i vlerësojnë nxënësit për punët në grup, pjesëmarrjen në diskutime dhe debate të ndryshme, vetëvlerësimin dhe vlerësimin e nxënësit nga nxënësi, siç parashikohet në udhëzimin e MAS-it, nr. 34, datë 11.09.2015 “Për vlerësimin e nxënësve për kurrikulën me kompetenca, në arsimin bazë”. Mësuesit e AMU-së japin detyra shtëpie, por nuk i korrigjojnë ato rregullisht dhe kur i korrigjojnë nuk bëjnë shënime për mënyrën e zhvillimit të saj. Në AF mësuesit i korrigjojnë rregullisht detyrat e shtëpisë, por nuk përdorin të njëjtin standard për numrin e detyrave në klasa të ndryshme.


Mësuesit kanë vështirësi në hartimin e testeve 

Disa mësues kanë vështirësi në hartimin e kërkesave-pyetjeve për të gjitha nivelet e arritjeve, përllogaritjen e peshës specifike të koncepteve në raport me orët mësimore të zhvilluara në sistemin e pikëzimit. Disa mësues nuk kanë hartuar tabelën e vlerësimit të testeve dhe pikëzimin sipas kërkesave të testit. Mësuesit nuk kanë hartuar skemën e qortimit të testit dhe nuk analizojnë dhe përpunojnë të dhënat e testeve për t’i shfrytëzuar më pas për plotësimin e mangësive dhe progresin e nxënësve.


Në përfundim të këtij raporti për vitin 2018 ISHA ka përpiluar edhe këshillat e rastit. 


                                                                      KËSHILLIME

Bazuar në gjetjet dhe gjykimet e inspektimeve të zhvilluara gjatë vitit 2018, ISHA, me qëllim përmirësimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimit arsimor që ato ofrojnë, ka këshilluar instituciont arsimore parauniversitare, si më poshtë:


I. Këshillime për fushën menaxhimi i shkollës

  1. Grupet e punës për hartimin e Planit të ri Afatmesëm: të plotësojnë të gjitha rubrikat e parashikuara të formatit të PASH; të parashikojnë analizën e hollësishme të gjendjes në funksion të vendosjes së prioriteteve; të orientojnë të gjitha prioritetet tek arritjet e nxënësve. (Neni 66, DN 2013)
  2.  Drejtoritë e shkollave të drejtojnë grupet e punës për realizimin e analizës së gjendjes së planit të ri vjetor mbështetur në kërkesat e formatit të përcaktuar në DN 2013 , neni 67 . (Të vendosen treguesit standard dhe më pas grupet e punës të detajojnë në tregues të tjerë ata tregues standard për të cilët nevojitet më shumë informacion. Këta tregues të detajuar orientojnë synimet dhe objektivat për përmirësim në planin e ri vjetor).
  3. Drejtoritë e shkollave të formulojë synimet dhe objektivat e planit vjetor të shkollës mbështetur në DN neni 67. Në formulimin e tyre, duhet mbajtur parasysh lidhja logjike mes synimit dhe objektivave.
  4. Grupi i punës për hartimin e planit vjetor të hartojë tabela e veprimtarive dhe veprimtarive vëzhguese që orientohen në funksion të atyre veprimtarive dhe vëzhgimeve që mundësojnë realizmin e objektivave të vendosura.
  5. Drejtoritë e shkollave në hartimin e rregullores së brendshme, të përcaktojnë kritere të larmishme për shpallen e arritjeve të nxënësve në varësi të specifikave dhe potencialeve të nxënësve të shkollave të tyre.

II. Këshillime për fushën “Kurrikula e zbatuar”

  1. Mësuesit të planifikojnë rezultatet e të nxënit sipas kompetencave kyçe dhe kompetencave të fushës/lëndës për periudhat tri-mujore.
  2. Mësuesit të hartojnë planet lëndore, 3-mujore në përshtatje me karakteristikat e shkollës dhe nivelin e klasës.
  3. Drejtoria e shkollës të orientojë zhvillimin profesional të mësuesve (trajnimin personal, zhvillimin e brendshëm, rrjetet profesionale etj.) në aspekte të planifikimit vjetor/tremujor si: situata e të nxënit, metodologjia dhe vlerësimi.

