Propozimet

Sindikatat e arsimit i drejtohen MASR: Të ruhen vendet e punës të mësuesve që janë në sistem

Më poshtë gjenden propozimet që SPASH dhe FSASH i kanë dërguar Ministres së Arsimit Evis Kushi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Arsimit Parauniversitar Selman Hodaj, për ruajtjen e vendeve të punës të mësuesve që janë në sistem, propozime që ndikojnë edhe në rritjen e cilësisë së mësimdhënies.

Lënda: Disa mendime të partnerëve socialë për ruajtjen e vendeve të punës të mësuesve në sistem                      dhe rritjes së cilësisë në arsim.


Drejtuar: Ministres se MASR, Znj. Evis Kushi.


E nderuar znj. Ministre,

Ne dy sindikatat e arsimit,SPASH e FSASH, të vetmet partnere sociale me MASR sipas nenit 1 pika 18 e ligjit 69/2012 dhe anëtare të Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar,duke vlerësuar situatën, propozimet e mësuesve dhe disa drejtuesve të institucioneve arsimore për ruajtjen e vendeve të punës të të gjithë mësuesve që janë në sistem, në kushtet e rënies së vazhdueshme të numrit të nxënësve dhe rritjen e cilësisë në arsim, propozojmë:


1. Numri i nxënësve në klasa të mos jetë më shumë se 25 nxënës.


2. Norma mësimore javore e mësuesve të çfarëdo profili të mos jetë me shumë se 20 orë ne javë.


3. Në shkollat me klasa kolektive ,lëndët e provimit të zhvillohen me klasa të ndara.


4. Mësuesit që drejtojnë komisionet lëndore në shkolla, të punojnë edhe me nxënësit e talentuar dhe t’u zbritet norma mësimore me dy orë në javë.


5. Mësuesve që janë në 5 vitet e fundit të punës, t’u reduktohet norma mësimore javore, 5 orë për ata që janë në vitin e fundit të punës; 4 orë për ata që kanë edhe dy vite punë; 3 orë për ata që u kanë mbetur edhe tre vite punë dhe 2 orë për ata që u kanë mbetur edhe katër vite punë dhe një orë për mësuesit që duan edhe pesë vite punë për të dalë në pension, ose tu ulet norma mësimore me dy orë të gjithë mësuesve që kanë hyrë në pesë vitet e fundit, me tendencë për ta ulur nga një orë çdo vit deri sa pas tre viteve të shkojë në -5 orë.


6. Norma mësimore e mësuesve të arsimit fillor të jetë 20 orë në javë duke i llogaritur edhe klasën kujdestari. (Lëndët Dituri Natyre,Histori etj.,të jepen nga mësuesit e arsimit të mesëm të ulët).


7. Mësuesit që drejton aktivitetet sportive në shkollë, t’i reduktohet ngarkesa mësimore me dy orë në javë. (Ashtu siç e kanë mësuesit që drejtojnë aktivitetet kulturore e artistike).


8. Edhe në institucionet arsimore që kanë më pak se 200 nxënës, mësuesve të ngarkuar me bibliotekën, t’u reduktohet norma mësimore me 1 orë në javë.


9. Në shkollat ku numri i nxënësve braktisës dhe atyre në rrezik braktisje (që frekuentojnë me hope) është shumë i lartë, dhe mbi 50% e nxënësve janë të komunitetit romë dhe egjiptianë (nxënësit e të cilëve përgjithësisht nuk kryejnë arsimin parashkollor) në klasat ku numri i nxënësve të komunitetit romë dhe egjiptianë është mbi 50%, numri i nxënësve në klasë të jetë jo më pak se 15 dhe jo më shumë se 20, dhe norma e mësuesve që punojnë me këta nxënës të jetë 15 orë në javë.



Po ju a keni ndonjë propozim shtesë?  




©Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

9,583 Lexime
2 vjet më parë