Tropojë

Shpend Kuca: Krenar për brezat që kam edukuar

Drejtori i shkollës 9-vjeçare “Besëlidhja e Malësisë’ në qytetin Bajram Curri tregon për Portalin Shkollor përvojën e tij 46-vjeçare në arsim.

Shpend Kuca ka mbaruar studimet për Bio-Kimi në Shkodër në vitin 1970. Për 46 vite, një gjysëm shekulli pothuajse, ka punuar në arsim. Aktualisht është drejtor i shkollës 9-vjeçare “Besëlidhja e Malësisë" në qytetin “Bajram Curri”, e cila dallohet për stafin pedagogjik të kualifikuar, cilësinë e mësimdhënies dhe rezultatet e larta të nxënësve, meritë pa diskutim edhe e drejtorit të saj.


Duke hedhur vështrimin larg në kohë, në fillimet e punës suaj si mësues, këtu e dekada më parë, në ç’konkluzion do arrinit për profesionin e mësuesit?

Profesioni i mësuesit është më i nderuari. Mësuesi përgatit brezin e ardhshëm, përgatit të ardhmen e kombit. Ai është edhe më i nderuar se i mjekut, fjala vjen, se edhe mjekët i përgatit mësuesi në profesionin e tyre human. Mësuesi ka qënë dhe mbetet profesioni më i nderuar, si edukator i brezit të ri, i të ardhmes së kombit. Prindërit dhe nxënësit pak e nderojnë profesionin e çmuar të mësuesit, e cilësuar në kontekstin e interesimit për vijueshmërinë e mësimnxënies dhe mësimdhënies. Mësimdhënia dhe mësimnxënia nuk janë në nivelet e para viteve 90-të. Përvoja e këtyre viteve të tranzicionit ka vërtetuar se mësuesit në përgjithësi nuk kanë nivelin e duhur për të pregatitur nxënës kualitativ. Thashë më lart se shkojnë studentë në degën e mësuesisë me mesatare të dobët, kur nuk u dalin shkollat e tjera. Për matematikë, fizikë dhe kimi sot janë të pakta kërkesat për të vijuar studimet. Edhe ata që janë nuk kanë cilësinë e duhur. Sot nuk duhet ta braktisin mësuesit punën, pasi shteti me politikat e tij, herë pas here ka shtuar pagat. Edhe interesimi i prindërve është shtuar, duke konkluduar se shkolla është domosdoshmëri.


Mësuesit më të mirë dallohen, ata që kanë studiuar në shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” Shkodër, të cilët herë-herë ua kalojnë edhe mësuesve me shkollë të lartë të ciklit të ulët. Këta tashmë po dalin në pension nga viti në vit. Brezi i ri të bëhet i edukuar dhe i shkolluar, larg veseve te këqia, duhanit, drogës, vjedhjes, etj. Mësuesit të përgatiten, të studiojnë e të punojnë për të mësuar brezin e ri që po rritet në tranzicion me të gjitha njohuritë që janë sot. Një mësues shkencor i përgatitur dhe i edukuar përgatit nxënës për jetën. Mësuesi duhet të jetë shembull.


Gati një gjysëm shekulli keni punuar në arsim, kryesisht drejtues në shkolla të ndryshme të Tropojës. Si ndiheni tani në prag të pensionit, kur mendoni se do ta braktisni përgjithmonë mësimdhënien?

Unë kam 46 vite punë si mësues, në Bajram Curri në vitet 1970-1975, në vitet 1976 -1983 në Geghysen mësues e drejtor shkolle,1983- 1988 mësues në shkollën e mesme “Asim Vokshi" Bajram Curri e nëndrejtor konvikti,1988 -1994  mësues në shkollën 8-vjeçare Gri. Vitet e tjera deri para 3 vitesh kam punuar mësues në vendlindjen time në Shipshan. Aktualisht jam drejtor  në shkollën 9-vjeçare “Besëlidhja e Malësisë” Bajram Curri, pra një jetë e gjatë me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Ku kam punuar kam lënë emër dhe nga një kabinet biologjie e kimie.

Unë ndihem shumë krenar dhe i lumtur për punën që kam bërë. Ndihem krenar dhe i lumtur për brezat që kam nxjerrë e njohuritë shkencore që kam dhënë gjatë gjithë jetës. Ato njohuri kanë pasur vlerë për brezat e shumtë të nxënësve në të gjitha vendet e të shpërndarë sot kudo në Shqipëri e jashtë vendit. Kështu uroj edhe mësuesit e rinj të punojnë me përkushtimin tonë.


Po të ishe ministër arsimi si do ta nisje një ditë pune në zyrën tuaj?

Do t’ja nisja punës për të krijuar kushte sa më moderne në shkolla me klasa kabinet, me palestra, me kompjutera, me kabinete të gjuhës së huaj, etj. Do kërkoja më shumë fonde dhe kushte më të mira për mësuesit dhe nxënësit në të gjitha skaje te atdheut.


Një nga shtyllat kryesore të një kombi është arsimi. Si ndihet Shpend Kuca kur konstaton se një student që ka mbaruar gjuhë-letërsi dhe master në këtë fushë, shkruan me gabime ortografike të pafalshme?

Mësuesit që dalin sot, për mendimin tim, kanë një formim shkencor dhe metodik që le për të dëshiruar. Mësuesit të cilët studionin gjuhën e letërsinë ishin më të përgatiturit në lëndët shoqërore dhe me dhunti krijuese. Në vitet 80-të të shekullit të kaluar, të gjithë mësuesit në Shqipëri bënin diktim. Sot është hequr diktimi dhe hartimi. Janë bashkuar gjuha e leximi bashkë. Edhe shumë rëndësi nuk i vihet të mësuarit në shkollën e lartë. Ju e dini se gjuha është e vështirë. Masteri dhe shkolla tani po merret edhe pa shkuar fare. Atëherë si do shkruajë mirë ai, si do flasë në gjuhën letrare, kur vetë nuk i ka mësuar?! Si do t’u kërkojë llogari e do t’i mësojë nxënësit për të shkruar, kur vetë nuk di?! Sot ka libra për të lexuar, të cilët janë me shumicë, por kushtojnë dhe shkolla nuk ua garanton. Prandaj jam shumë i shqetësuar për këtë çështje të tjera të ngjashme.

Faleminderit për intervistën dhe suksese.

Faleminderit juve dhe Portalit Shkollor.

(Intervistoi: Gjon Neçaj, Portali Shkollor)

3,629 Lexime
7 vjet më parë