III. Këshillime për fushën “Mësimdhënia dhe të nxënit”

  1. Mësuesit të pasqyrojnë rezultatet e të nxënit sipas tre mujorëve.
  2. Mësuesit të planifikojnë në mënyrë adekuate orët mësimore në funksion të përmbushjes së nivelit, nevojat dhe interesat e të gjithë nxënësve.
  3. Mësuesit të planifikojnë punë të diferencuar me nxënësit me vështirësi në të nxënë, duke përshtatur mësimdhënie gjithëpërfshirëse dhe stimuluese për këtë kategori nxënësish.
  4. Mësuesit të trajnohen lidhur me: ndërtimin e situatave të të nxënit; planifikimin adekuat të orëve mësimore që përmbush nivelin, nevojat dhe interesat e të gjithë nxënësve; zhvillimin e një procesi mësimor gjithëpërfshirës dhe të përshtatshëm sipas nevojave të çdo nxënësi; llojet e vlerësimit dhe rolin e tyre në procesin e mësimdhënies.

IV. Këshillime për fushën “Vlerësimi i nxënësve dhe arritjet”

  1. Mësuesit të argumentojnë vlerësimet e nxënësve me qëllim sigurimin e transparencës dhe orientimin e tyre për t’u përmirësuar.
  2. Mësuesit të kryejnë vlerësim gjithëpërfshirës, i cili përfshin një gamë konceptesh dhe jo koncepte të veçuara, me qëllim vlerësimin real të arritjeve të nxënësve.
  3. Mësuesit të monitorojnë individualisht të nxënit e nxënësve, për të identifikuar nevojat specifike të tyre, si dhe për të përshtatur mësimdhënien sipas nivelit dhe nevojave të çdo nxënësi.
  4. Mësuesit të pasurojnë teknikat dhe llojet e vlerësimit për të motivuar nxënësit dhe për t’i përfshirë ata në procesin e të nxënit.
  5. Mësuesit të trajnohen për ndërtimin e testeve të standardizuara.
  6. Mësuesit të përcaktojnë rezultatet e të nxënit që arrijnë nxënësit nëpërmjet punimeve të tyre, si dhe të përcaktojnë kriteret e vlerësimit, për kryerjen e një vlerësimi objektiv dhe efikas.

V. Këshillime për fushën “Klima dhe kujdesi ndaj nxënësit”

  1. Shërbimi psiko-social: të hartojë planin vjetor të shërbimit psiko-social në përputhje të plotë me fushat e udhëzuesit “Inspektimi dhe Vetëvlerësimi i Shërbimit Psikologjik në Shkollë”; të planifikojë dhe realizojë seanca informuese me mësuesit për zhvillimet moshore të nxënësve apo problemet tipike që hasin gjatë procesit mësimor-edukativ; të identifikojnë nxënësit me probleme në sjellje dhe të hartojnë e zbatojnë për ta plan individual rehabilitues apo parandalues; të marrë miratimin me shkrim nga prindërit për nxënësit që u ofrohet këshillim psikologjik.
  2. Drejtoritë e shkollave: të venë në dispozicion të shërbimit psiko-social një mjedis të posaçëm për zhvillimin e punës normale me nxënësit, stafin e shkollës dhe prindërit; të ngrenë komisionin e etikës dhe sjelljes dhe komisionin e disiplinës në përputhje të plotë me Dispozitat Normative; të miratojnë rregulloren e funksionimit të komisionit të etikës dhe sjelljes; të dokumentojë informimin e prindërve për masat e përshkallëzuara për nxënësit; të hartojnë rregulloren e brendshme në përputhje të plotë me udhëzimin nr. 30, datë 02.08.2013, “Për rregulloren TIP të institucioneve arsimore”.
  3. Komisioni i etikës dhe sjelljes të hartojë rregulloren e funksionimit të tij si dhe të formulojë rregullisht me shkrim për drejtorin e shkollës, përgjithësime të shkeljeve të normave të etikës dhe të sjelljes në institucion, me qëllim marrjen e masave për t’i parandaluar ose pakësuar.

