Ese

Sekreti i ëndrrave

Nata është sekreti i ëndrrave. Ka diçka magjike në të që na bën të ndihemi më mirë. Na bën të flemë e të qetësohemi, të qeshim, na ndihmon në zgjidhjen e problemeve e në të menduarit të kthjellët të gjërave

Qetësi. Në fakt, dëgjoj ende zhurmë. Në rrugë ka makina. Dëgjoj muzikën brenda tyre, dëgjoj dyert e tyre tek përplasen. Në rrugë ka edhe njerëz. Ata bisedojnë duke ecur, në shtëpitë e tyre në lokale. Bisedat kurrë s’kanë fund. Dëgjoj qentë kur lehin. Edhe ata kërkojnë diçka, por që s’mund ta kuptoj. Asnjëherë dhe në asnjë vend s’mund të jesh vetëm.

Errësirë. Jo. Lart në qiell është hëna, që ndryshon formë çdo ditë. Herë shëndoshet, herë bëhet e plotë si një rreth, por rikthehet sërish në fillim dhe e njëjta gjë, i njëjti ritual. Lart janë yjet. Yjet me ngjyrat e madhësitë e tyre, por që ne nuk mund t’i dallojmë që prej këtu. Rreth e rrotull, janë dritat në rrugë, dhe aty-këtu shoh ndonjë shtëpi që e ka dritën hapur. Edhe në vendet më të thella, ku mendon se përveç errësirës nuk ka asgjë tjetër, jo. Drita ekziston kudo.

Jam ulur në oborr e vazhdoj të mendoj. Sa herë që rrëzohemi, arrijmë të ngrihemi. Sa herë që gjendemi në çaste të vështira, na gjendet dikush pranë dhe na ndihmon. Por ka edhe raste kur mundohesh të harrosh e nuk mundesh. Sado të përpiqesh t’i harrosh padrejtësitë, intrigat, xhelozitë, mllefin që të ka rrethuar, prapë nuk mundesh. E gjithsesi, kur sheh hënën, yjet, kur sheh dritën e dëgjon zhurmën, dëgjon se nuk je vetëm, atëherë ke një fije shprese, se nesër do të jetë një ditë më e mirë se sa sot.

Ka kaluar mesnata dhe vazhdoj të qëndroj në oborr. Nuk guxoj të futem Brenda. Era që fryn e që më shpupurit flokët më fut të dridhurat, por brenda nuk futem. Më pelqen të rri “vetëm, në errësirën e natës”. Më mbush me një ndjenjë pozitive. Më krijon një emocion të veçantë. Më bën të jem në një vend plot ngjyra, me fytyra të qeshura. Me njerëz që vetëm dhurojnë e marrin dashuri. Ku çdo gjë është e bukur. Kur ndaloj së ëndërruari, e kuptoj se ai vend që të gjithë e ëndërrojmë, është thjesht në mendjen tonë. Qesh dhe them me vete: Nata është sekreti i ëndrrave. Ka diçka magjike në të që na bën të ndihemi më mirë. Na bën të flemë e të qetësohemi, të qeshim, na ndihmon në zgjidhjen e problemeve e në të menduarit të kthjellët të gjërave.” Hëna, yjet ,“e rrësira e të qënurit vetëm” më mbushin me gëzim. Do doja të qëndroja akoma me natën, aty në oborrin e shtëpisë me mendimet dhe ëndrrat e mia, por po më rëndojnë qepallat. Do shkoj të fle. Edhe ky një efekt i magjisë së natës.

(Nga Nina Ahmetaj, klasa 8, shkolla "Vasil Shanto")

7,006 Lexime
7 vjet më parë