Pranimet në universitete

Shtyhet në fund të korrikut aplikimi për në universitete

Afati i aplikimit në universitet u shty për në fund të muajit korrik, për shkak të disa problemeve teknike që kanë ardhur nga sekretimi i provimeve të maturës. Në disa raste nuk është përputhur kodi me emrin e maturantit.

Afati i aplikimit në universitete u shty për në fund të muajit korrik, një draft-udhëzimi është dërguar për diskutim në institucionet e arsimit të lartë dhe më pas të miratohet, ndërsa kuotat e miratuara nga universitet për pranimin e maturantëve janë përfundimtare. Lajmi u bë i ditur nga zëvendësministrja e arsimit NoraMalaj

Afati i aplikimit në universitet u shty për në fund të muajit korrik, për shkak të disa problemeve teknike që kanë ardhur nga sekretimi i provimeve të maturës. Në disa raste nuk është përputhur kodi me emrin e maturantit. Një tjetër pikë që ka shkaktuar vonesën është hedhja në sistem e të dhënave dhe të maturantëve të shkollave profesionale. Në shkollat e mesme vijohet të hidhen në sistem të dhënat e maturantëve, përgjatë tri viteve. Afati i fundit në rregullore të Maturës Shtetërore është përcaktuar data 15 korrik, por ky afat është shkelur.

Aplikimi për të fituar të drejtën e studimit në një nga programet që ofrohen nga 34 institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat, do të fillojë në fund të muajit korrik. Për herë të parë pjesë e aplikimit veç 12 universitete publike do të bëhen edhe 22 universitete private. Maturantët do të aplikojnë nëpërmjet formularit të aplikimit, ku do të kenë të drejtën të regjistrohen në 10 programe studimi. Ndryshe nga formulari 2, ku kishte shumë rëndësi renditja e preferencave, në këtë formular renditja e 10 degëve që preferon kandidati nuk ka rëndësi.

Nëse maturanti aplikues e ka mesataren e futur në sistem nga sekretaritë mësimore të shkollave të mesme më të vogël se 6.0, atëherë ai mund të përzgjedhë vetëm programet e studimit dyvjeçar (profesionale) që ofrohen nga disa universitete shtetërore dhe private, në bazë të vendimit të qeverisë.

Pas aplikimit në portal, AKP u përcjell universiteteve numrin dhe gjithë të dhënat e aplikuesve për secilën degë. Ajo çfarë bëjnë universitetet në këtë moment është publikimi i listës së aplikantëve. Një vijë e kuqe përcakton fituesit e fazës së parë të cilët do të kenë 7 ditë kohë të bëjnë regjistrimin me dokumentacion në universitet.

1,767 Lexime
7 vjet më parë