Aktualitet

Rezarta Alla, drejtoresha e re e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar

Rezarta Alla është emëruar në krye të drejtorisë së Arsimit Parauniversitar. Ajo është prezantuar zyrtarisht në detyrën e re nga ministrja e Arsimit Evis Kushi e cila u shpreh se është besimplotë se Alla do ta drejtojë me profesionalizëm këtë drejtori.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka prezantuar zyrtarisht Drejtoreshën e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar. Bëhet fjalë për Rezarta Allën, e cila prej vitesh ka qenë drejtoreshë e gjimnazit “Ismail Qemali“ në Tiranë. Kushi shprehet se Alla do të sjellë frymë dhe energji të re.


Kushi shprehet se është besimplotë se Alla do ta drejtojë me profesionalizëm këtë drejtori ashtu si ka bërë prej vitesh me radhe me gjimnazin “Ismail Qemali“ në Tiranë.


“Prezantuam sot në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar znj. Rezarta Alla, e cila siç ka drejtuar prej disa vitesh me profesionalizëm dhe integritet Gjimnazin “Ismail Qemali“ në Tiranë, jam besimplotë që do të sjellë frymë dhe energji të reja për të vijuar me sukses zbatimin e politikave tona në të gjithë sistemin arsimor parauniversitar”, shkruan ministrja.

Më herët këtë detyrë e ka mbajtur Selman Hodaj i cili dha dorëheqjen më 21 Prill.


Po kush është Rezarta Alla?


Me një përvojë 30 vjeçare në fushën e arsimit Rezarta Alla, e ka nisur misionin e arsimtares si mësuese e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Dibër. Në vitin 1999 punoi si mësuese në shkollat 8-vjeçare “Musine Kokalari” në Tiranë dhe në shkollën e mesme të përgjithshme “Abdulla Keta”.


Në vitin 2008 ajo u bë pjesë e një prej gjimnazeve më të mira “Ismail Qemali”, ku deri në vitin 2017 punoi si mësuese Gjuhë-Letërsie. Në periudhën në vijim Znj. Alla mbajti rolin e drejtueses së gjimnazit “Ismail Qemali”. Znj. Alla, krahas Masterit Shkencor në “Gjuhësi” dhe Masterit Profesional në “Menaxhim Arsimi”, është vlerësuar me shumë certifikata që lidhen me fushën e arsimit, komunikimit dhe teknologjisë.


Nanila Allkja Biçaku 

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,758 Lexime
1 muaj më parë