Tiranë

Të gjithë të barabartë në shkollën “Ibrahim Brahja”

“Nuk më pëlqen ta quaj staf, por personel. Ne jemi një familje e madhe dhe të gjithë punojmë për të arritur sukses. Janë mësues të shkëlqyer, të kualifikuar secili në profilin e tij, të trajnuar në fushat përkatëse dhe të përkushtuar në punë.”

“Të gjithë të barabartë” kjo është motoja e shkollës 9-vjeçare “Ibrahim Brahja”Sauk. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe në një shkollë ku mësojnë edhe nxënës të fshatit SOS, nxënës të komunitetit rom dhe sigurisht nxënës të zonës. Stafi pedagogjik me në krye drejtoreshën e shkollës Meri Musa, kanë bërë të mundur që kjo moto të jetë realitet në këtë shkollë ku ne e pamë nga afër që të gjithë ishin të barabartë. Drejtoresha e shkollës, Meri Musa, na tregoi më shumë për këtë shkollë, mësuesit, nxënësit dhe prindërit sigurisht.

Si nisi dita juaj e parë e punës në shkollën “Ibrahim Brahja”?

Mbaj mend që drejtori paraardhës, i cili tani është mësues në këtë shkollë, më ka prezantuar në të gjitha klasat. Nxënësve ju kam thënë që zyra e drejtorit në fakt është zyra juaj dhe ajo do të jetë gjithmonë e hapur për ju. Nxënësit janë partnerët e mi më të mirë në shkollë.

A trokasin nxënësit në zyrën e drejtoreshës tani?

Po. Madje ndodh që vijnë përpara tek unë e më pas tek mësuesi kujdestar, kjo për shkak të marrëdhënies së besimit që ne kemi krijuar. Më ka ndodhur që nxënësit më janë ankuar që në orën e edukimit fizik ata bëjnë matematikë. Menjëherë kam biseduar me mësuesen dhe sigurisht që në orën e edukimit fizik ata do bëjnë edukim fizik sepse kjo është një orë shumë e dashur për nxënësit. Nga ana tjetër mirëkuptoj edhe mësueset të cilat kërkojnë me insistim që të ngulitin konceptet e matematikës tek secili nxënës dhe ka raste që mund t’iu duhet më shumë kohë, por ora e mësimit është 45 minuta dhe brenda kësaj kohe duhet bërë maksimumi. Nxënësit nuk duhet të ngarkohen, pasi ata me shumë dëshirë e presin orën e fizkulturës, sepse janë fëmijë dhe kanë nevojë për aktivitete sportive, fizike.

Si janë marrëdhëniet tuaja me stafin pedagogjik?

Nuk më pëlqen ta quaj staf, por personel. Ne jemi një familje e madhe dhe të gjithë punojmë për të arritur sukses. Janë mësues të shkëlqyer, të kualifikuar secili në profilin e tij, të trajnuar në fushat përkatëse dhe mbi të gjitha të përkushtuar në punë. Personeli vjen në punë me dëshirë dhe punon me shumë pasion. Të gjithë synojnë që nxënësit të arrijnë rezultate të larta.

Dhe në fakt a i keni arritur këto rezultate ju si shkollë?

Po i kemi arritur. Në vlerësimin që ka bërë Drejtoria Arsimore e Tiranës për kartën e performancës ne jemi renditur në vendin e katërt. Kjo është një arritje për ne. Pjesë e vlerësimit janë numri i mungesave të cilat tek ne janë zero, nuk ka më nxënës që e braktisin shkollën, si edhe mësuesit e trajnuar dhe kualifikuar që kanë marrë edhe kreditet e përcaktuara nga MAS.

Thatë që nuk ka më nxënës që e braktisin shkollën?

E vërtetë nuk ka. Madje më herët prindërit i dërgonin fëmijët në shkollat e qëndrës duke e konsideruar shkollës periferike, ndërsa tani ndodh e kundërta, nxënësit po kthehen në shkollën tonë dhe po braktisin shkollat e qendrës.

Si e arritët këtë rezultat?

