Arsimi Fillor

Standardet profesionale të formimit të mësuesit

Standardet profesionale të formimit të përgjithshëm të mësuesit janë zbërthyer në tregues, të cilët e ndihmojnë mësuesin dhe të tjerët që të përcaktojnë nëse është përmbushur dhe në ç’shkallë është përmbushur një standard i caktuar.

Standardet profesionale të formimit të përgjithshëm të mësuesit të arsimit fillor

Standardet profesionale të formimit të përgjithshëm të mësuesit janë hartuar duke u bazuar në dokumente rekomanduese hartuar nga Komisioni Evropian. Këto standarde janë zbërthyer në tregues, të cilët e ndihmojnë mësuesin dhe të tjerët që të përcaktojnë nëse është përmbushur dhe në ç’shkallë është përmbushur një standard i caktuar.


Standardet nuk mund të jenë të ndara prerazi nga njëri-tjetri, përkundrazi janë të ndërlidhura dhe duhen menduar si një e tërë, ku secili standard, bashkë me treguesit e tij, vështron një aspekt të rëndësishëm të mësuesit cilësor.


Standardet e mësuesit të ciklit fillor përshkruajnë karakteristikat themelore të një mësuesi cilësor në mënyrë të përmbledhur, të qartë dhe e bëjnë dokumentin lehtësisht të përdorshëm. Ato vijnë si rezultat i kërkimeve dhe i përvojave më të fundit në fushën e zhvillimit profesional që kanë ndodhur në Shqipëri dhe në arenën ndërkombëtare.


Standardet mbrojnë personalitetin e mësuesit cilësor dhe ndikojnë ndjeshëm në rritjen e përkushtimit të tij për profesionin që ushtron. Mësuesi, duke u mbështetur te standardet, mund të bëjë vetë një vlerësim të profesionalizmit të tij për të konfirmuar nivelin ku ndodhet, përmirësimet që duhet të bëjë dhe të hartojë planin e zhvillimit profesional.

Janw 7 standarde të cilat lidhen me angazhimin, interesin dhe përfshirjen e mësuesit në veprimtari trajnuese dhe kualifikuese; me zotërimin e përmbajtjes shkencore të lëndëve të ciklit fillor; me krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës ku secili ndihet i mirëpritur dhe i mirëseardhur; me krijimin e një klime pozitive dhe me përdorimin e teknikave të disiplinimit pozitiv ku fëmijët pranojnë dhe respektojnë njëri-tjetrin; me interesimin e mësuesit për t’u përditësuar me metodologjitë ndërvepruese të mësimdhënies me qëllim zbatimin cilësor të kërkesave të reja kurrikulare; me përdorimin e metodave të larmishme të vlerësimit të të nxënit e nxënësve, si dhe me krijimin e një atmosfere bashkëpunuese dhe efektive në shkollë ndërmjet drejtuesve, stafit pedagogjik, prindërve dhe përfaqësuesve të komunitetit.

Për secilën standard është bërë një përshkrim i shkurtër i përmbajtjes dhe më tej janë dhënë treguesit specifikë të përmbushjes së tij.


Standardi 1. Angazhimi i mësuesit në zhvillimin e tij profesional

Standardi 2. Zotërimi i përmbajtjes së dokumentacionit kurrikular

Standardi 3. Krijimi i një mjedisi gjithëpërfshirës

Standardi 4. Pranimi dhe respektimi i diversitetit

Standardi 5. Përditësimi i metodologjive të mësimdhënies

Standardi 6. Njohja dhe zbatimi i metodave të vlerësimit

Standardi 7. Zbatimi i kodit të etikës


Standardet profesionale të mësuesit të ciklit fillor

Standardi 1. Angazhimi i mësuesit në zhvillimin e tij profesional  

Përshkrimi i standardit

Mësuesi i ciklit fillor interesohet dhe merr pjesë në veprimtari që janë të lidhura me aspekte të ndryshme të zhvillimit profesional. Këto veprimtari mund të jenë të iniciuara nga vetë ai, të kërkuara nga institucioni shkollor ose të diktuara nga nevoja për trajnim dhe kualifikim të vazhdueshëm.


