Semi-matura në Kosovë, mes festimit dhe detyrimit për të zbatuar ligjin

Burhan Beqiri ngre shqetësimin për mënyrën si organizohen ceremonitë e semi-maturës në Kosovë,duke analizuar kuadrin ligjor dhe sfidat që lidhen me sigurinë e nxënësve. Ai apelon për respektimin e legjislacionit dhe zhvillimin e këtyre ceremonive në ambiente shkollore, me fokus edukimin mirëqenien e fëmijëve.

PËRFUNDIMI I KLASËS SË NËNTË TË SHKOLLIMIT TË OBLIGUESHËM DHE CEREMONIA E DORËZIMIT TË CERTIFIKATAVE/DIPLOMAVE


Ruajtja e karakterit edukativo-arsimor të kësaj ngjarjeje përmes zbatimit të legjislacionit


Përfundimi i shkollimit të obligueshëm- atij të mesëm të ulët, përbën një hap të rëndësishëm të nxënësve në rrugëtimin e tyre të dijes, të ndërtimit të shkathtësive dhe vlerave. Për ta shënuar këtë ngjarje, organizohen ceremoni të ndryshme, ndër to edhe ajo që njihet si Semi-matura (term të cilin, për dallim prej maturës, nuk e gjen në dokumente zyrtare).


Si manifestohet ky organizim?


Ndonëse jo e obligueshme, kjo ngjarje kryesisht organizohet në fillim të muajit qershor dhe më së shumti ndodh në restorante/hotele të cilat si pjesë të tyre kanë edhe salla të ahengjeve. Numrin më të madh të pjesëmarrësve e përbëjnë nxënësit e klasave të nënta (14,15 vjeçar), drejtuesit e shkollave si dhe një numër i vogël i mësimdhënësve. Pije, ushqim dhe argëtim.


Në anën tjetër, dukuritë e shumta negative që ndodhin gjatë kësaj ceremonie qarkullojnë si imazhe dhe video në rrjete sociale, e që këto dukuri në një formë apo tjetrën, e cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve. Në rregullore të shkollave, ndër veprimet e ndaluara të nxënësve janë edhe veshja ekstravagante dhe grimosja, njësoj siç janë edhe duhani, alkooli dhe çështja e narkotikëve.

Megjithëse kjo ceremoni organizohet për të vetmin qëllim-dorëzimin e dëftesave/certifikatave të përfundimit të shkollimit të mesëm të ulët, qëllimi i saj nuk realizohet, dëftesat nuk përfundojnë në duar të nxënësve. Kjo për faktin se vet ceremonia organizohet para mbajtjes së Testit të Arritshmërisë dhe duke u mbajtur në këtë kohë, e bën të pamundur vendosjen edhe pikëve të TA.


Aspekti ligjor


Përkundër që ceremonia do të duhej t’u përmbahej akteve nënligjore (Udhëzimeve administrative dhe rregullores së shkollës), deri më sot, kjo gjë nuk ka ndodhur. Shqyrtimi i kornizës ligjore në vijim është më rëndësi të analizohet pasi që ajo e adreson çështjen në fjalë.


Udhëzimi Administrativ 02/2016 për aktivitetet jashtëshkollore


Neni 3 Festimi i datave të veçanta, ngjarjeve, traditave, arritjeve në shkollë


Pika 3. Me rastin e përfundimit të vitit të fundit të nivelit 1 ose 2 (të klasës së 5-të respektivisht të klasës së 9-të), shkolla mund të organizojë një ceremoni për dorëzimin e certifikatave, respektivisht diplomave për nxënësit e këtyre klasave.

Pika 4. Ceremonia organizohet në lokalet e shkollës.

Pika 5. Nxënësit të cilët kanë mbaruar klasën e 9-të, me miratimin e Këshillit drejtues të shkollës, mund të organizojnë ceremoninë edhe jashtë shkolle me pëlqimin paraprak të prindërve dhe atë gjatë ditës, jo në mbrëmje.


Neni 14 Ndalesat


Pika 1. Ndalohet konsumimi i alkoolit dhe pijeve narkotike në të gjitha festimet …,

Pika 2. Ndalohet bartja e çfarëdo gjëje që mund të prishë rendin dhe qetësinë, rrezikojë shëndetin dhe jetën e pjesëmarrësve.

Rregullorja e punës dhe kodin i mirësjelljes me masat disiplinore në institucionet edukativo-arsimore.


Veprimet e ndaluara të nxënësve që paraqesin shkelje disiplinore


Neni 12

Pika 1.5 Veshjet ekstravagante dhe grimi i tepruar


Neni 18

Pika 1. Shkeljet e rënda të nxënësit

Pika 1.3 Përdorimi i alkoolit dhe substancave narkotike

Pika 1.8 Konsumimi i duhanit …


Udhëzimi administrativ 03/2016 Këshilli Drejtues i Shkollës


Neni 13 Këshilli drejtues në miratimin e aktiviteteve jashtëkurrikulare të shkollës


Pika 2. Këshilli drejtues i shkollës sigurohet se aktivitetet janë të dobishme nga aspekti edukativo-arsimor, se janë të padëmshme dhe të parrezikshme për të gjithë pjesëmarrësit e në veçanti për nxënësit.


Respektimi i kornizës ligjore dhe siguria e nxënësve


Shikuar nga këndvështrimi ligjor dhe bazuar në realitetin aktual të organizimit të kësaj ceremonie, ku dalin në pah mangësi të shumta dhe shkelje të akteve nënligjore, institucionet gjegjëse, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Drejtoritë Komunale të Arsimit, Shkollat, Inspektorati i Arsimit, TË GJITHË KËTA, DUHET TË VIHEN NË MBROJTJE TË FËMIJËVE, respektivisht TË SIGUROHEN QË LIGJI PO GJEN ZBATIMIN E DUHUR në raport me organizimet siç është edhe kjo e quajtur semi-maturë.


Ruajtja e epitetit të institucionit


Në një kohë kur dukuritë negative në institucionet edukativo-arsimore kanë marr hov të madh dhe kur menaxhimi dhe kontrollimi i tyre është bërë shumë i vështirë, ALTERNATIVA MË E MIRË DO TË ISHTE QË KJO NGJARJE TË ORGANIZOHEJ NË KUADËR TË ASAJ QË PËRFSHIHET NË PIKËN 3, RESPEKTIVISHT 4, TË NENIT 3 TË UDHËZIMIT ADMINISTRATIV 02/2016- CEREMONIA ORGANIZOHET NË LOKALET E SHKOLLËS. Edhe në këtë rast, duke i përfillur aktet nënligjore (udhëzimet administrative dhe rregulloret), ne sigurohemi që ceremonia e tillë e dorëzimit të dëftesave është e dobishme për nxënësit dhe se ata nuk ndihen të rrezikuar në asnjë rrethanë. Ky lloj organizimi kontribuon në RUAJTJEN E EPITETIT TË INSTITUCIONIT, E QË ËSHTË: INSTITUCION EDUKATIVO-ARSIMOR.


https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=15117

https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=15146

Kuvendi i Komunës së Klinës. (2016). Rregullorja e punës dhe kodi i mirësjelljes me masat disiplinore në institucionet edukativo-arsimore. Komuna e Klinës. 




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

106 Lexime
8 orë më parë