Aktualitet

Reforma në kopshte/ Manastirliu: Gjobë 500 mijë - 1 mln lekë të reja dhe ndërprerje e menjëhershme e veprimtarisë nëse ka shkelje

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu në një komunikim për mediat u ndal tek reformat e ndërmarra në kopshte. Manastirliu u shpreh se në krye të listës së prioriteteve do të jetë edhe reforma e arsimit parashkollor dhe se do të referohen përgjegjësi të reja.

Pak ditë pas dhunës ndaj një vajze 3-vjeçare në një kopsht në Tiranë, i cili rezultonte i pa licencuar, ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, ka bërë publike një audit, duke theksuar se në kryeqytet rezultojnë 8 kopshte private pa licencë.


“Në rast të mosplotësimit të dokumentacionit dhe pajisjes me licencën përkatëse do të vijohet me masat që parashikon ligji, Gjobë në 500 mijë deri në 1 mln leke të reja dhe ndërprerje e menjëhershme e veprimtarisë. Paralelisht praktikat do t’u referohen organeve kompetente bazuar në legjislacionin në fuqi”, bëri me dije Manastirliu.


Gjithashtu theksoi se tashmë Task Forca ka vijuar kontrollet në institucionet e arsimit parashkollor.


“Nga kontrollet e këtyre ditëve janë inspektuar 90 kopshte jopublike dhe 67 prej tyre ushtrojnë veprimtari në përputhje me ligjin. 8 kopshte rezultojnë të mos kenë aplikuar për licencimin përkatës dhe dy prej tyre i është refuzuar licencimi”, tha Manastirliu, ndërsa bëri me dije se është publikuar në faqen zyrtare, lista e institucioneve parashkollore, kopshtet që janë të licencuara.


Bëhet me dije se Task Forca do të vijojë kontrolle në Tiranë, Durrës, Elbasan, por gjithashtu do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit. Kjo masë vjen pas rastit të rëndë të dhunimit të 3-vjeçares nga edukatorja në Tiranës, ngjarje që tronditi mbarë opinionin publik.


Deklarata e plotë e Ministres së Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu:

Siç jeni vënë në dijeni, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndjekur që nga momenti i parë denoncimin në emisionin “STOP”, ngjarjen e keqtrajtimit dhe dhunës ndaj vogëlushes 3-vjeçare, e cila na tronditi të gjithëve.

Kontrolli dhe inspektimet e ushtruara në mënyrë të menjëhershme në terren nga grupi i posaçëm shkelje nga kopshti në fjalë, të cilat sikurse ju jeni në dijeni, sollën pezullimin e menjëhershëm të aktivitetit dhe marrjen e masave ndëshkuese nga organet kompetente. 

Nuk janë dhe nuk do të jenë thjeshtë një ndërhyrje e izoluar dhe nuk mund të jenë asesi masa ad hoc.

Nuk jemi ndalur vetëm tek rasti që u bë publik dhe siç jeni njoftuar, MAS ka ngritur një Task- Forcë me grupet e punës së saj, nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, për verifikimin dhe kontrollin e ligjshmërisë për plotësimit e standardeve të kopshteve jo publike në të gjithë bashkitë në vend.

Nga kontrollet e këtyre ditëve, që në momentin e ngritjes së grupeve të Task Forcës, janë inspektuar 90 subjekte kopshte jo-publike apo me veprimtari arsim parashkollor për fëmijë të grupmoshës 3 – 6 vjeç. 

Është konstatuar se:

•      67 kopshte jo publike ushtrojnë veprimtarinë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe përmbushin kriteret e ligjshmërisë. 

•      8 subjekte jopublike (kopshte) rezultojnë të mos kenë aplikuar pranë MAS për licencimin përkatës dhe 2 subjekteve i është refuzuar licencimi, për të cilat inspektorët në DPAP po kryen verifikimet e nevojshme dhe në përfundim do të merren masat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.

•      13 subjekte jo-publike rezultojnë se e ushtrojnë veprimtarinë, me statusin e qendrave ditore apo komunitare për fëmijët. Pra këto struktura ofrojnë shërbime për fëmijët 3-6 vjeç bazuar në një kuadër tjetër rregullator dhe monitorohen nga struktura të tjera shtetërore sipas legjislacionit në fuqi. Pra nuk rezultojnë të pajisura me licencën për kopsht pasi ushtrojnë veprimtari në një tjetër fushë të legjislacionit.

Nisur nga problematikat e konstatuara deri sot, për hir të transparencës, dhe mbi të gjitha për të vendosur një bashkëpunim sa më të mirë dhe të fort me prindërit dhe palët e tjera të interesuara: 

Ministria e Arsimit dhe Sportit, ka publikuar në faqen e saj zyrtare, Listën e Institucioneve Parashkollore (pra kopshteve, që janë të licencuara nga MAS), listë e cila është në përditësim e sipër.

https://arsimi.gov.al/femijet/

Ju informojmë edhe një herë se subjektet që kërkojnë të ushtrojë veprimtarinë private me status të aktiviteti “Kopsht”, duhet të marrin masat për t'u pajisur me dokumentacionin ligjor për ushtrimin e kësaj veprimtarie, bazuar në kriteret dhe standardet e miratuara dhe të vëna në dispozicion nga QKB. 

