Vendimi dhe zbatimi

Rritja e pagave të punonjësve të arsimit dhe udhëzime për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave

Sa është rritja reale e pagave për punonjësit e Arsimit Parauniversitar? Ja vendimi zyrtar i Këshillit të Ministrave dhe sqarime për punonjësit arsimor dhe në ndihmë të punonjësve të financës në zyrat arsimore. Përgatiti eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku.

Përgatiti Fiqiri Çifliku 


“Kurrë mos rri duke lypur, atë që ke mundësinë ta fitosh”- Miguel de Servantes.


Nga prilli i 2024, mësuesit prisnin rritjen e pagave që pritej të shkonte mesatarisht 950 euro. Vonoi pak por më në fund erdhi dhe i fillon efektet nga 1 korriku 2024. Pra shtesa e pagës do të merret me pagën që jepet në muajin gusht.


Kuptohet që interesi i punonjësve arsimor është i lartë dhe menjëherë filluan të bëjnë llogaritë me atë çfarë u tha nga ministrja ditën e miratimit të vendimit. Në rrjet qarkulluan shifra të ndryshme, interpretime të ndryshme dhe u krijua një situatë edhe pak gazmore në rrjetet sociale. Më në fund vendimi është botuar në fletoren zyrtare dhe këtu gjendet e vërteta e plotë. 


Sipas vendimit nr. 425, datë 16.6.202024 “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jomësimorë në institucionet arsimore dhe në institucionet plotësuese të sistemit arsimor parauniversitar, përcaktohet struktura e pagës për punonjësit e arsimit parauniversitar: 

Struktura me ndryshimet përbëhet nga

1) paga e grupit ose vlera e shtesës sipas grupit të diplomës për nivelin arsimor të kërkuar, e cila parashikon katër nivele përkatësisht

a. Diplomat e arsimit të mesëm të çdo niveli 8,000 lekë.

b. Bachelor (Niveli 6 i KSHK) është 10,000 lekë, 

c. Master Profesional ose të barasvlershme (Niveli 7 i KSHK) 12,000

d. Master i Shkencave ose Profesional me 120 kredite (Niveli 7 i KSHK)14,000 lekë 


2) shtesa për vjetërsi pune nga korriku nuk do të përllogaritet në masën 2% pas çdo viti pune, deri në 25 vitet. Shtesa e vjetërsisë në punë do të përllogaritet si një koeficient, mbi pagën e pozicionit në vlerë të diferencuar duke filluar nga korriku. për një kohëzgjatje prej 30 vite pune, e ndarë sipas tri fashave, në mënyrë kumulative, si më poshtë:

- 0.6% pas çdo viti pune, për 10 vitet e para (1–10 vite);

- 0.8% pas çdo viti pune, për 10 vitet e dyta (11–20 vite); 

- 1% pas çdo viti pune, për 10 vitet e treta (21–30 vite).


Për lehtësi mund të gjeni më poshtë tabelën e koeficienteve të vjetërsisë, për çdo vit pune dhe sqarime më të detajuara për mënyrën e llogaritjes së saj.


3) shtesa për kualifikim, e cila ka ndryshuar dhe jepet sipas shkallës së kualifikimit individual të përfituar dhe tashmë është rritur duke u llogaritet në përqindje mbi pagën e grupit sipas nivelit të diplomës; 

  • “Mësues specialist” (shkalla e III pas 5 vjet punë) 10%
  • “Mësues specialist” (shkalla e II pas 10 vjet punë) 20%
  • “Mësues mjeshtër” (shkalla e I pas 20 vite pune) 30%

Sipas shifrave më sipër kemi një rritje në vlerën monetare që shkon në 1 400lekë, 2 800 lekë apo 4 200 lekë në muaj, për secilën kategori.


4) shtesa e pozicionit, është e përcaktuar për çdo vend pune, sipas emërtesës përkatëse të pozicionit të punës p.sh., mësues, nëndrejtor apo drejtor dhe është e ndryshueshme në vlerë, në varësi të pozicionit të punës apo numrit të nxënësve në shkollë.


Më poshtë paraqesim llogaritjen e pagës neto së punonjësve të arsimit parauniversitar të emëruar në pozicione të ndryshme me vjetërsi të ndryshme, shkallë të ndryshme të kualifikimit, dhe me nivelin më të lartë arsimor, Master Shkencor. Theksojmë se tatimi mbi pagën apo sigurimet shoqërore shëndetësore nuk kanë ndryshuar.


Shtesa për vjetërsi në punë dhe mënyra e llogaritjes së saj, si element i rëndësishëm i pagës bruto, ndryshon tërësisht, krahasuar me VKM-në nr. 175/2017. Drejtuesit e institucionit arsimor në bashkëpunim me zyrat vendore duhet të përllogarisin dhe saktësojnë vitet e punës për çdo punonjës brenda muajit korrik për të bërë të mundur përllogaritjen e pagave në kohën e duhur.


Tabela më poshtë paraqet shifrat konkrete të koeficientit të përllogaritjes së vjetërsisë:


Vite 0 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10
% 0 0.6 1.2 1.8 2.4 3 3.6 4.2 4.8 5.4 6


Vite 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20
% 6.8 7.6 8.4 9.2 10 10.8 11.6 12.4 13.2 14


Vite 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30
% 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24


Formula më poshtë u vjen në ndihmë punonjësve të financës pranë zyrave vendore dhe mund të përdoret për përllogaritjen e re të vjetërsisë në punë:

=IF(G1<=10,G1*0.6%,IF(G1<=20,10*0.6%+(G1-10)*0.8%,IF(G1<=30,10*0.6%+10*0.8%+(G1-20)*1%,10*0.6%+10*0.8%+10*1%)))*I1

Secili nga punonjësit në sistemin arsimor parauniversitar mund të kryejë vetë përllogaritjet e rritjes reale të pagave në portofolin e tyre duke krahasuar pagën në tabelën më poshtë me atë që kanë përfituar deri tani.



Vendimi për rritjen e pagave të punonjësve arsimor 2024

Tabelat e përllogaritjes së rritjes së pagave për punonjësit arsimor 2024 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

8,331 Lexime
1 javë më parë