Angazhimi i mësuesit në zhvillimin e tij profesional ka lidhje me njohjen dhe respektimin me përgjegjshmëri të kërkesave të Legjislacionit arsimor dhe dokumentacionit shkollor.

Treguesit që lidhen me demonstrimin e standardit

Mësuesi:

  • zotëron ligjin “ Për sistemin arsimor parauniversitar” dhe dispozitat normative të këtij sistemi;
  • zbaton rregulloret dhe udhëzimet për zhvillimin profesional të mësuesit;
  • zbaton legjislacionin, udhëzimet dhe rregulloret për hartimin dhe zbatimin e kurrikulës shkollore, për personelin e shkollës dhe për përmirësimin e procesit të mësimdhënie-nxënies;
  • zbaton etikën profesionale të mësuesit;
  • respekton të drejtat dhe liritë e nxënësit;
  • respekton detyrat, të drejtat dhe liritë e mësuesit;
  • demonstron përkushtim dhe dëshirë për të nxënit gjatë gjithë jetës;
  • harton një plan të qartë afatgjatë për zhvillimin e vet profesional;
  • diskuton me të tjerët dhe ndan mendime për çështje të ndryshme profesionale;
  • kërkon e shfrytëzon literaturë profesionale, si dhe burime të shumta informacioni, duke siguruar një plan zhvillimi profesional për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe të të nxënit;
  • shkëmben dhe ndan përvoja me kolegë dhe reflekton ndaj ideve të reja;
  • respekton konfidencialitetin dhe zbaton standarde të larta etike, ligjore që kanë në qendër fëmijën dhe familjen e tij, duke siguruar një kulturë bashkëpunuese dhe klimë pozitive brenda dhe jashtë mjedisit fizik të shkollës;
  • ndihmon një mësues të ri për zgjidhjen dhe kapërcimin e vështirësive të ndryshme profesionale;
  • zgjedh dhe merr pjesë në atë veprimtari profesionale që lidhet me profesionin e mësuesisë;
  • dëshmon përmirësim në arritjet profesionale.  


Standardi 2. Zotërimi i përmbajtjes së dokumentacionit kurrikular

Përshkrimi i standardit

Mësuesi i ciklit fillor zotëron përmbajtjen e paketës kurrikulare në të cilën përfshihen: korniza kurrikulare, kurrikula bërthamë dhe programet lëndore nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Në bashkëpunim me nxënësit, mësuesi përmbush rezultatet e të nxënit të kompetencave kyçe dhe të kompetencave të fushave të të nxënit. Në përgjithësi, mësuesi i ciklit fillor i jep të gjitha lëndët, me përjashtim të gjuhës së huaj. Si rrjedhojë, ai vlerësohet nëse jep mendimet dhe sugjerimet e duhura për përmirësimin e dokumentacionit kurrikular.

Treguesit që lidhen me demonstrimin e standardit

Mësuesi:

  • qëndron i mirinformuar për të rejat e reformës kurrikulare, pjesë e së cilës është edhe arsimi fillor;
  • zotëron konceptet bazë, ligjësitë shkencore dhe i zbaton me saktësi gjatë mësimdhënies, në përshtatje me specifikat e moshës së nxënësve dhe të klasës ku jep mësim;
  • analizon si përshkallëzohen njohuritë, shkathtësitë, vlerat dhe qëndrimet e programeve lëndore nga njëra klasë në tjetrën;
  • përdor me efikasitet, në dobi të prirjeve bashkëkohore, fleksibilitetit të zbatimit të programeve lëndore dhe të integrimit ndërlëndor;
  • përdor materiale plotësuese kurrikulare që ndihmojnë në përvetësimin e koncepteve dhe aftësive të parashikuara në program;
  • përcakton rezultatet e duhura të të nxënit për tema mësimore ose grup temash, kapitujsh, në përputhje me objektivat (shkathtësitë) e programit;
  • shpjegon lidhjen program-tekst-plan mësimor vjetor dhe tremujor;
  • planifikon projekte kurrikulare dhe module mësimore;
  • përzgjedh mjetet e nevojshme mësimore për të realizuar përmbushjen e kërkesave të programeve lëndore;
  • ndihmon nxënësit në ndërtimin e njohurive, nëpërmjet organizimit të situatave të të nxënit dhe veprimtarive praktike në të gjitha lëndët e ciklit fillor;
  • diskuton me kolegët dhe specialistë lëndorë për çështje të ndryshme kurrikulare;
  • përdor larmi metodash, teknikash e strategjish duke ia përshtatur natyrës dhe specifikave të lëndëve të ndryshme të ciklit fillor;
  • përfshin nxënësit në veprimtari që kanë rezultate të dukshme të nxëni;
  • njeh dhe përdor mjete teknologjike për zhvillimin e rrugëve të përshtatshme që lehtësojnë zotërimin e koncepteve lëndore.

