Në klasë

Se si është kjo mësuesja....

.... E në fakt mësuesja është e paqëndrueshme, inkoherente. Po, sepse ka arsyet e saj. Ata kënaqen me peshoren e përjavshme të çakorduar. E dinë përse-në. Sa më shumë rrinë bashkë, aq më mirë e dinë ata.

Dialogë në mëngjes:

-Mësuese të shkoj pak në banjo?

-Aaa po ne tani sapo filluam...Mirë shko. Vrap! Joooo, jo mos vrapo!

..............

-Mësuese këtë nuk e kuptova unë...

-Eh, po nëse të pyes për celularin e kupton ti?...Këtu mendjen të tërë, se nuk e shpjegoj dy herë... Mirë, zemër, eja... eja, eja e bëjmë bashkë ushtrimin në tabelë, eja me mësuesen.

...................

-Çfarë ke? Përse qan?

-Dua mamin...

-Po tani je rritur, shiko sa vajzë e madhe je. Hajt të të përqafoj pak mësuesja. 

...........................

-Tani mbani shënim detyrat e shtëpisë. Dhe kujdes, mos e ngrini zërin se do ia shënoj emrin në tabelë atij që bën zhurmë.

-Po folëm pastaj me zë të ulët do të na e fshish emrin nga tabela?

-Jo, fare nuk jua fshij.

Pas gjysmë ore:

-Mësuese po ti i fshive emrat.

-Ahh, po...vërtetë.. po vetëm këtë herë ama.

E pra, mësuesit nuk janë gjithmonë koherentë në atë ç'ka thonë. Madje ndonjëherë shfaqen bipolarë në sjellje. Po s'ka asgjë për t'u shqetësuar. Çdo ditë secili syresh përpiqet të tregojë rrugën e duhur, madje edhe duke marrë masa nga ato që shpesh fëmijët i bëjnë për të qeshur. Kjo është rruga për të qenë i kuptueshëm nga nxënësit, pa i trembur ata.

Imagjinoni një skenë si kjo e përditshmja në një orë mësimi në klasën e tretë:

-Fëmijë kemi punë: do bëjmë ushtrime të vështira sot. Mbledhje e zbritje me numra trishifrorë.

Ata janë aty duke të vështruar. Ka edhe ndonjë që mezi pret të nisë ora e leximit, se matematikën nuk e ka qejf fare, por ama gjithsesi ul kokën e shkruan. Një nga një vihen në provë. Ngrihen në tabelë. Dikush edhe vuan, ndjen, por kjo është e pashmangshme, sepse kjo është shkolla: luajmë, kënaqemi, por edhe lodhemi.

Mësuesi i sheh një nga një: vështrime të ngatërruara...a ju duhet ndihmë? Numërojnë e shkruajnë, fshijnë e shkruajnë përsëri.

Pastaj vjen momenti në të cilin rezultati është ai i duhuri: mësuesja i kontrollon dhe buzëqeshja në fytyrën engjëllore thotë: "I kam bërë mirë".

Në bangën e tretë ata të dy po i fshijnë sepse kanë gabuar. ("E sheh që kisha unë të drejtë?" "E mirë, se edhe unë nuk isha i sigurt") e pastaj nisin të flasin secili i kishte bërë më mirë i pari...por mësuesit kjo gjë i shkon për shtat. Ndërkohë nxënësi në tabelë psherëtin i mbuluar me bulëza djerse:

-Hajt do të bëjmë përsëri bashkë, derisa të gjithë ta mësojnë shkëlqyer. Madje më shumë se shkëlqyer.

Në fakt pikërisht kjo fytyrë e dashur dhe qeshur, është ajo që i vë në vështirësi çdo ditë. Ata janë të vegjël. Stepen. Mësuesja atëherë e kupton: është duke peshuar fort mbi mendjet e njoma. Bën një hap prapa.

Peshorja e një mësuesi është gjithmonë e çakorduar nga pesha e ndjeshmërisë, nga nevoja për të qenë e barabartë me të gjithë.

Veçse kjo jashtë nuk shihet, por edhe nëse shihet, nuk kuptohet.

Ama fëmijët të kuptojnë shumë mirë. E dinë se ç'ka për këtë e ç'ka për atë tjetrin, njohin insinuatat e hareve dhe zhgënjimeve që masin secilin prej tyre. E dinë përsosmërisht që qëllimet e përmbushura duhen festuar. Siç dinë edhe që qortimet kanë një masë që varet nga ajo që jepet e merret. E dinë përsosmërisht që mësuesja e tyre është...se si është kjo mësuesja...

E në fakt mësuesja është e paqëndrueshme, inkoherente. Po, sepse ka arsyet e saj. Ata kënaqen me peshoren e përjavshme të çakorduar. E dinë përse-në. Sa më shumë rrinë bashkë, aq më mirë e dinë ata.  

(Natasha Shuteriqi Poroçani)

4,008 Lexime
7 vjet më parë