Fokus

Sugjerime për përmirësimin e udhëzimit mbi ndalimin e telefonave celularë në mjediset shkollore

Ngjarja e rëndë pranë një shkolle të njohur në Tiranë riktheu vëmendjen edhe mbi përdorimin ose jo telefonave celularë në shkolla. Eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku, propozon disa ndryshime në udhëzimin nr. 34/2018 për ndalimin e tyre,për të mbështetur edukimin dhe sigurinë në shkolla.

Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi 


Ngjarja e rëndë e ndodhur pranë njërës prej shkollave më të mira e më të kërkuara të Tiranës e ka kthyer vëmendjen e opinionit publik tek përdorimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale. Sigurisht që çështja nuk është e thjeshtë, por kërkon angazhim maksimal nga të gjitha palët. Sot kemi në fuqi udhëzimin e Ministrit të MAS me nr. 34, datë 16.11.2018,  “Për ndalimin e telefonit celular në institucionet arsimore parauniversitare“, por sa duket nuk ka gjetur zbatim. Ndaj është e nevojshme që të bëhen ndryshime të menjëhershme në këtë udhëzim me qëllim përdorim e tij realisht, për të mos thënë që ligje kemi plot por që mbeten vetëm në letër. Përditësimi dhe disa rregullime të nevojshme do të forconin masat dhe procedurat e mbikëqyrjes ndaj përdoruesve të telefonit në mjediset shkollore. Për këtë sugjeroj që disa nene të këtij udhëzimi të ndryshojnë si dhe të shtohen disa nene të tjerë për të mos lënë hapësira për devijime.


Më poshtë po paraqes një propozim konkret që siguron shtrirjen e veprimit të këtij udhëzimi edhe në mjediset e jashtme të shkollës, pronë e saj. Me mjedis të jashtëm të institucionit arsimor nënkuptoj oborrin apo mjedise të tjera si palestra, apo tjetër që mund të jenë jashtë godinës së shkollës.


Sugjerohet gjithashtu të plotësohen disa pika të udhëzimit aktual, duke rregulluar procedurën e sekuestrimit dhe të dorëzimit të telefonit, pasi kjo masë nuk ka gjetur zbatim edhe në rastet kur është konstatuar gjatë provime të maturës shtetërore. Për këtë duhet nënshkruar një marrëveshje me policinë e shtetit si dhe duhet parë baza ligjore për sekuestrimet e sendeve personale. Për këtë propozohet sekuestrimi  i telefonit në dy faza. Rishikimi prek edhe procedurat për dhënien e masave disiplinore, duke përfshirë masa edhe për stafin mësimor dhe punonjësit e tjerë të shkollës. Në këtë draft nuk lihet jashtë vëmendjes procesi i informimit të publikut dhe nënshkrimi i marrëveshjeve me organe të tjera ligj zbatuese.

Të shpresoj se dikush nga MAS do e lexoj këtë propozim. Nuk pretendoj të jetë më i miri por le të shërbejë si bazë për t‘u ulur e për të shkruar qartë akte nënligjore të zbatueshme dhe që të japin efekte në terren. Mirëpres çdo koment apo sugjerim, në fund të fundit le të ketë efekt pozitiv tek nxënësi dhe tek edukimi.


Neni 1.

Qëllimi

Qëllimi këtij Udhëzimi është ndalimi telefonave celular në mjediset e brendshme dhe të jashtme pjesë e infrastrukturës së institucioneve të arsimit parauniversitar. 


Neni 2

Ndalimi i përdorimit

Në mjediset (ambientet) e brendshme dhe të jashtme të institucioneve të arsimit parauniversitar, është e ndaluar të posedohet telefoni celular nga nxënësit, punonjësit arsimor, punonjësit ndihmës dhe punonjësit e tjerë. 