Gjuhët dhe komunikimi

Përmbush rezultatet e të nxënit të kompetencave të fushës “Gjuhët dhe komunikimi”:

  • të dëgjuarit e teksteve të ndryshme;
  • të folurit për të komunikuar dhe për të mësuar;
  • të lexuarit e teksteve të ndryshme;
  • të shkruarit për qëllime personale dhe funksionale;
  • përdorimi i drejtë i gjuhës.

Matematika

Përmbush rezultatet e të nxënit të kompetencave të fushës “Matematika”:

  • zgjidhja e situatës problemore;
  • arsyetimi dhe vërtetimi matematik;
  • të menduarit dhe komunikimi matematik;
  • lidhja konceptuale;
  • modelimi matematik.

Shkencat e natyrës

Përmbush rezultatet e të nxënit të kompetencave të fushës “Shkencat e natyrës”:

  • identifikimi i problemeve dhe zgjidhja e tyre;
  • përdorimi i mjeteve, objekteve dhe procedurave shkencore;
  • komunikimi në gjuhën dhe në terminologjinë e shkencës.

Shoqëria dhe mjedisi

Përmbush rezultatet e të nxënit të kompetencave të fushës “Shoqëria dhe mjedisi”:

  • personale, sociale, qytetare;
  • kërkimi historik, përdorimi i burimeve, shpjegimi dhe komunikimi;
  • vëzhgimi dhe hetimi i dukurive gjeografike, mbledhja, vlerësimi dhe komunikimi i informacionit, marrja e vendimeve.


Artet

Përmbush rezultatet e të nxënit të kompetencave të fushës “Artet”:

  • krijimi artistik;
  • performimi artistik;
  • vlerësimi artistik.


Edukimit fizik, sporte dhe shëndeti

Përmbush rezultatet e të nxënit të kompetencave të fushës “Edukimit fizik, sporte dhe shëndeti”:

  • zhvillimi i aftësive lëvizore në përshtatje me situata të ndryshme lëvizore e sportive;
  • ndërveprimi me të tjerët në situata të ndryshme lëvizore e sportive;
  • përshtatshmëria me një stil jete aktiv e të shëndetshëm.

Teknologji dhe TIK

Përmbush rezultatet e të nxënit të kompetencave të fushës “Teknologji dhe TIK”:

  • aftësitë njohëse, aftësitë praktike, aftësitë komunikuese;
  • kreativiteti dhe inovacioni, komunikimi dhe bashkëpunimi, kërkimi dhe gjetja e
  • informacionit, mendimi kritik, problem-zgjidhës dhe vendimmarrja, mbrojtja.


Standardi 3. Krijimi i një mjedisi gjithëpërfshirës

Përshkrimi i standardit

Mësuesi i ciklit fillor krijon në klasë një mjedis pozitiv gjithëpërfshirës, të sistemuar nga ana fizike dhe me lehtësi për t’u shfrytëzuar nga nxënësit në çdo moment të ditës. Krijon një mjedis të tillë pune, ku diversiteti pranohet dhe çdo fëmijë ndihet i mirëpritur. Në jetën e përditshme zbaton praktika gjithëpërfshirëse dhe nëpërmjet këshillit të prindërve të klasës, por jo vetëm, punon fuqishëm për krijimin e kulturës gjithëpërfshirëse.

