Arsimi në Kosovë

SBASHK: Mësimdhënësit shfrytëzojnë pushimin pa pagesë për të shkuar jashtë vendit

“Mësimdhënësit kanë filluar të marrin pushim pa pagesë për të shkuar në vendet perëndimore. Ata nëse gjejnë më mirë ata nuk kthehen më. Është një dukuri shqetësuese, sidomos gjeneratat e reja dhe ato të mesmet kanë filluar të largohen nga Kosova për një jetë më të mirë”, ka thënë Skënder Gashi nga SBASHK.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka dhen alarmin se largimi i mësimdhënësve jashtë vendit është shndërruar në fenomen. Mësimdhënësit po e shfrytëzojnë pushimin 1-vjeçar pa pagesë për të tentuar të gjejnë punë më të mirë jashtë vendit. Shfrytëzimi i pushimit pa pagesë për arsye që nuk lidhen me shëndetin ose me ngritjen akademike, nga njohësit e arsimit vlerësohet si keqpërdorim për të ruajtur vendin e punës.


Mësimdhënësit në arsimin parauniversitar kanë filluar të shfrytëzojnë pushimin njëvjeçar pa pagesë për të tentuar të gjejnë punë më të mirë në shtetet perëndimore. Kështu kanë thënë në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).


Skënder Gashi nga kjo sindikatë ka thënë se janë duke mbledhur të dhënat. Ai theksoi se largimi i mësimdhënësve jashtë vendit është shndërruar në fenomen.


“Mësimdhënësit kanë filluar të marrin pushim pa pagesë për të shkuar në vendet perëndimore. Ata nëse gjejnë më mirë ata nuk kthehen më. Është një dukuri shqetësuese, sepse edhe mësimdhënësit veçse kanë filluar, sidomos gjeneratat e reja dhe ato të mesmet kanë filluar të largohen nga Kosova për një jetë më të mirë”, ka thënë Gashi.


Ligji i Punës ua mundëson që të punësuarit të marrin një vit pushim pa pagesë dhe pas asaj periudhe të kthehen në vendin e punës. Kërkesa për pushim pa pagesë aprovohet nga drejtoritë komunale të arsimit, kur mësimdhënësit i nevojitet për çështje mjekësore apo për ngritje profesionale.


Dymbëdhjetë mësimdhënës kanë shfrytëzuar pushimin pa pagesë në komunën e Drenasit, bazuar në listën e pagave për muajin qershor në të cilin ka pasur qasje KOHA.


Të njëjtën e ka shfrytëzuar edhe një mësimdhënëse në shkollën profesionale “Fehmi Lladrovci”, për të cilën drejtori i shkollës dhe ai i arsimit dhanë arsye të ndryshme.


Drejtori i shkollës Lulzim Nika ka thënë për KOHËN se profesoresha është larguar për arsye familjare.


“Një profesorësh është e larguar për arsye familjare në Gjermani. Ne si institucion askujt nuk i japim pushim pa pagesë e as me pagesë, të gjitha këto shkojnë në kuadër të DKA-së”, ka thënë ai.

E drejtori i Arsimit, Muhamet Gjoka, ka thënë se profesoresha është larguar për arsye shëndetësore.


“Profesoresha në fjalë ka pasur një problem shëndetësor dhe ne dokumentacionin e klinikës ku ka pasur të trajtohet, kështu që këto raste zakonisht për ngritje profesionale dhe shëndetësore ne ju kemi lejuar në bazë të legjislacionit në fuqi që ju mundëson deri në një pushim pa pagesë”, ka thënë Gjoka.


Edhe në Komunën e Kaçanikut ka thënë se kërkesat për pushim pa pagesë kanë qenë të theksuar sivjet.


“Këtë vit shkollor në Komunën e Kaçanikut janë katër mësimdhënës në pushim pa pagesë. Tre prej tyre janë për shkaqe shëndetësore të tyre apo të familjarëve të ngushtë ndërsa njëri është liruar për ngritje profesionale. Dukuria e kërkimit të pushimit pa pagesë ka qenë mjaft e theksuar, por shumicën e kërkesave i kemi refuzuar”, ka thënë drejtori komunal i arsimit, Zahir Doda.


Në disa drejtori komunale të arsimit thanë të mos kenë vërejtur ndryshim në trendin e largimit të mësimdhënësve jashtë vendit përmes shfrytëzimit të pushimit pa pagesë. Në komunën e Prishtinës deklaruan se nuk kanë pasur mësimdhënës që kanë qenë në pushim pa pagesë. Edhe në komunën e Gjakovës nuk kanë vërejtur ndonjë trend të rritjes së kërkesave për pushim pa pagesë.


“Kam pyetur edhe në të kaluarën mos ka pasur numër më të vogël apo numër më të madh, është afërsisht i njëjti numër i cili sillet në 9 e në 10 të cilët kërkojnë pushime pa pagesë për një vit”, ka thënë Eranda Kumnova-Baçi, drejtoreshë e arsimit në Gjakovë.


Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, ka thënë se shfrytëzimi i pushimit pa pagesë për arsye që nuk lidhen me shëndetin dhe ngritjes së tyre akademike, është vlerësuar si keqshfrytëzim për të ruajtur vendin e punës.


“Ajo çka do të donim të shihnim është politika më të qëndrueshme që të promovojnë mësimdhënësit që të nxisin një përfshirje të aktiviteteve të mësimdhënësve në mësimnxënie, që profesionin e mësimdhënies nuk e kufizojnë vetëm në përfitime monetare”, ka thënë ai.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,578 Lexime
9 muaj më parë