Kemi punuar fort dhe kemi plotësuar kushtet për një mësimdhënie të suksesshme. Baza materiale është plotësuar tërësisht. Palestra është me kushte fantastike dhe këtë arritëm pasi fituam një projekt në Holandë mundëm ta rikonstruktonim tërësisht dhe ta pajisnim me të gjitha mjetet e domosdoshme për nxënësit.

Sa nxënës ka në shkollën “Ibrahim Brahja”?

Në total janë 360 nxënës. Në klasat e ciklit të ulët janë nga 2 paralele me nga 25 nxënës. Pra kemi punuar për të reduktuar numrin e nxënësve në klasa në mënyrë që mësimdhënia dhe mësimnxënia të jetë sa më efektive.

Në shkollë ka edhe nxënës nga fshati SOS...

Janë 57 nxënës nga fshati SOS, ka edhe nxënës nga komuniteti rom. Të gjithë janë integruar mirë, janë të barabrtë dhe janë nxënës të mirë. Nxënësit janë në harmoni më njërit-tjetrin por edhe me mësuesit. Mundohemi që pa i veçuar nga pjesa tjetër t’u kushtojmë vëmendje në momente të caktuara kur shikojmë që kanë nevojë që mësuesi të jetë më afër tyre. 

Një bisedë me mësuesen e matematikës, formula më e dashur, marrëdhëniet me nxënësit dhe vështirësitë në punën e saj. Prena Lekgegaj rrëfen çaste të punës në shkollën “Ibrahim Brahja”.

Teorema e Pitagorës, më e dashura për mësuesen

Portali Shkollor bisedoi nga afër me mësuesen e matematikës në shkollën “Ibrahim Brahja” Prena Lekgegaj. Matematika duke qenë një lëndë e vështirë të bën që të stepesh kur mendon se çfarë mund të thotë mësuesja. E kështu nxënësit fillojnë të kujtojnë në mendje e tyre gabimet që ata mund të kenë bërë. Por në fakt mësuese Prena na tregon se nxënësit e saj janë shumë të vëmendshëm në orën e mësimit duke ditur që kjo lëndë është e vështirë. Ajo i mbështet në çdo kohë, identifikon vështirësitë që kanë hasur nxënësit dhe rishpjegon derisa njohuritë të përvetësohen.

Na rrëfen që gjatë viteve të saj të punës metodat e mësimdhënies kanë ndryshuar. Dhe fakti që tani nxënësi është në qendër dhe jo mësuesi ka bërë që raporti mësues-nxënës të jetë një raport bashkëpunimi. Figura e mësuesit si lider është shkrirë dhe është zëvendësuar me bashkëveprim.

Mësuesja tregon se nxënësit e hasin vështirësi kryesisht në detyrat e pavarura.

E veçanta e kësaj shkolle është se në të mësojnë nxënës nga fshati SOS. Këta nxënës kanë hasur pak vështirësi, por janë nxënës të përkushtuar që e duan shkollën dhe përpiqen që të arrijnë rezultate të larta. Vështirësia më e madhe tek këta nxënës janë detyrat e shtëpisë, puna në shtëpi, është pak e vështirë që ata të mund t’i përfundojnë në kohë. Në shkollë ka edhe nxënës nga komuniteti rom të cilët janë nxënës me rezultate të mira në mësime. 

Rezultatet pozitive janë arritur në saj të përkushtimit dhe punës së palodhur të mësuesve. Motoja e mësuese Prenës është “Në çdo kohë unë mundohem të mos bëj dallime tek nxënësit, por të jem e barabartë me të gjithë. T’i trajtoj dhe t’i mbështes njëlloj”.

Teorema e Pitagorës është teorema më e dashur e mësueses. Ajo na tregon se këtë formulë e ka mësuar që në klasë të parë. “Është një formulë që del në bazë të njëushtrimi”,- thotë ajo.

Mësuesja kujdestare e klasës së tetë na tregon se në klasa të ndryshme ka nxënës që i kujtojnë veten e saj. “Sigurisht kushtet kanë ndryshuar, por nga mënyra epërqendrimit dhe e përkushtimit në orën e mësimit... ka vajza që më kujtojnëveten në fëmijërinë time”, përfundon biseda jonë me mësuese Prenën.

(Portali Shkollor)

5,247 Lexime
7 vjet më parë