Opinion

“Të drejtat e fëmijëve” që e kanë bërë shkollën si han

Unë të them se fajin, së pari, për këtë gjendje skandaloze të disiplinës dhe cilësisë së orës së mësimit, e kemi ne, po po, ne prindërit, që fëmijët e vegjël i dërgojmë në shkollë me celularë në dorë.Ne prindërit që, para se tu mësojmë femijeve se cilet jane detyrimet në shkollë, u mësojmë të drejtat.

Videoja më e fundit që doli nga klasa e një shkolle shqiptare ishte ajo kur nxënësit talleshin me mësuesen në klasë, duke iu drejtuar me fjalë edhe banale. Ndërsa e filmonin mësuesen me telefon kur ajo lëvizte nëpër klasë, dikush dëgjohet ti thotë ”O zyshe je super p… zyshe…”. Bëhet fjalë për një shkollë 9-vjeçare në Tiranë. Në këtë orë mësimi vetëm mësim nuk bëhej.


Reagimet ishin të shumta dhe kontestuese për këtë degradim.

Pyetja që shtrohet është se kush ka faj për këtë? Shumica mund të thonë se faji është i mësueses që e ka lëshuar disiplinën e orës së mësimit në këtë farë derexheje, pasi fëmijët fëmijë janë, po i le, të hipin në kurriz. Dhe une mendoj qe mesuesja ka pergjegjesine e saj, pa asnje dyshim.


Por, po sikur unë të them se fajin, së pari, për këtë gjendje skandaloze të disiplinës dhe cilësisë së orës së mësimit, e kemi ne? Po po, ne prindërit, që fëmijët e vegjël i dërgojmë në shkollë me celularë në dorë.

Ne prindërit që, para se tu mësojmë femijeve se cilet jane detyrimet në shkollë, u mësojmë të drejtat.

Ne, që ia “japim flokët në dorë mësueses nëse do të guxojë të na prekë me dorë fëmijën”.


Mediat, që janë të etura të publikojnë çdo video që del nga klasat me mësues e mësuese që ngrejnë zërin, në përpjekje për të bërë mësim.


Ne, të gjithë, që shpërthejmë në histeri, nëse shikojmë një mësuese që ulerët. Po more po ulëret, sepse 30 fëmijë në klasë ia kanë hequr trurin duke mos u bindur, ashtu siç ulërasim ne në shtëpi me 1 apo 2 fëmijë. Një mësuese që i ngre zërin atij të pabindurit, që lë të gjithë klasën pa mësim.

Mediat, që “plasin” skandale të mëdha kur sigurojnë një video që tregon sesi një mësuese i heq veshin një djali që kthen klasën përmbys.


E dini ju çfarë do të kishte ndodhur nëse në këtë video do të dilte mësuesja duke qëlluar me shpullë atë që e filmonte, dhe e kishte hak? Do të lëshoheshim të tërë duke sulmuar mësuesen. “Çfarë ndodh kështu, çfarë bëhet këtu, çështë kjo histerike, çështë kjo grua e çmendur”.


Nga frika e videove, Ministra e Arsimit dhe drejtoritë e arsimit kanë urdhëruar mësuesit të qëndrojnë sus para nxënësve. Dhe sot nuk ka nxënësi frikë nga mësuesi, por mësuesit nga nxënësit.


Një lukuni OJQ-shë ndërkombëtare që bëjnë monitorime e studime të shkollave, nxjerrin çdo vit raporte zi e më zi. “Dhunë në shkolla, dhumë fizike e dhunë verbale. Mësues të dhunshëm e nxënës që rrahin njëri-tjetri. Shkelen të drejtat e fëmijëve, cënohen liritë e fëmijëve”. Mediat bëjnë lajme me këto raporte, Ministria e Arsimit merr masa. Atyre u duhen fonde dhe për këtë arsye raportet duhen sterrë, dhe sterrosja rëndon mbi kurrizin e shkollës. 


Të drejtat e fëmijëve prevalojnë mbi detyrimin për të bërë shkollë, për të mësuar. Fëmijët kanë të drejtë ti bëjnë shurrën mësuesit në tavolinë, por mësuesi nuk duhet t'i bërtasë sepse shkel konventat.

Sepse pastaj reagojnë me radhë, babi dhe mami, medat dhe gazetarët, OJQ-të dhe ndërkombëtarët. Dhe mësuesi del në rrugë.


Shkolla është vendi ku fëmijët duhet të mësojnë dhe të edukohen.

Që kjo të ndodhë mësuesi duhet të ketë autoritet në klasë, të vendosë rregull e qetësi. Nxënësit duhet të kenë respekt dhe frikë nga ky autoritet. Ndryshe ajo nuk është shkollë por një han ku çdokush bën ç’ti dojë qejfi. 


Nuk po them që mësuesi të shkojë në klasë me shkop, por kur mësuesi ka frikë të ngrejë zërin ndërsa nxënësit hipin sipër tavolinave, atëherë shkolla ka marrë fund.



Nga Mentor Kikia 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

7,684 Lexime
3 javë më parë