MASR

Reagon MASR pas publikimit të tezës së provimit të Gjuhë-Letërsisë: Do ndiqet penalisht çdokush që ka cenuar procesin 

MASR do të kallëzojë penalisht shtetasit që kanë fotografuar dhe publikuar testin e Maturës Shtetërore të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë në rrjetet sociale gjatë kohës kur provimi ishte ende duke u zhvilluar.

Teksa rreth 34 mijë maturantë në të gjithë vendin po i nënshtroheshin provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, në rrjetet sociale u publikuan foto të tezës së këtij provimi. 


Pavarësisht se rregullorja ua ndalon telefonat në klasë nxënësve dhe administratorëve gjatë provimit, varianti “A” i tezës së Gjuhë-Lutersisë u fotografua dhe u shpërnda në “Facebook” rreth gjysmë ore pas fillimit të provimit.


Në një reagim nëpërmjet një postimi në faqen e saj, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka deklaruar se ka ndjekur me shumë shqetësim rastin e sotëm të publikimit të pyetjeve pas fillimit të provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë të Maturës Shtetërore 2021. "Vëmë në dijeni opinionin publik se ky rast, apo çdo rast tjetër i ngjashëm me të, që orkestrohet qëllimisht nga individë të ngarkuar politikisht do të çohen para drejtësisë në mënyrë që të mos cënohet procesi i Maturës Shtetërore", ka deklaruar MASR. 


"Ndjejmë keqardhje që ata gjejnë mënyrën më të pahijshme për të injektuar panik të panevojshëm tek maturantët dhe tek prindërit e tyre, ndërsa duhet të ishin bashkëpunues për të mirën e arsimit. MASR do të kallëzojë penalisht shtetasin, i cili ka publikuar testin e Maturës Shtetërore të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë të datës 7.6.2021 në rrjetet sociale gjatë kohës kur provimi ishte ende duke u zhvilluar, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në procesin e Maturës Shtetërore të cilët kanë shkelur rregullat duke fotografuar dhe dërguar jashtë qendrave të provimit këtë test, gjatë kohës që ishte duke u zhvilluar", thuhet në njoftimin e MASR.  


Sipas Ministrisë së Arsimit publikimi i testit në rrjete sociale pasi provimi kishte filluar "NUK ka ndikuar në mbarëvajtjen e këtij provimi, teksa vlen të nënvizohet se i gjithë procesi është zhvilluar në zbatim të Rregullores së Maturës Shtetërore". 


"MASR dhe institucionet e saj të varësisë sigurojnë maturantët dhe prindërit e tyre se provimet janë zhvilluar dhe do të zhvillohen me të njëjtin përkushtim e vullnet për të realizuar një administrim të suksesshëm të këtij procesi", përmbyllet reagimi i MASR.



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.    

2,663 Lexime
5 muaj më parë