Treguesit që lidhen me demonstrimin e standardit

Mësuesi:

  • krijon në bashkëpunim me nxënësit një mjedis emocional pozitiv, të ndërtuar mbi rregulla dhe përkujdesje reciproke;
  • sistemon mjedisin në mënyrë të tillë, që nxënësit të lëvizin lirshëm nëpër klasë, të mos pengojnë njëri-tjetrin në detyra të caktuara, të mundësojë zhvillimin e punës në grupe të vogla e të mëdha, të organizohen në punë me grupe etj.;
  • edukon te nxënësit ndjenjën e të bukurës, të estetikës, të rregullit e të pastërtisë;
  • siguron materiale dhe mjete didaktike të sigurta në funksion të mësimdhënies dhe të të nxënit;
  • krijon kushtet e duhura për mësimdhënie me ndihmën e kontributeve të prindërve;
  • ekspozon në vende të dukshme punët individuale të nxënësve ose punimet e përgatitura në grup;
  • përdor ngjyra për të tërhequr aq sa duhet vëmendjen e fëmijëve;
  • kujdeset për ndriçimin e mjaftueshëm të klasës dhe për ajrosjen e mjedisit;
  • kujdeset për t’i kënaqur fëmijët me uljen në banka duke mbajtur parasysh diferencat fizike, sociale, akademike, interesave, stilit të të nxënit, ndihmën ndaj shokut etj.;
  • përdor teknikat e menaxhimit të klasës dhe të disiplinimit pozitiv që nxisin vetëkontrollin dhe vetëdisiplinën;
  • shfaq përkushtimin e tij të vazhdueshëm në përmirësimin e kushteve të klasës;
  • krijon hapësira të sigurta fizike dhe emocionale ku nxënësit ndihen pjesë e saj dhe motivohen të marrin përsipër iniciativa dhe risqe, të bëjë gabime dhe të kërkojë alternativa të tjera zgjidhjeje.

Standardi 4. Pranimi dhe respektimi i diversitetit

Përshkrimi i standardit

Mësuesi i ciklit fillor ndikon në zhvillimin cilësor të të gjitha marrëdhënieve brenda klasës. Ai i mbështet dhe i ndihmon nxënësit të kenë sukses duke ia bërë shkollën më të këndshme, më bashkëpunuese dhe duke krijuar besim në forcat e tyre.

Mësuesi i ndërton marrëdhëniet me nxënësit duke u bazuar në njohjen e psikologjisë së zhvillimit të fëmijëve 6-11 vjeç, të aftësive, interesave dhe vlerave të tyre. Ai zotëron njohuri rreth inteligjencës së shumëfishtë, stileve të të nxënit dhe zhvillon një mësimdhënie gjithëpërfshirëse, nxitëse dhe përfituese për të gjithë nxënësit.

Treguesit që lidhen me demonstrimin e standardit

Mësuesi:

