UST

Sportet, analizat mjekësore që duhet të bëjnë kandidatët

Kryerja e analizave është e detyrueshme për të gjithë ata maturantë/kandidatë që dëshirojnë të garojnë për të studiuar në Universitetin e Sporteve të Tiranës

Universiteti i Sporteve Tiranë (UST) ka publikuar kartelën mjekësore, ku përfshihen analizat që duhet të bëjnë kandidatët para se të hyjnë në konkursin e pranimit. Kryerja e analizave është detyrim për të gjithë ata kandidatë të cilët dëshirojnë të garojnë për të hyrë në këtë universitet. Maturantët të cilët dëshirojnë të studiojnë në Universitetin e Sporteve Tiranë, në formularin e aplikimit, i cili është duke u plotësuar dhe do vijojë deri në datën 11 gusht 2016, duhet të zgjedhin programet e studimit që ofron ky universitet, pasi në të kundërt nuk do të kenë të drejtën të hyjnë në konkurs.

Në datën 16 gusht 2016 do të shpallen në ambientet e Universitetit të Sporteve të Tiranës dhe në faqen zyrtare lista e konkurentëve e cila vjen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Regjistrimet e kandidatëve për konkurset e pranimit në të 2 fakultetet e Universitetit të Sporteve të Tiranës (Bachelor Full -Time 2016-2017) do të bëhen në Degën e Informacionit Studentor dhe Regjistrimeve, UST. Veprimet do të kryhen nga data 16 gusht 2016 deri në datën 19 gusht 2016.

Konkursi këtë vit pritet të zhvillohet në periudhën 20-30 gusht. Ndër të tjera UST-ja lajmëron se lista me emrat e aplikantëve do t’u vijë nga Ministria e Arsimit brenda datës16 gusht. Më pas këta kandidatë do të kenë mundësi regjistrimi për konkurs deri në datën 19 gusht.

Dokumentet që duhet plotësojnë kandidatët janë:

  • Fotokopje e dokumentit të identifikimit (pasaportë biometrike ose letërnjoftim - kartë identiteti)
  • Foto dokumenti 4x6 copë 2(dy)
  • Formulari i kartelës mjekësore i plotësuar me firmë dhe vulë tek mjekët përkatës. Komisioni Mjeko-ligjor me tre firma dhe vula (bashkëngjitur këtij formulari edhe EKG e zemrës).
  • Mandat pagesa e paguar në çdo bankë të nivelit të dytë.

Universitetii Sporteve të Tiranës ka në total 313 kuota pranimi për këtë vit akademik. Prej të cilave Fakulteti i Shkencave të Lëvizjes në programin e studimit Shkencat e Lëvizjes ka 156, për maturantët brenda territorit janë 150 kuota, të tjerat janë për shqiptarët jashtë trojeve. Ndërsa në Fakultetin e Veprimtarisë Fizike dhe Rekreacionit, në programin e studimit Fushat e Veprimtarisë Fizike, të Shëndetit dhe të Rekreacionit në total janë 157 kuota, për maturantët brenda territorit të vendit janë 150 kuota.

2,479 Lexime
7 vjet më parë