VI. Këshillime për arsimin parashkollor

  1. Kopshti të hartojë planin vjetor, në përputhje të plotë me nenin 67, të DN 2013.
  2. KES-i të hartojë rregulloren dhe të funksionojë në përputhje me nenin 50, të DN 2013.
  3. Mësueset e kopshtit (në lidhje me kurrikulën zbatuese), të hartojnë planet vjetore të grupeve, duke pasqyruar me saktësi objektivat e programit sipas linjave kurrikulare, konceptet, materialet/mjetet didaktike, projekt/produkt për çdo muaj, rezultatet e të nxënit sipas kompetencave kyçe, planifikimin vjetor të pasqyruar në periudha tre mujore dhe të unifikojnë planet ditore duke pasqyruar në to rubrikën e vlerësimit, vetëvlerësimit dhe të veprimtarisë në natyrë.
  4. Drejtoria e kopshtit të hartojë rregulloren e brendshme të kopshtit, në përputhje të plotë me udhëzimin nr. 30, datë 02.08.2013 “Për rregulloren Tip të institucioneve arsimore”.

VII. Këshillime për realizimin e procesit mësimor në lëndën e edukimit fizik

Mësuesit:

  • të planifikojnë rezultatet e të nxënit sipas kritereve të përcaktuara.
  • të planifikojnë rezultatet e të nxënit në mënyrë të tillë që të mundësojnë zhvillimin në proces të orës së mësimit.
  • të planifikojnë fazat e orës mësimore në përshtatje me temën e orës mësimore.

VIII. Këshillime për hartimin dhe zbatimin projekteve lëndore dhe ndërlëndore

 Mësuesit:

  • të specifikojnë rezultatet e të nxënit sipas kompetencave kyçe në planifikimin e projekteve;
  • të përcaktojnë saktë rezultatet e të nxënit sipas lëndës/fushës që arrihen nga projektet;
  • të detajojnë si do realizohet vlerësimi individual në rastet kur projekti është planifikuar si punë grupi;
  • të përshtatin formatin e planeve ditore për orët e projekteve me etapën/fazën specifike të zhvillimit të tyre.

IX. Këshillime për zhvillimin e praktikave profesionale për profesionin e rregulluar të mësuesit

  1.  Drejtoritë e shkollave të vendosin në planin e tyre të kontrollit edhe vëzhgimin e punës së mentorëve.
  2. Mësuesit mentorë të orientojnë dhe zhvillojnë punën e tyre në drejtim të përmirësimit cilësor të praktikantit, duke respektuar dhe zbatuar të gjitha kërkesat e rregullores përkatëse.
  3. Mësuesit mentorë të vijojnë me evidentimin e praktikave më të mira për portofolin e praktikantit për përmbushjen e kompetencave të parashikuara dhe planifikuara në planifikimet e tyre.
  4. Mësuesit mentorë gjatë vlerësimit të praktikantëve për orët e mësimit të vëzhguara, të përshkruajnë pika të forta dhe të dobëta të tyre, sipas shtojcës 2 “Formati i vëzhgimit”, të rregullores së praktikave profesionale për profesionin e rregulluar të mësuesit.


X. Këshillime për hartimin e Kartës së Perfomancës së Shkollës


  1. Drejtoria e shkollës të mundësojë vlerësimin edhe të treguesve që burojnë nga pyetësorët
  2. Shkollat janë këshilluar për informimin e grupeve të interesit mbi performancën e tyre mbështetur në të dhënat për vitin shkollor 2017-2018. 

(Kaltra Tafani; Portali Shkollor)

5,877 Lexime
4 vjet më parë