  • mban parasysh faktin se çdo nxënës është sa unik aq sa është dhe pjesë e bashkësisë së nxënësve të klasës;
  • pranon dhe mban parasysh ndryshimet ndërmjet nxënësve, por gjithashtu shfrytëzon të përbashkëtat që ofron një grup i caktuar nxënësish;
  • u mëson nxënësve parimet demokratike të lirisë, të drejtësisë dhe barazisë duke i ndihmuar të kapërcejnë diskriminimet, paragjykimet, dhe sterotipet e krijuara kur i ndeshin në shkollë ose jashtë saj;
  • mbështet përgjegjësitë personale dhe shoqërore tek nxënësit duke siguruar marrjen e vendimeve së bashku, vendosjen e rregullave duke inkurajuar nxënësit të përcjellin këto veprimtari sociale edhe në komunitetin ku jetojnë;
  • mundëson rrugë të ndryshme për zgjidhjen e konflikteve ose të situatave të vështira brenda klasës;
  • është vëzhgues intensiv i marrëdhënieve dhe veprimeve të nxënësve në orët mësimore dhe në veprimtaritë jashtëshkollore;
  • ndërhyn me takt në një marrëdhënie ndërmjet fëmijëve kur shikon se situata përkeqësohet;
  • nxit zhvillimin e një atmosfere sa sociale, aq edhe të pasur me vlera etike.
  • zbaton strategji që u përgjigjen diversitetit të nxënësve;
  • mbështetet në pikat e forta të çdo nxënësi dhe mbi këtë bazë ndërton mësimdhënien me nxënësin në qendër;
  • dallon fëmijët që janë me aftësi të kufizuar nga fëmijët me vështirësi në të nxënë;
  • harton plane edukative individuale të bazuara në arritje;
  • bashkëpunon me kolegë dhe me specialistë për zhvillimin e talenteve të nxënësve;
  • krijon klimë bashkëveprimi dhe bashkëpunimi që vlerëson dinjitetin e nxënësve të klasës.

Standardi 5. Përditësimi i metodologjive të mësimdhënies

Përshkrimi i standardit

Mësuesi i ciklit fillor e planifikon dhe e zhvillon mësimdhënien bazuar në psikologjinë moshore të nxënësve, teoritë e të nxënit, modelet e mësimdhënies dhe në kërkesat e kurrikulës zyrtare. Në veprimtaritë e përditshme mësimore, mësuesi përdor strategji të larmishme mësimdhënieje që nxisin të menduarit kritik e krijues të nxënësve, shprehitë e zgjidhjes së problemeve, të nxënit aktiv, ndërveprimin pozitiv social etj.

Treguesit që lidhen me demonstrimin e standardit

Mësuesi:

  • është njohës i mirë i aspekteve didaktike dhe pedagogjike të mësimdhënies, i stileve të të nxënit dhe i psikologjisë moshore të nxënësve me të cilët punon;
  • njeh teoritë kryesore të të nxënit dhe modelet e mësimdhënies;
  • analizon elementet që i bashkojnë dhe i dallojnë tipet e mësimdhënies me njëra-tjetrën;
  • shfrytëzon literaturën bashkëkohore për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe të të nxënit;
  • menaxhon situata, sjellje dhe veprime të ndryshme të nxënësve;
  • planifikon orë mësimore duke u bazuar në mësimdhënien me në qendër nxënësin;
  • zbaton metodat ndërvepruese të mësimdhënies në përshtatje me lëndën, temën e mësimit, rezultatin e të nxënit dhe me moshën e nxënësve;
  • përdor metoda të larmishme mësimdhënieje që japin rezultate pozitive te nxënësit;
  • prezanton materiale didaktike duke përdorur programet më të njohura kompjuterike;
  • planifikon veprimtari që nxisin të menduarit kritik dhe krijues të nxënësve;
  • përdor metoda e teknika që sigurojnë barazinë dhe gjithëpërfshirjen;
  • punon me prindërit për përmirësimin e përparimit të nxënësit;
  • krijon balanca ndërmjet punës individuale, punës në grupe të vogla dhe punës me të gjithë klasën.

Standardi 6. Njohja dhe zbatimi i metodave të vlerësimit

Përshkrimi i standardit

Mësuesi i ciklit fillor vlerëson vazhdimisht pasi vlerësimi është pjesë e të nxënit dhe e mësimdhënies së përditshme. Ky proces realizohet duke dëgjuar dhe vëzhguar nxënësit gjatë kryerjes së detyrave, duke vëzhguar atë që shkruajnë dhe bëjnë, duke marrë parasysh përgjigjet e pyetjeve etj. Mësuesi përpiqet t’i njohë më mirë nxënësit, të ndërtojë një profil të progresit të tyre, të njohë pikat e forta dhe nevojat, të cilat i përfshijnë në planifikimin e veprimtarive të ndryshme mësimore.


