RISIA

Themelohet “Parlamenti i Nxënësve të Shqipërisë”, synohet rritja e cilësisë së procesit arsimor

Në vendin tonë sapo është themeluar, për herë të parë, “Parlamenti i Nxënësve të Shqipërisë”. Kjo përfaqësi ka për qëllim forcimin e pjesëmarrjes aktive të nxënësve në proceset e vendimmarrjes dhe në rritjen e cilësisë së procesit arsimor.

Për herë të parë në Shqipëri është themeluar "Parlamenti i Nxënësve", i cili do të shërbejë si një forum ku do të dëgjohet zëri i nxënësve në funksion jo vetëm të përmirësimit të cilësisë së arsimit, por edhe eksperiencës së tyre shkollore. “Parlamenti i Nxënësve” ka një përfaqësi në nivel kombëtar me të drejtë anëtarësie për dy vite dhe ka për qëllim forcimin e pjesëmarrjes aktive të nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në proceset e vendimmarrjes dhe në rritjen e cilësisë së procesit arsimor. 

Të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Besa Shahini, Zëvendësministrja për Rininë Znj. Lorena Haxhiu, përfaqësues të institucioneve të arsimit parauniversitar, nxënës e prindër të ftuar, mësues koordinatorë, mësues ndihmës dhe drejtues shkollash etj. 

Duke iu drejtuar parlamentarëve të zgjedhur, Ministrja Shahini u shpreh se MASR është ministria e të rinjve dhe fëmijëve, prandaj edhe vendimet duhet të merren duke i dëgjuar fëmijët dhe të rinjtë.  

 Besa Shahini, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë  

Kemi dëgjuar të rriturit, mësuesit ose prindërit, por kësaj i erdhi fundi sot. Mësuesit ose prindërit do të jenë gjithmonë partnerët tanë që të arrijmë më të mirën në sistemin e arsimit, por duam të dëgjojmë direkt edhe nga ju për shkak se është shumë e rëndësishme të mësojmë nga ju se si ndikoheni nga vendimet që ne marrim çdo ditë”- ka thënë Ministrja Shahini. 

Sipas ministres Shahini, angazhimi në "Parlamentin e Nxënësve" përbën një ushtrim demokracie dhe vullnetarizmi. “Deputetët e rinj mësojnë për vlerat e të shërbyerit bujar në komunitet, ku punohet jo për interesin personal por për të mirën publike dhe interesin e përbashkët të të gjithë nxënësve”, nënvizoi ajo. Ndër të tjera, Ministrja Shahini u shpreh në lidhje me diversitetin shoqëror që përfaqëson ky parlament historik: “Arritje të mëdha të kësaj nisme janë numri i lartë i vajzave, i fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe të nxënësve që vijnë nga pakicat e përfaqësuara. Këtu përfaqësohet diversiteti shoqëror në shkolla”, u shpreh ajo teksa u ka kërkuar nxënësve që të sjellin idetë e tyre origjinale, dhe jo të prindërve apo mësuesve të tyre”. 

Në këtë seancë të parë janë zgjedhur kryetari dhe zëvendëskryetarët e Parlamentit të Nxënësve, anëtarët e Sekretariatit Teknik. Ndërkohë që janë bërë ndarja e anëtarëve të Parlamentit në komisionet parlamentare, angazhimi për ndarjen e detyrave mbi hartimin e rregullores dhe vendosja e datës së mbledhjes së ardhshme – mbyllja e punimeve. Anëtarët mblidhen tre herë në vit për të diskutuar çështjet e rëndësishme për ta, si dhe për iniciuar aktivitete në nivel kombëtar.


(N.Allkja Biçaku, Portali Shkollor) 

857 Lexime
1 javë më parë