Elbasan

"Shkolla që i mban dyert të hapura"

"Në fillim, kur sapo nisa punën në këtë shkollë, kisha maninë të kontrolloja gjithçka. Mbyllja me dry derën e oborrit të shkollës dhe nervozohesha po të gjeja një ule të thyer, apo një pllakë të lëvizur. Por me kalimin e kohës, pas ... "

Me drejtoreshën e shkollës "Evropa", zonjën Valbona Murxhini.


Për shkak të punës, më është dashur që shpeshherë të takojë mësues, drejtues shkollash, prindër dhe mes tyre kam  kuptuar që heronjtë  e vërtetë herë i fshehim vetë, e herë na fshihen aq modestë në rrapëllimën e ditëve të tyre. 


Për një arsye të tillë, sot me kolegë shkuam në shkollën "Evropa", në fshatin Katund i Ri të Elbasanit. Këto vizita të papritura, qofshin edhe miqësore, ka raste që na bezdisin. Se ndodh si në shtëpi, një rrugicë e shkelur, një filxhan i përdorur në lavaman, një pecetë e hedhur pa mendje, na bën që të shpërvjelim buzët kur mysafiri i paftuar në vjen në derë...

Por, në fakt sapo shkelëm në oborrin e shkollës, aroma e luleve na derdhi e para mirëseardhjen. Kishim dëgjuar shumë për stafin e mrekullueshëm të shkollës "Evropa", e kishim parë në mediet e ndryshme, por kur e shkel vetë, atëherë nis e beson që përtej zhurmës së përditshmërisë sonë përtej medaljeve që varen vend e pavend në kraharorë të shëmtuar, janë edhe disa njerëz, që si bletët punëtore, në hojet e tyre, derdhin nektarin e së ardhmes....


Drejtoresha e shkollës zonja Valbona Murxhini, na priti me një buzëqeshje që ia hijeshonte edhe më shumë fytyrën e ëmbël. Asnjë shenjë bezdie, asnjë shqetësim. Shkolla, si në duart e një amvise të mirë, shkëlqente e pastër dhe me dritë. Por arsyeja që për të cilën, vendosa të shkruaja për zonjën Murxhini, në të vërtetë shkonte përtej shkollës: ishte lidhja e saj e ngushtë me komunitetin. 


-Banorët e fshatit, e duan shumë shkollën, na thotë Valbona- Gjithçka është mbjellë nga fëmijët dhe prindërit. Sa herë kemi nevojë, komuniteti është këtu pranë nesh. 

Në të vërtetë, dora e prindërve ishte e dukshme. Oborri ishte i mbjellë me lule që garonin mes tyre me ngjyrat. Klasat të pastra dhe muret të stolisua me punët e fëmijëve. Edhe në riparimin e çatisë së shkollës, drejtoresha kërkonte ndihmën e komunitetit, i cili asnjëherë nuk ishte i kursyer. 


-Në fillim, kur sapo nisa punën në këtë shkollë, kisha maninë të kontrolloja gjithçka. Mbyllja me dry derën e oborrit të shkollës dhe nervozohesha po të gjeja një ule të thyer, apo një pllakë të lëvizur. Por me kalimin e kohës, pas këtyre shenjave të vogla, kuptova se banorët e fshatit, pasditeve gjenin mënyrën dhe sillnin fëmijët në oborrin e shkollës. Atëherë vendosa të lija hapur dyer e oborrit. 

Që atëherë, ata vijnë çdo pasdite dhe kalojnë kohë në oborr, luajnë fëmijët, shëtisin dhe, ajo që ka më shumë rëndësi, kujdesen vetë për shkollën, për lulet, për murin rrethues.  Jam kaq e qetë, sepse ata nuk lejojnë askënd të bëjë një dëm... 


Dhe si për tu thënë faleminderit, drejtoresha kishte organizuar festën e "Ditës së prindërve", duke qenë e para në qytetin e Elbasanit që ndërmerrte një nismë të tillë.

Ndërsa largoheshim nga shkolla "që mbante përherë dyert të hapura", disa banorë të zonës na përshëndetën:


-Nëse keni ardhur për kontroll, na thanë ata- dërgoni fjalë të mira për Valbonën, atje lart, sepse është goca jonë...- si për të na e pohuar edhe një herë për atë që ne e pamë me sytë tanë. 


Sigurisht, që vizitorë si ne, nuk kanë asnjëherë mundësinë "të dërgojnë fjalë atje lart", por, kemi kënaqësinë të ndajmë këtë përvojë mes mësuesve, për të pohuar edhe një herë se heronjtë i kemi pranë, vetëm se janë të fshehur mes punës së tyre.  

Në foto një prind duke rregulluar çatinë e shkollës.

Në foton poshtë grup nxënësish duke mbjellë lule.

(N.P.; Portali Shkollor)

4,751 Lexime
5 vjet më parë