Testi i kualifikimit që po tall mësuesit: pyetje absurde dhe gabime flagrante...

Testi i kualifikimit për mësuesit po ngre pikëpyetje serioze: pyetje të paqarta, gabime gjuhësore e shkencore dhe përgjigje të diskutueshme. Në vend që të vlerësojë kompetencën, ai shpesh teston durimin e mësuesve. Analiza dhe faktet për këtë situatë vijnë nga eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku.

Nga eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku


Edhe këtë vit testi i kualifikimit për mësuesit, sidomos ai elektroniku është kthyer në një teatër absurd. Nuk po ndalem as te projektet as tek orët e hapura të zhvilluar në shkolla, mjafton testi elektronik pranë QSHA-së.


Pyetje pa pikëpyetje, fjali që nisin po nuk "bitisin", (e gjatë, e gjatë, nga këtu në Berat), gabime gjuhësore dhe shkencore që vallëzojnë si aktorë të dehur në skenë. Në vend që të vlerësojë kompetencën, testi është bërë “kandari” që mat sa duron mësuesi... të mos qeshë me zë të lartë.


Imagjinoni një mësues që përgatitet me seriozitet, lexon literaturë, studion metodologji, përgatit shembuj praktikë kur fap, del pyetja e tipit: “Strategjitë mësimore janë… një grup sjelljesh që ndikojnë… ose ndoshta situata jetësore… ose ndoshta një piknik jashtë kontekstit.” Në këtë moment, mësuesi nuk është më profesionist, bëhet detektivi i absurdit. Përpiqet të zbulojë: çfarë donte të thoshte autori?


Meqë në Shqipëri mungojnë shfaqjet e cirkut po e zëvendësojmë me testin e kualifikimit që mos e lëmë skenën bosh. Këtu imagjinata nuk ka më kufi.


Gabimet trashanike shkencore i ngjajnë akrobatëve që bien nga litarët. Pyetjet pa kuptim janë si klounët që harrojnë tekstin. Ndërsa mësuesi, i ulur në sallë, duartroket me dhimbje, sepse e di që ky spektakël nuk po mat më dijen, por nivelin e telendisjes që u bën vetë sistemi.


Ai, sistemi që sa duket nuk pyet më: “Sa di ti?” por: “Sa mund të durosh pa shpërthyer në të qeshura?” Dhe në fund, kur sistemi thotë: “Nuk të lë kusur”, mësuesi kupton se nuk është fjala për dijen, por për kusurin e dinjitetit që ka ikur në drejtim të paditur.


Pse vallë duhet të katandisim provimin e kualifikimit, në komedi të zezë? Mos harroni se në çdo komedi, publiku qesh, por qesh me dhimbje, sepse e di që pas skenës, arsimi është ai që po bie nga litarët.


E që të mos me thoni se ku janë faktet po listoj më poshtë disa nga pyetjet e testit të kualifikimit të mësuesve 2026, në lëndës TIK për ti vlerësuar vetë ju që po lexoni këto rreshta.

Pyetja 1, do ishte e denjë për simpozium shkencor gjuhësor; Cila është alternativën e saktë? “U gjend pranë shtëpisë të së motrës” apo “U gjend pranë shtëpisë së motrës”.


Pyetja 2, Si quhet sulmi keqdashës kur serveri mbingarkohet me kërkesa të shumta fiktive, të cilat si pasojë sjellin rënien e pajisjes? Përgjigja e kompjuterit të QSHA ishte “Man in the Middle” ndërkohë që është e gjithëpranuar nga ekspertët e fushës së bëhet fjalë për alternativën d, “Denial of Service”


Pyetja 3, si maratonë pa pikëpyetje ku sistemi nxjerr për të saktë alternativën a: Kreativiteti dhe inovacioni ndërkohë që sipas standardeve kurrikulare përgjigja e saktë është B: Kërkimi dhe gjetja e informacionit . Lexojeni vetë më mirë. 2. "Nxënësi përcakton strategjinë e kërkimit të informacionit; duke përdorur kompjuterin gjen, organizon, analizon, vlerëson, përpunon dhe përdor informacionin nga një shumëllojshmëri e burimeve dhe mediave; përzgjedh burimet e informacionit apo mjetet digjitale bazuar në përshtatshmërinë tyre për kryerjen dhe zgjidhjen e një sërë detyrave. Këto rezultate të nxëni arrihen nëpërmjet zhvillimit të kompetencës së lëndës:

A) Kreativiteti dhe inovacioni

B) Kërkimi dhe gjetja e informacionit

C) Mendimi kritik, zgjidhja e problemit dhe vendimmarrja

D) Operacionet bazë dhe konceptet teknologjike


Pyetja 4: Strategjitë, metodat dhe teknikat mësimore janë:

A) një grup sjelljesh dhe qëndrimesh që ndikojnë në mënyrën se si nxënësit mësojnë dhe bashkëveprojnë me mësuesit dhe me shokët e tyre;

B) procedura standarde didaktike, të cilat përdoren nga ana e mësuesve në bashkëpunim me nxënësit, për prezantimin dhe zhvillimin e veprimtarive mësimore, me qëllim përmbushjen e rezultateve të të nxënit;

C) situata dhe procese jetësore që sigurojnë kushtet dhe mjedisin për nxitjen e të mësuarit tek nxënësit;

D) veprimtari të strukturuara mësimore, të qëllimshme që ndodhin jashtë kontekstit të lëndëve dhe fushave të të nxënit.


Kjo pyetje ka si përgjigje të saktë në kompjuter alternativën c që i referohet situatës së të nxënit. Situata është mjedisi ose konteksti ku aplikohet metoda, por nuk është vetë metoda. Ndërkohë që përkufizimi teknik i metodologjisë, përfshin hapat që ndjek mësuesi (procedurat) për të arritur rezultatet e pritshme (rezultatet e të nxënit).


Po e shoqëroj postimin dhe me foto të pyetjet siç më kanë ardhur( mbase nuk janë këto që kamë rënë në test). Ka edhe të tjera si këto por: "nuk po e pi detin për ta kuptuar që është i kripur."


Mendoj se institucionet përgjegjëse u detyrohen një shpjegim mësuesve të TIK dhe jo vetëm. Gjithashtu duhet të shohin me rigorozitet hartimin e testeve, përgjigjeve, konfigurimin e sistemeve kompjuterike, për të mos dalë tek shprehja: “në vend t’i vinim vetulla i nxorëm sytë...”



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë  

769 Lexime
1 orë më parë