Tërmeti i fuqishëm, pezullohet për dy ditë mësimi, shkolla nis më 2 dhjetor
Si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë, mësimi në të gjitha shkollat e vendit tashmë është ndërprerë për të rifilluar më datë 2 dhjetor. Për shkollat ka nisur faza e inspektimit, 10 prej tyre nuk janë funksionale.

Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka njoftuar se edhe dita e sotme, 27 nëntor, do të jetë pushim për të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet e vendit. Shkollat do të vijojnë pushimet për 6 ditët në vijim, duke qenë se dita e enjte dhe e premte janë pushim zyrtar për festat e nëntorit.
Përmes një statusi në ‘Facebook’, Shahini bën me dije se ekipet po vijojnë me evidentimin e dëmeve materiale dhe hartimin e planit të masave për shkollat e dëmtuara. Nga inspektimi i deri tanishëm, 10 shkolla nuk janë funksionale për shkak të dëmeve të shumta nga tërmeti. Më tej, e tronditur Ministrja Shahini shpreh ngushëllimet ndaj të gjitha familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur.
“Jam e tronditur nga humbja e jetëve dhe lëndimet trupore që kanë pësuar qytetarët si pasojë e tërmetit, siç besoj është edhe e gjithë Shqipëria. Ndaj kemi vendosur që të pezullojmë mësimin në të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet e vendit (përfshirë jo-publiket) edhe në datën 27 Nëntor në mënyrë që familjet të qëndrojnë së bashku dhe ta përballojnë situatën duke u solidarizuar me ata që u prekën më së shumti nga kjo tragjedi. Bëj me dije se ekipet tona po vijojnë ndërkohë me evidentimin e dëmeve materiale dhe hartimin e planit të masave për shkollat e dëmtuara. Gjej rastin të përcjell ngushëllimet më të sinqerta ndaj të gjitha familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur, si dhe t’i uroj shërim sa më të shpejtë të gjithë të lënduarve!”, shkruan Shahini në një status në Facebook.
(Portali Shkollor)
Modernia në dy tregime për dashurinë
Struktura e vitit shkollor 2018-2019
"Lufta kundër bullizmit dhe ekstremizmit në shkollë"