UNIVERSITETI

Studentja alarmohet “Me të gjitha notat dhjeta nuk fitova mjekësinë”. Reagon eksperti i arsimit: “Shkollat ju kanë orientuar gabim”

Një nga temat më të nxehta të maturantëve, është edhe llogaritja e pikëve për në universitete. Një maturante ka deklaruar se kishte të gjitha rezultatet 10-ta dhe nuk mundi të fitojë mjekësinë. Reagon eksperti i arsimit...

Një nga temat më të nxehta të maturantëve, është edhe llogaritja e pikëve për në universitete. Në faqen “Studentët Denoncojnë”, një maturante ka deklaruar se  kishte të gjitha rezultatet 10-ta dhe nuk mundi të fitojë mjeksinë. Sipas saj ky shtet po largon ekselentët.


Ish-maturantja shkruan: "Ehh edhe unë kam dalë me të gjitha 10-ta dhe se kam kapur dot mjekësinë. Me keq akoma jam gati e 500-ta në listë. Ndërkohë të tjerët me 7-8 e kanë fituar se normal leku e miku. Isha e sigurt se e fitoja mjekesinë po ja… harrova që jetojmë në Shqipëri. Sa keq për studentët ekselentë, po i përzë vete ky shtet, dhe thonë pastaj pse ikin”.


Menjëherë ka ardhur një reagim sqarues nga Fatmir Vejsiu,  eksperti i arsimit, i cili thekson se shkollat nuk i kanë orientuar drejt maturantët. Sipas tij në formulën e llogaritjes së pikëve për në universitetin e mjekësisë ka 5 mesatare. Po kështu është shumë e rëndësishme edhe zgjedhja e lëndëve në përputhje me universitetin ku kanë ambicie të shkojnë. Ajo duhet të përkojë me lëndën bazë të degës së universitetit.


Kriteret e llogaritjes së pikëve për UMT

Për mua është universiteti më serioz në këtë drejtim. Ka arritur një standard, të cilin të tjerët duhet ta marrin në konsideratë. Nuk është detyrim i UMT-së të sqarojë maturantët.

Detyrim i UMT-së , ishte vetëm nxjerrja në kohë e udhëzimit përkatës, gjë të cilën e ka realizuar. Shumë maturantë janë “djegur” pasi shkollat nuk i kanë orientuar drejt. Në formulën e llogaritjes së pikëve në këtë universitet, shikohet që ka 5 mesatare. Ndërsa e para dhe e pesta dalin nga QSHA dhe shënohen në Certifikaten e maturës, llogaritja e tre të tjerave duhet të njihej nga shkolla, pra edhe nga maturantët, para fillimit të vitit të fundit shkollor, për të realizuar zgjedhjen e lëndëve, në përputhje me ambiciet për shkollën e lartë. Lëndët preferenciale të UMT-së dihet qe janë FIZIKA, KIMIA dhe BIOLOGJIA Sipas kritereve të UMT, të trija këto lëndë duhet të zgjidhen në maturë, ndryshe je “i djegur” pa filluar viti shkollor.



(Portali Shkollor)

12,784 Lexime
4 vjet më parë