  

Në rast të mos-plotësimit të dokumentacionit dhe pajisjes me licencën përkatëse, do të vijohet me masat administrative që parashikon ligji, gjobë në vlerën nga 500 mijë deri në 1 milion lekë të reja dhe ndërprerje e menjëhershme e veprimtarisë. Paralelisht praktikat do t’u referohen organeve kompetente bazuar në legjislacionin në fuqi.

Sa i përket subjekteve jo-publike që e ushtrojnë veprimtarinë, me statusin e qendrave ditore apo komunitare për fëmijët, bazuar në një kuadër tjetër rregullator (sikurse e shpjegova më sipër) dhe nuk rezultojnë të pajisura me licencat përkatëse, i ftojmë këto subjekte të saktësojnë menjëherë që nga emërtesa, në sinjalistikën e tyre identifikuese të vendosur në hyrje të strukturës së tyre, statusin e aktivitetit që përfaqësojnë. 

Në të kundërt këto subjekte do t’i referohen organeve kompetente për t’ju nënshtruar legjislacionit dhe sanksioneve në fuqi. 

MAS është e angazhuar plotësisht në monitorimin e zbatimit të standardeve të edukimit dhe arsimit në kopshte dhe shkolla publike dhe jo-publike.

Për të realizuar misionin tonë ne po bashkëpunojmë ngushtësisht me të gjitha Bashkitë, Inspektoratet e Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Inspektoratin e Shtetëror Shëndetësor, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, QKB dhe Policinë e Shtetit.

Jemi të vetëdijshëm, se nevojitet akoma më shumë bashkërendim i punës, në të gjitha nivelet qendor dhe lokal, për të garantuar shërbime cilësore dhe kujdes maksimal për fëmijët në institucionet e përkujdesit dhe ato edukimit.

Për këtë arsye, përmes një serie masash konkrete, do të fuqizojmë të gjitha hallkat e monitorimit dhe inspektimit, me tolerancë zero ndaj çdo forme të dhune, gjuhës së urrejtjes, apo çdo fenomeni që dëmton mirërritjen e fëmijëve.

Në krye të listës së prioriteteve të punës së Ministrisë së Arsimit, do të jetë REFORMA e ARSIMIT PARASHKOLLOR, e cila do të konsistojë në: 

  1. Rishikimin e plotë të paketës së akteve ligjore e nënligjore (pra do të referohen përgjegjësi të reja të ofruesve të shërbimeve në çerdhe dhe kopshte; procedurat e hapjes/mbylljes dhe standardeve të infrastrukturës dhe mirërritjes që duhet të plotësojnë institucionet e edukimit dhe arsimimit të fëmijëve të grupmoshës 0-6 vjeç);
  2. Standardet të reja të kujdesit, edukimit dhe arsimimit të fëmijëve deri në 6 vjeç, në institucionet e arsimit parashkollor, me fokus rishikimin e kurrikulës dhe mbështetjen edukatorëve/mësueseve në arsimin parashkollor.
  3. Forcimin e strukturës së inspektimit dhe instrumenteve të monitorimin dhe veprimtarisë së subjekteve ofrues të shërbimeve parashkollore. 
  4. Ngritjen dhe fuqizimin e mekanizmave të parandalimit dhe sinjalizimit të hershëm në arsimin parashkollor, kundër çdo forme dhune apo çdo fenomeni të dëmshëm që cenon shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve tanë.
  5. Një kornizë e re për Vlerësimin të Cilësisë në Arsimin Parashkollor me standardet e reja për punësimin dhe edukimin në vazhdim të edukatorëve në këtë sistem. 

Puna për këtë Reformë do të fillojë menjëherë dhe qytetarët do të mësojnë në çdo fazë masat që do ndërmerren me qëllim përmirësimin e cilësisë në shërbimet parashkollore.

Në fund, kam një thirrje për qytetarët, për prindërit: Fenomene negative, të dënueshme, të dhimbshme, si ai i ndodhur pak ditë më parë, janë tronditëse, por ato mund t’i luftojmë duke ndërvepruar dhe bashkëvepruar të gjithë bashkë si shoqëri, padyshim institucionet kanë përgjegjësinë kryesore dhe detyrimin për të vepruar, por gjithmonë bashkëpunimi i prindërve, i edukatorëve, i komunitetit është i domosdoshëm për tē rritur cilësinë e shërbimeve dhe për të garantuar sigurinë e fëmijëve.

MAS është e angazhuar tërësisht për të rritur cilësinë në sistemin arsimor duke punuar në çdo hallkë të sistemit nga ai parashkollor deri në atë parauniversitar dhe arsimit të lartë. 

Faleminderit !




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

830 Lexime
5 muaj më parë