Neni 3

Masat ndaj nxënësve

a) Në rast të konstatimit të posedimit të telefonit celular nga nxënësit, në mjediset e institucioneve të arsimit parauniversitar, drejtori i institucionit e sekuestron telefonin celular, zbaton masën disiplinore ndaj nxënësit, sipas rregullores së shkollës dhe legjislacionit në fuqi. Me masën disiplinore në formë të shkruar njoftohet prindi ose kujdestari ligjor nxënësit; 

b) Telefoni celular i sekuestruar i dorëzohet prindit me procesverbal, 

c) Në rastet kur nxënësi e përsërit veprimin për posedimin e telefonit celular në ambientet e institucionit arsimor, drejtoria e shkollës e sekuestron dhe e dorëzon sipas procedurës ligjore në policinë e shtetit. Ndërsa, ndaj nxënësit përkatës merren masa disiplinore sipas legjislacionit në fuqi.


Neni 4

Ndalimi i përdorimit të telefonit për personelin e institucionit

a) Të gjithë punonjësit arsimor, ndihmës dhe punonjësit e tjerë të shkollës, u ndalohet përdorimi i telefoni celular në të gjitha ambientet e institucionit, përjashtuar sallën e mësuesve.

b) Me paraqitjen në institucion telefonat celular vendosen në kaseta personale të tyre brenda sallës së mësuesve.

c) Nëse punonjësit arsimor, ndihmës dhe punonjësit e tjerë të shkollës nuk e respektojnë këtë dispozitë, ndaj tyre do të ndërmerren masa disiplinore sipas dispozitave ligjore në fuqi.


Neni 5

Procedurat administrative

Drejtoritë e institucioneve arsimore: 

a) Të rishikojnë rregulloren e brendshme të shkollës, duke përcaktuar masat për ndalimin e telefonit celular nga telefonit celular nga nxënësit, punonjësit arsimor, ndihmës dhe punonjësit e tjerë të shkollës, në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare; 

b) Të sigurojnë nënshkrimin e deklaratës së përbashkët të mësuesit të klasës me prindin ose kujdestarin ligjor, për ndalimin e marrjes së telefonit celular në mjediset e shkollës nga nxënësit; 


Neni 6

Raportimi

a) Të raportojnë me shkrim pranë institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, për masat e marra, në rast të përdorimit të telefonit celular gjatë procesit mësimor. Njoftimi bëhet njëherë në muaj me shkrim/postë elektronike për ecurinë dhe zbatimin e këtij udhëzimi dhe për çdo rast të konstatuar gjatë ditës mësimore.

b) ZVAP-të, njëherë në muaj raportojnë me shkrim në DRAP dhe këta të fundit hartojnë raport përmbledhës për AKAP, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të MAS për ecurinë dhe zbatimin e këtij udhëzimi.

c) Për personat e ngarkuar me zbatimin e këtij udhëzimi fillojnë procedurat disiplinore sipas rastit nëse konstatohen shkelje apo moszbatim të dispozitave të këtij udhëzimi.


Neni 7

Numri zyrtar i telefonit të shkollë në dispozicion të prindërve

Të gjithë drejtorët e shkollave duhet ta sigurojnë së paku nga një numër zyrtar të telefoni, cili do te jetë në shërbimin e nxënësve dhe punonjësve për raste te veçanta. Për numrin zyrtar të telefonit të shkollës duhet të njoftohen edhe prindërit.


Neni 8

Informimi

a) Të gjithë drejtorët e shkollave duhet të njoftojnë prindërit për udhëzimin, në mbledhjen me prindër.

b) ZVAP dhe drejtorët e shkollave kanë detyrimin që në bashkëpunim njësitë e vetëqeverisjes vendore të vendosin postera dhe njoftime të tjera për ndalimin e telefonit celular në mjediset e brendshme dhe të jashtme pronë e shkollës.


Neni 9

Dispozita të fundit

a) Udhëzimi nr. 34, datë 16.11.2018, “Për ndalimin e telefonit celular në institucionet arsimore parauniversitare”, shfuqizohet.

b) Ngarkohen për zbatimin e këtij udhëzimi Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimi dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, drejtoritë rajonale, institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, si dhe drejtoritë e institucioneve arsimore.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.





Udhëzimi nr.34, datë 16.11.2018 për ndalin e telefonit celular: 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,191 Lexime
1 javë më parë