“Tarifat e papërballueshme, studentët lënë shkollën”

Në kursin e Shkencave Politike mungojnë 3 shokë dhe shoqe që nga viti i parë. Shkak për ndërprerjen e studimeve , mospagimi i tarifës studentore

“Njoh dhe kam dëgjuar për raste të tilla, madje në kursin e Shkencave Politike ku bëj pjesë edhe unë, mungojnë 3 shokë dhe shoqe që nga viti i parë për shkak se studimet e tyre janë ndërprerë nga mospagimi i tarifës studentore, e cila e theksoj që është marramendëse”, kështu shprehet Klodi Hoxha, studente pranë FSHS-së dhe aktiviste e Lëvizjes Për Universitetin. Studentët kanë protestuar duke kundërshtuar pagesën e tarifës së shkollës. Ata kanë kërkuar që pagesa të bëhet me këste.

Të enjten ju zhvilluat një protestë. Sa u dëgjua thirrja juaj?

Të enjten e 21 Janarit 2016, studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale të gjendur në kushte të vështira ekonomike për shkak të tarifave të larta, zhvilluan aksionin simboli të zaptimit. Dyert e fakultetetit u bllokuan me dy kërkesa të qarta:

1) Mundësimi i tarifës me këste për çdo student që s’ka mundësi ta paguajë njëherësh, sepse vetëm kështu nuk do penalizohej për provime.
2) U kërkua nga FSHS-ja që t’i bëjë kërkesë zyrtare organeve kompetente më të larta për arsimin, ku t’i kërkojë uljen progresive të tarifave çdo vit, duke qenë se kemi tarifat më të larta në vend si fakultet shtetëror publik. 
Pas rreth 3 orësh zaptim, Kancelarja e fakultetit në fjalë dënjoi të bisedonte me ne ku premtoi që nga e nesërmja (e premte 22 Janar) do të shpallej vendimi që tarifat të paguhen me këste dhe gjithashtu që do i çohej kërkesa e dytë Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, po ashtu edhe  Qeverisë në detyrë.

Cilat janë hapat e mëtejshëm që do të ndiqni?

Për momentin duke qenë se morëm përgigje pozitive për dy kërkesat tona imediate nuk kemi menduar ndonjë hap në rang fakulteti, ama lufta jonë vazhdon me aksione të të gjitha formave për arsim publik falas dhe dinjitoz.

Probleme me pagesat ka në të gjitha universitet, a do bashkoheni ju të gjithë për të njëjtin qëllim?

Kjo është një betejë e gjatë padyshim dhe synimi i Lëvizjes Për Universitetin ky është, ndërtimi i një fronti të përbashkët studentor rezistence. Deri diku ja kemi arritur, sepse siç i pamë zhvillimet e fundit, veç një ditë më pas, përkatësisht të premten e kaluar 22 janar, studentët e Fakultetit Gjeologji Miniera zaptuan fakultetin me kërkesa thuajse të ngjashme me ato të sipërpërmendura, por u kishin mbivendosur edhe problemet me kushtet skandaloze të godinës së tyre. Sigurisht që tarifat janë të papërballueshme në çdo fakultet të vendit nëse e krahasojmë me mirëqënien ekonomike të popullit në Republikën e Shqipërisë, ku pjesa dërrmuese jeton me 4$ dita sipas të dhënave statistikore.

A njihni studentë të cilët kanë ndërprerë studimet se nuk mund të paguanin tarifën e shkollës?

Njoh dhe kam dëgjuar për raste të tilla, madje në kursin e Shkencave Politike ku bëj pjesë edhe unë, mungojnë 3 shokë dhe shoqe që nga viti i parë për shkak se studimet e tyre janë ndërprerë nga mospagimi i tarifës studentore, e cila e theksoj që është marramendëse.

Cilat janë kërkesat tuaja?

Ne kërkojmë Arsim Publik Falas, sigurisht jo nota falas. Por pranimi në fakultet të ndërtohet mbi kritere merite në bazë të njohurive të çdo maturanti prentendent për t’u bërë student. Kjo nuk është utopi, utopikë janë veç ata që thonë se nuk është e mundur kjo gjë. Buxhetit të shtetit i mjafton vetëm 2% që arsimi publik të bëhet falas.

A ia keni drejtuar kërkesat tuaja Ministrisë së Arsimit dhe Sportit?

Në fakt shënjestra jonë në fillim ka qenë Ministrja Nikolla ku disa herë i kemi dërguar kërkesat tona, por vumë re që ministrja në fjalë është në atë pozicion veçse si një kukull marionetë dhe nuk kishte apo ka asgjë në dorë. Kështu që prej rreth dy vitesh thirrja jonë është për Qeverinë, si shkaktare e gjendjes së mjerueshme ku ndodhet arsimi sot. Ne po ashtu jemi të ndërgjegjshëm që duhet një reformim i jetës universitare, por këmbëngulim që reformimi duhet të fillojë nga poshtë, nga ata që e banojnë universitetin, studentë dhe pedagogë, dmth universitartët. Vetëm kështu mund të reformohet si duhet dhe në bazë të nevojave që ka sistemi aktual i arsimit.

Tani që temperaturat janë ulur, si e zhvilloni ju mësimin, a keni ngrohje në ambientet e shkollës?

Realisht Fakulteti i Shkencave Sociale kushtet i ka mjaft të mira dhe s’ka shumë hapësirë për tu ankuar në këtë pikë. Ama po të shkosh në fakultete të tjera degë e Universitetit Politeknik apo Universitetit Bujqësor, po ashtu edhe disa prej fakulteve të Universitetit të Tiranës, kushtet nuk ofrojnë as komoditetin më minimal për studim.  Të mos flasim pastaj për universitet e rretheve...

(Portali Shkollor)

1,862 Lexime
8 vjet më parë