NJOFTIMI

Shtyhet mësimi në Durrës, Tiranë dhe Lezhë, në qarqet e tjera mësimi nis nesër

Ministrja e MASR, Besa Shahini ka thënë se nga nesër mësimi do të nisë në qarqet e paprekura nga tërmeti, ndërsa në Tiranë dhe Lezhë mësimi pritet të fillojë më 5 dhjetor dhe në Durrës më 9 dhjetor. Por mësuesit do të duhet të dalin në punë që nesër.

Ministrja e Arsimit Besa Shahini, gjatë një konference për shtyp ka folur për gjendjen e shkollave pas tërmetit të 26 nëntorit. 


Janë përafërsisht 50 shkolla të cilat kanë marrë dëmtime të ndryshme. Në Qarkun Durrës dhe Lezhë numri i shkollave që kërkojnë një kohë të caktuar për meremetim, është 26. Ndërsa në Qarkun Tiranë shkollat që kanë patur dëmtime mesatare, jo të thella, janë 23 shkolla. 


Përsa i përket rifillimit të mësimit Ministrja e Shahini u shpreh se, në qarkun e Durrësi mësimi do të shtyhet deri më datë 9, në qarqet e Tiranës e Lezhës me datë 5 dhjetor, ndërsa në të gjitha qarqet e tjera mësimi nis nesër. 


“Informacionin e mbledhur nga drejtorët e shkollave e kemi shpërndarë tek bashkitë dhe janë bërë verifikimet në terren në një pjesë të madhe të shkollave. Ka një numër të konsiderueshëm me dëmtime të thella, ose kanë nevojë për riparime. Në qarkun Durrës e Lezhë janë edhe dëmtimet më të rënda, numërohen diku 26. Në Tiranë është mbyllur shkolla në Pezë, por në këtë qark kanë nevojë riparime 23 shkolla. Nxënësit që do të rrijnë në hotele do ta ndryshojnë shkollën. Kemi bërë edhe planin e punës për mësuesit, marrë parasysh gjendjen e shkollave dhe banesat e prekura. Në Durrës, Krujë dhe Shijak mësimi është pezulluar deri më 9 dhjetor. Në qarkun Lezhë dhe Tiranë, mësimi do të jetë i pezulluar deri më 5 dhjetor. Por mund të shtyhet edhe për disa ditë të tjera. Nëse do të shtyhet sërish data, do të njoftoj sërish unë një ditë para. Në të gjithë qarqet e tjera, mësimi fillon nesër si normalisht. Njoftimi vlen edhe për shkollat private”- u shpreh Besa Shahini. 


Por, ministrja shtoi se mësuesit do të duhet të dalin në punë që nesër, për të krijuar një ambient të ngrohtë për rikthimin e nxënësve në shkollë.


“Arsyeja pse mësuesit duhet të dalin në punë prej nesër, është të fillojmë përgatitjen e shkollave për rifillimin e mësimit. Na duhet të krijojmë një ambient të sigurt. Jo vetëm fizikisht të sigurt, sepse mësuesi nuk e bën këtë, janë inxhinierët e ndërtimit dhe zyrat që merren me rikonstruksion në bashkitë. Por ta bëjmë një ambient të ngrohtë dhe mikpritës për nxënësit. Ajo që na thonë ekspertët është se fuqia e pas-tërmeteve po vjen në rënie. Kështu që unë nuk e besoj se në ditët në vijim duhet të bëjmë një evakuim të nxënësve. Por nëse është e nevojshme duhet ta kemi një plan pune për këtë. Nuk na pengon asgjë që të marrim disa masa parandaluese që na ndihmojnë në përgatitjen e fillimit të mësimit”- ka thënë Ministrja Shahini. 


Mësimi është pezulluar që prej ditës së 26 nëntorit, kur edhe ra tërmeti 7 ballësh, i cili shkaktoi 51 persona të vdekur, 913 të plagosur.



(Portali Shkollor)

2,757 Lexime
4 vjet më parë