REFLEKTIME

Reflektime nga matura shtetërore 2019

Rezultatet e maturës shtetërore për vitin shkollor 2018 – 2019, sikurse dhe ato të viteve paraardhëse, në lëndët shoqërore, veçanërisht në gjuhë dhe letërsi, nuk i kanë përmbushur pritshmërisë e nxënësve...

Rezultatet e maturës shtetërore për vitin shkollor 2018 – 2019, sikurse dhe ato të viteve paraardhëse, në lëndët shoqërore, veçanërisht në gjuhë dhe letërsi, nuk i kanë përmbushur pritshmërisë e nxënësve, ku sigurisht më të prekur kanë qenë nxënësit me rezultate të larta gjatë viteve të shkollimit. Këtë e tregon numri i konsiderueshëm i maturantëve ankimues, të cilët iu drejtuan Qëndrës së Shërbimeve Arsimore. Kjo e fundit iu dha atyre mundësinë, bazuar në nenin 26, pika 9, të rregullores së Maturës Shtetërore 2019, që brenda tre ditësh nga shpallja e rezultateve të provimit përkatës, të kërkonin fotokopjen e testit dhe të fletë-përgjigjes, për të ankimuar rezultatet e vlerësimit.


Duhet theksuar se gjatë kësaj procedure nuk ndodh rivlerësimi dhe ndërrimi i notës së marrë nga maturanti, por vetëm kontakti me specialistët korrigjues për verifikimin e vlerësimit. Në këtë mënyrë, një pjesë e mirë e nxënësve të pakënaqur nga nota e marrë, u detyruan të tërhiqen nga kjo procedurë. Problemi që ngrihet është se: Përse rezultatet e testit të maturës, kryesisht në lëndët shoqërore, vitet e fundit, janë në rënie krahasuar me notën vjetore të nxënësve, që logjikisht është rezultat i punës së tre viteve të nxënësve dhe mësuesve?


Nëse do ta shikojmë çështjen e shtruar, nga ana e mësimdhënies, mund të evidentojmë se shumica e mësuesve janë të përgjegjshëm dhe korrekt në vlerësimin e nxënësve, duke u bazuar në përpjekjet dhe kapacitetin e të nxënit gjatë të gjithë procesit mësimor, si dhe në seriozitetin dhe vazhdimësinë e përgatitjes, sepse sigurisht nxënës i mirë nuk mund të bëhesh brenda një simestri apo një viti. Kuptohet që ka edhe raste të vlerësimeve jo të drejta nga mësues të veçantë, por kjo nuk mund të penalizojë pjesën më të madhe të asaj armate profesionistësh të devotshëm, që punojnë me ndërgjegje dhe nën trysninë e vazhdueshme të urdhëresave pafund që vijnë nga institucionet përkatëse arsimore. Një nga këto urdhëresa, që tentuan të “sistemojnë” procesin e vlerësimit, nga ana e MAS (2014), ishte ajo mbi “Kartën e Performancës së Shkollës”, që do të kishte si kriter vlerësimi vjetor të punës, notën mesatare të provimeve të maturës krahasuar me atë vjetore, që sigurisht nuk duhet të ishte në rënie. Kjo i vendosi mësuesit e lëndëve përkatëse përpara një përgjegjësie që nuk i takon vetëm atyre, sepse dihet që ky proces nuk ka qenë asnjëherë i menaxhuar plotësisht në të gjitha hallkat e tij.


Një hap përpara, megjithëse i pamjaftueshëm dhe i vonuar në kohë, ishte rritja e mesatares së pranimit të studentëve pranë fakulteteve të edukimit, të cilët përgatisin mësuesit e ardhshëm. Mësuesit mbeten figurat qendrore të arsimit, që jo vetëm pajisin me njohuri dhe dije, por janë modeli i vlerave nga të cilat mësojnë dhe udhëhiqen nxënësit çdo ditë. Nëse niveli i formimit dhe perfomancës së tyre nuk është në standartet e duhura, veçanërisht në lëndët shoqërore, rrezikohet ndjeshëm realizimi i funksioneve që duhet të luaj shkolla.