Mësuesi përdor shumëllojshmëri instrumentesh dhe strategjish të përshtatshme vlerësimi për të monitoruar dhe vlerësuar nxënësit. Ai monitoron në mënyrë sistematike nxënësit për të kapur në kohë vështirësitë apo problemet e të nxënit. Mësuesi realizon vlerësime formale dhe joformale për t’u bindur për arritjet, dobësitë dhe mangësitë e nxënësve dhe për të hartuar planet e ndërhyrjeve të menjëhershme.

Treguesit që lidhen me demonstrimin e standardit

Mësuesi:

  • është njohës i mirë i kornizës së vlerësimit në arsimin parauniversitar;
  • mban parasysh parimet themelore mbi të cilat mbështetet vlerësimi;
  • e përqendron vlerësimin në zbatimin e standardeve dhe pritshmërive të progresit dhe  arritjes së nxënësve në njohuritë, shkathtësitë, qëndrimet dhe vlerat e përcaktuara në kurrikulën shkollore;
  • i motivon nxënësit për të zhvilluar potencialin e tyre të plotë;
  • krijon dhe përshtat teknika vlerësimi që i përgjigjen zhvillimit individual të nxënësit në përputhje me programin mësimor;
  • përdor mënyra e strategji të ndryshme të dokumentimit, vëzhgimit dhe vlerësimit të nxënësve;
  • vëzhgon dhe vlerëson me përshkrim ecurinë dhe përparimin e nxënësit, duke përdorur instrumente të ndryshme;
  • krijon portofolin e të nxënit për çdo nxënës, në të cilin dokumentohen detyra e punime të nxënësve që dëshmojnë përparimin dhe interesin e tyre për mësimin, jetën, prirjet dhe interesat e tyre;
  • mban statistika të përditësuara për përparimin e nxënësve;
  • jep në kohë komente të dobishme me gojë dhe me shkrim për nxënësit;
  • nxit vetëvlerësimin dhe vlerësimin e nxënësve për njëri-tjetrin duke përdorur kritere të mirëpërcaktuara;
  • bashkëpunon me prindërit jo vetëm për t’i njohur me vlerësimet, por edhe për të marrë informacion prej tyre;
  • monitoron efektivitetin e mekanizmit të feedback-ut të marrë nga nxënësit, prindërit dhe kolegët.

Standardi 7. Zbatimi i kodit të etikës

Përshkrimi i standardit

Mësuesi i ciklit fillor vepron me respekt, integritet dhe në mënyrë etike kudo që ndodhet, brenda dhe jashtë mjediseve të shkollës.

Treguesit që lidhen me demonstrimin e standardit

Mësuesi:

  • është njohës i mirë i kodit të etikës së mësuesve në arsimin parauniversitar publik dhe privat;
  • zbaton rregullat e etikës dhe të komunikimit si elemente të domosdoshme në të gjithë punën e mësuesit;
  • njeh rregullat e etikës dhe sjelljes që duhen respektuar në marrëdhënie me drejtuesit e institucionit arsimor, stafin pedagogjik, nxënësit, prindërit dhe komunitetin;
  • kryen me ndershmëri punën e tij si edukator i brezit të ri;
  • krijon besueshmëri dhe respekt nëpërmjet sjelljeve dhe vlerave të tij;
  • përmbush detyrimet ligjore dhe kontraktuale;
  • i trajton nxënësit, prindërit, kolegët dhe drejtuesit me respekt, drejtësi dhe me dinjitet;
  • mbron të drejtat dhe raportet konfidenciale të nxënësve, kolegëve dhe në lidhje me stafin;
  • sillet në përputhje me rregullat e etikës dhe të sjelljes në marrëdhënie me drejtuesit, stafin pedagogjik, nxënësit, prindërit dhe komunitetin gjatë punës së tij brenda dhe jashtë institucionit arsimor;
  • vishet me veshjen e duhur si në shkollë edhe jashtë saj;
  • i trajton nxënësit me respekt dhe dinjitet;
  • krijon një mjedis pozitiv që përcjell vlerat themelore të demokracisë.


(Portali Shkollor)

16,739 Lexime
5 vjet më parë