Vlerësimi përshkrues

Shënimet vlerësuese të mësuesit

Vlerësimi përshkrues në arsimin fillor është specifik dhe i bazuar në karakteristikat e zhvillimit moshor dhe psikologjik të fëmijëve 6-11 vjeç. Ky vlerësim bazohet në analizën e plotë dhe të kujdesshme të punimeve me shkrim...

Vlerësimi përshkrues në arsimin fillor është specifik dhe i bazuar në karakteristikat e zhvillimit moshor dhe psikologjik të fëmijëve 6-11 vjeç. Ky vlerësim bazohet në analizën e plotë dhe të kujdesshme të punimeve me shkrim, në përfshirjen dhe pjesëmarrjen e nxënësit në veprimtari të ndryshme që zhvillohen në shkollë. Nxënësi vlerësohet edhe për përgjigjet me gojë. Në këto përgjigje, nxënësi vlerësohet për mënyrën si shprehet, për qartësinë dhe saktësinë e prezantimit, për saktësinë e përgjigjeve ndaj pyetjeve që i bëhen, për nivelin e interpretimit dhe të arsyetimit, për besimin te vetja etj.


Siç e kemi përmendur edhe më lart, vlerësimi i nxënësit është një proces shumë i rëndësishëm, i cili ndikon në motivimin dhe nxitjen e tij për të përmirësuar performancën dhe rezultatet individuale. Mësuesi i arsimit fillor i zhvillon vetë të gjitha lëndët mësimore. Kjo është arsyeja që mësuesi i këtij cikli e njeh shumë mirë çdo nxënës të klasës në të gjitha aspektet: akademike, personale dhe sociale. Gjithashtu, kontaktet e mësuesit me prindërit ose pjesëtarët e tjerë të familjes janë të përditshme. Prezantimi i arritjeve dhe i dobësive ditore të nxënësve po ashtu.


Me zbatimin e kurrikulës së re ka ndryshuar edhe koncepti i vlerësimit të nxënësit. Në vëmendjen e mësuesit është përmbushja e rezultateve të të nxënit të çdo periudhe, të përkthyera këto në rezultate të nxëni sipas temave mësimore në çdo lëndë.


Mësuesi nuk bën më parashikime se cilët dhe sa nxënës do të ketë në vëmendjen e tij për t’i vlerësuar gjatë një ore apo dite mësimore. Ai i mban parasysh dhe i mban të përfshirë të gjithë nxënësit, i pyet, i aktivizon, i vëzhgon dhe i ndjek nga njëra orë në tjetrën dhe nga njëra ditë në tjetrën.


Mësuesi mban shënime vlerësuese në lidhje me ecurinë dhe përparimin e vijueshëm të nxënësit, në mënyrë që vlerësimet që merr nxënësi të jenë objektive dhe të sakta. Këto shënime mund të jenë shprehje vlerësuese, simbole, kode, nota etj., që kanë lidhje me performancën apo arritjet e nxënësit në një temë mësimi, koncept, aftësi apo rezultat të nxëni. Sugjerohet që mësuesi të përcaktojë një legjendë në të cilën shpjegon kuptimin e simboleve të vendosura.


Mësuesi e përcakton vetë formatin (evidencën) ku do t’i mbajë shënimet: në fleta formati A4, A3, në fletore etj.; nëse do t’i mbajë për secilin nxënës në mënyrë të veçantë apo për të gjithë klasën si në një regjistër. Gjithashtu, mësuesi e përshtat formatin në varësi të specifikave të lëndëve, por duke ruajtur pjesën përmbajtësore. Rubrikat që duhet të përfshihen në evidencë për secilën lëndë janë:

  • Emri/at dhe Mbiemri/at i/e nxënësit/ve të klasës
  • Datat për të bërë vlerësimin e nxënësve
  • Hapësirat e nevojshme për të vendosur shprehjen vlerësuese, simbolin, kodin ose notën.
  • Përcaktimi nëse nxënësi është vlerësuar për përgjigjen që ka dhënë me gojë, për një detyrë me shkrim, për një projekt, në një punim, në një test, diktim, përsëritje, për një bashkëpunim etj.

Për të bërë vlerësimin e arritjeve të nxënësit në fund të secilës periudhë të vitit, mësuesi bazohet në vlerësimet e bëra përgjatë tij, duke iu referuar performancës së plotë të nxënësit për përgjigjet me gojë, punët me shkrim, punimet individuale dhe projektet në grup. Nivelet e arritjes bazohen në rezultatet e të nxënit të kompetencave për secilën fushë të nxëni. Ato shprehin kritere të njësuara për vlerësimin e njohurive, të shkathtësive dhe të qëndrimeve të nxënësve sipas fushave përkatëse.


Këto nivele i ndihmojnë mësuesit të përcaktojnë nivelin e arritjes së kompetencave nga nxënësit, të vlerësojnë mundësitë e tij për t’u përmirësuar dhe për të përparuar.

Vlerësimi i nxënësve, i bazuar në nivele arritjesh, krijon besim në gjykimet e mësuesve, jep siguri te prindërit dhe të tjerët që të gjithë nxënësit i kanë arritjet e tyre në përputhje me pritshmëritë. Nivelet e arritjeve synojnë të matin se sa arritjet e nxënësi përputhen me arritjen e dëshiruar (e pritshme) prej tyre në një lëndë të caktuar të arsimit fillor. 

Në diagramin e mësipërm përcaktohen nivelet e arritjes së njohurive, aftësive dhe qëndrimeve që demonstron nxënësi, lidhja e secilit nivel me shkallët e vlerësimit të nxënësit në klasat I-III dhe me notat për klasat IV-V.


Në fund të çdo periudhe mësuesi dorëzon në drejtorinë e shkollës evidencën ose kopjen e saj. Në fund të vitit shkollor, evidenca/fletorja/ regjistri personal i bashkëngjitet regjistrit të shkollës dhe ruhet për një vi dhe është objekt monitorimi dhe inspektimi.


Materiali është shkëputur nga udhëzimet e IZHA


(Portali Shkollor)

15,716 Lexime
5 vjet më parë