Të qëndrojmë tek lëndët shoqërore, që është dhe shqetësimi që ngre ky shkrim. Përgjithësisht, këto lëndë janë konsideruar si lëndë dytësore në krahasim me ato ekzakte ose natyrore. Është besuar se dija në këto lëndë mund të arrihet më shpejt dhe më lehtë dhe se vlerësimet në këtë fushë duhet të jenë më të larta krahasuar me shkencat ekzakte. Ky lloj paragjykimi është i hershëm, por ka ardhur koha të ndryshoj, sepse vetë rezultatet e maturës, edhe sivjet, e provojnë këtë fakt. Në këtë rast, harrohet se përveç rëndësisë që kanë lëndët shoqërore në formimin e gjithanshëm të nxënësve, ato kanë vështirësitë e tyre dhe kërkojnë një punë sistematike, që në ciklet më të hershme të shkollimit. Kjo vlen për të krijuar një bagazh të gjerë njohurish, të bazuara në leximin e vazhdueshëm, gjë që nuk mund të realizohet përmes disa seancave të konsultimit, siç ndodh rëndom, përpara provimeve. Nuk mund të kërkosh rezultate të larta në letërsi, filozofi, sociologji etj., nëse nxënësve iu mungon formimi i duhur për të menduar në mënyrë kritike, të bazuar në argumente bindëse, të zhvilluar përmes analizës së dukurive shoqërore, të deduksionit dhe nxjerrjes së konkluzioneve, si rezultat i kësaj analize.


Bindshëm vihet re se, sot, brezi i ri, nuk mendon në mënyrë të pavarur, por i ndikuar nga media, rrjetet sociale dhe shoqëria, duke humbur kështu origjinalitetin si qenie unike shoqërore. Shkencat sociale ndihmojnë në këtë aspekt, duke krijuar hapësira dhe horizonte të reja të mendimit dhe të formimit të ideve të reja. Ato të drejtojnë të formosh personalitetin tënd, vlerat dhe qëndrimet e bazuara në to, për të qenë i dobishëm për vete dhe për shoqërinë. Por, me keqardhje duhet të pranojmë se rëndësia e këtyre lëndëve është në rënie të vazhdueshme. Informacioni që nxënësit marrin përmes internetit dhe burimeve joformale dhe joserioze të informacionit, dëmtojnë cdo ditë formimin e tyre dhe iu humbasin interesin e përfshirjes me dëshirë në këto lëndë.


Këtu, duhet theksuar edhe ndikimi negativ që pati heqja nga programi i detyruar i lëndëve të filozofisë dhe sociologjisë për shumë vite me radhë, duke ulur ndjeshëm mënyrën e të arsyetuarit mbi veten dhe tjetrin, pikërisht në kohën e sotme, kur ka nevojë më shumë se kurrë për njerëz mendje hapur dhe të mirë-kuptueshëm.


Nëse secili duhet të mbaj përgjegjësinë e vet për këtë maturë shtetërore, atëherë le të arsyetojmë, përmes analizës së pyetjeve të mëposhtëm:

1-Sa ka studiuar nxënësi gjatë të tërë periudhës së shkollimit? A ka qenë i përgjegjshëm në të nxënit hap pas hapi, duke rritur nivelin e tij çdo vit e më shumë?

2- A janë programet e hartuara nga institucionet përkatëse arsimore të arritshme nga nxënësit dhe në përputhje me standardet e të nxënit, grupmoshën, interesat dhe kërkesat e kohës?

3- A është mësuesi në nivelin e duhur, si nga ana shkencore, ashtu dhe në aspektin didaktik?


Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë çelësi i zgjidhjes, ku gjithë secili i përfshirë në këto interesa, por jo vetëm, duhet të reflektojë. Përpjekjet duhet të bëhen nga të gjithë, duke filluar nga: programet për hartimin e tezave, që duhet të ndërtohen mbi kërkesat e reja dhe bashkëkohore të brezit të sotëm, të vlefshme si teorikisht edhe në praktikë; tezat e hartuara, të cilat duhet të jenë jo vetëm të sakta shkencërisht, por të thjeshta në të kuptuar, të qarta dhe të drejtpërdrejta dhe në përputhje me programin; mësuesit, që duhet të punojnë seriozisht me nxënësit maturantë, të të gjitha niveleve, duke i orientuar dhe konsultuar drejt, për ta kurorëzuar me sukses sfidën e provimeve.


Në fund, por jo më pak e rëndësishme, është të theksojmë se duhet t’i jepet fund eksperimentimeve me maturën shtetërore, të cilat nuk sjellin risi nga ana cilësore, por vetëm pasiguri dhe ndryshime të panevojshme, duke mos ndihmuar në realizimin e një procesi të përgjegjshëm dhe të mirë-organizuar. Si mund të pretendohet që nxënësit tanë të përballen me tregun europian të arsimimit dhe punësimit, nëse një pjesë e mirë e tyre ecin me mendësinë e kopjimit gjatë testit? Si do të vazhdojnë studimet jashtë vendit, në universitetet prestigjioze të Europës, Amerikës, Kanadas etj., që shpesh është edhe dëshira e prindërve, kur mungon interesi dhe vullneti për të studiuar? Mes këtyre problemeve, të rinjtë tanë po luhaten rreth vetes, plot pikëpyetje, pa gjetur rrugën e drejtë, që do t’i nxjerrë në bregun e dëshiruar…



(Burimi: Gazeta Dita)

2,652 Lexime
4 vjet më parë