VLERËSIMI I MËSUESIT

Të flasim edhe për vlerësimin e mësuesit

Mendoj se mësuesi, për vetë misionin që ka, mbart vlera shumëdimensionale. Në këtë drejtim, do të doja të prezantoja disa prej atyre vlerave.

Mendoj se mësuesi, për vetë misionin që ka, mbart vlera shumëdimensionale. Në këtë drejtim, do të doja të prezantoja disa prej atyre vlerave. 


Së pari, do të thosha se profesioni i mësuesit, është një profesion human. Prindërit ua besojnë arsimimin dhe edukimin e fëmijëve të tyre mësuesve. 

Së dyti, prej mësuesit, për ta bërë edukimin sa më të suksesshëm, lipset jo vetëm profesionalizëm (aftësi shkencore dhe metodike), por edhe durim, këmbëngulje, takt pedagogjik, kulturë psikologjike, në lidhje me njohjen e veçorive individuale të fëmijëve, gjithmonë brenda kuadrit të edukimit të tyre.

Së treti, personaliteti i mësuesit, në kuadrin e edukimit të suksesshëm të fëmijëve, duhet të reflektojë tek ata figurën, jo vetëm të një mësimdhënësi apo edukatori të mirëfilltë, por edhe të një qytetari të ndershëm, përmes sjelljes, komunikimit dhe veshjes. Këtë, mësuesi duhet ta rrezatojë, jo vetëm brenda mjedise të shkollës, por edhe jashtë saj. Pra, kudo që të ndodhet dhe në çdo kohë, pasi të tilla janë natyra e profesionit, figura dhe misioni i tij. Me këtë rast, vlen të kujtoj mësuesit e mi të mirënjohur, disa prej të cilëve sot nuk jetojnë më. Këta mësues i kujtoj me nostalgji, pasi ata kanë shpalosur vlera dhe cilësi me profesionalizmin e tyre, duke na ndihmuar së tepërmi që të merrnim dije dhe kulturë.


Gjithashtu, krahas dijeve të qëndrueshme shkencore, ata na edukuan edhe me norma njerëzore, të cilat kanë patur një vlerë të jashtëzakonshme në marrëdhëniet me të tjerët dhe me jetën e përditshme. Për këto vlera dhe mbresa që kanë lënë, për këto cilësi të shkëlqyera profesionale, ata mësues kanë qenë kurdoherë të nderuar dhe të respektuar. 


Sot, natyrshëm lind pyetja se në çfarë niveli gjendet figura e mësuesit. Mendoj se mësuesi i sotëm ndodhet në nivele më të ulëta dhe vlerësohet shumë pak, krahasuar me mësuesit e atëhershëm. Madje, në këtë trancizion, është abuzuar ca, lidhur me mbrojtjen dhe respektimin e figurës së mësuesit. Në gjirin e mësuesisë, kemi mjaft nga ata mësues që, duke mos e kuptuar apo duke mos e vlerësuar sa duhet këtë profesion, nuk ndodhen në ato nivele që kërkohen. Padyshim, këta mësues, duke mos qenë në nivelin që e kërkon profesioni, nuk e kanë ndjerë veten të nderuar dhe të respektuar nga nxënësit, prindërit apo komuniteti. 


Po kështu, me figurën e mësuesit është abuzuar shumë gjatë tranzicionit, duke ngritur në shkallën e mësimdhënies jo pak individë që nuk e kanë merituar. Ka patur gjithmonë militantë partiakë që kanë hyrë në stafet pedagogjike pa të drejtë. Sigurisht, kjo dukuri ka ndikuar shumë në perceptimin e figurës së mësuesit të sotëm. Gjithashtu, mungon statusi i veçantë dhe i domosdoshëm për mësuesin. Shpeshherë, mësuesit shpërfillen dhe fajësohen rëndë për rezultatet e nxënësve, edhe kur ata nuk kanë asnjë ndikim të drejtpërdrejtë, apo të tërthortë. Mësuesi i sotëm e ndjen shumë nevojën për t’u vlerësuar, aq sa i takon. 


Saba Lama

3,482 Lexime
5 muaj më parë