Letër

“Ti duhet të bëhesh njeri i fortë, i guximshëm, motivues”

Mësuesja e gjuhës shqipe nëpërmjet një letre ju tregon nxënësve sesa të rëndësishëm janë për të dhe ju rrëfen se qëllimi i vetëm i saj është suksesi i tyre në jetë

Të dashur nxënës!

Është diku 4 e mëngjesit dhe unë mendoj për ju, për secilin veç e veç dhe të gjithë bashkë. Ju po çuditeni se mendoj për ju? Po. Të gjithë mësimdhënësit tuaj e bëjnë këtë, rrinë zgjuar deri vonë, lodhen shumë që t’iu lodhin ju çdo ditë, javë, çdo muaj e vit. Jemi “të pashpirtë dhe të pamëshirshëm”,“rrallë pozitivë”, por ne kujdesemi për ju më shumë se ju për veten, më shumë sesa ju kujdeseni për notat tuaja, më shumë sesa e dëshironi markën e fundit të telefonit. S’mund të fle sepse jam e stresuar dhe e kam patjetër ta trupëzoj shqetësimin tim, t’jua adresoj këtë letër sepse më duhet të jem e sinqertë me ju. 


Unë kujdesem për ty si njeri. Shpresoj ta kem lejen tënde për këtë ndershmëri profesionale që sot mund të të pengojë. Unë nuk fle. PO. Të gjithë mësimdhënësit tuaj kanë pagjumësi kronike për shkakun tuaj, por përpara se t’ju tregoj pse, me lejoni t’ju them ca gjëra të rëndësishme për shkollën. 


Mësimi akademik nuk është qëllimi kryesor i shkollës, asnjëherë s’ka qenë dhe kurrë s’do të jetë. Por, po. Matematika, gjuhët e huaja, biologjia, kimia, gjeografia të gjitha janë të rëndësishme. Të gjitha këto mund të ta ndryshojnë jetën, siç ia kanë ndryshuar Arkimedit, Ajnshtajnit, Nikolla Teslles, Edisonit, Da Vinçit. Lëndët shkollore janë të rëndësishme, janë qëllime, por jo më kryesoret. 


Secili mësim ka objektiva, por tani do t’ju flas për superobjektivat. Secili nga ju po ndërton veten, përpiquni të krijoni një kryevepër. Bëhuni njerëz që do të mësoni t’i ndani gjërat me të tjerët. Ndërsa kur them t’i ndani, nuk mendoj t’i bëni “share” fotot, përgjigjet e detyrave të shtëpisë, atletet e reja që keni blerë. E kam fjalën për mendimet dhe ndjenjat. Këmbeni ide, formoni besim, zhgënjehuni, humbisni besimin, dyshoni edhe te vetja. Përballuni me frikën, tmerrin, lumturinë, gënjeshtrën, vështirësinë, vuajtjen. Vuajtjen sidomos. Vetminë prapë. 


Mos kini frikë të vuani dhe të rrini vetëm, janë shkollë më vete këto të dyja. Shkollë që do t’ju përgatisin për “after-school-in” e jetës. Vështirësitë nuk mbarojnë kur mbaron shkolla. Më vjen keq, atëherë fillojnë në të vërtetë. Po. Do të keni momentet më të bukura që as e keni menduar se mund të bëhen tuajat, do të takoni njerëz të mrekullueshëm, por ju gjithashtu do të keni fatkeqësi, gjëra të trishta, frustrime, frikë dhe dyshime për sa të jeni gjallë. Ju nuk duhet të mërziteni nëse ju vijnë edhe gjëra të keqija në jetë, ju duhet të mërziteni nëse dorëzoheni. Ja, kjo është arsyeja e vërtetë përse nuk mund ta bëjnë gjumin rehat mësimdhënësit tuaj për çdo javë. Sepse t’i dorëzohesh lehtë, bie për tokë dhe refuzon të ngrihesh. Ti thua se nuk është e vërtetë, por dorëzimi ka trajta të ndryshme, është i maskuar nganjëherë edhe ti nuk e njeh te vetja. Për disa nga ju, dorëzimi është ta bësh ditën kot, të shkosh në shkollë sa për të humbur kohën pa marrë mundin të shkruash një fjali, idiote qofte ajo, qoftë dhe krejt ndryshe nga ajo detyra e mërzitshme që ta jep profesori dhe për të cilën mendon se nuk di, nuk mundesh, apo nuk do ta bësh se të duket krejt e kotë. Kur shkruan, ndihesh i gjallë. Keni parë ndonjë të vdekur që ka shkruar qofte edhe një shkronjë?


Disa nga ju gjejnë arsyetime, vonohen në orë, dëshirojnë të jenë krejt diku tjetër përveç shkollës, ndërkohë që e kanë paguar profesorin që të jetë aty në momentin kur ata ikin. Ikni nga paratë që prindi juaj i ka dhënë aty për ju që të edukoheni, që të mësoheni të jeni aty ku s’doni, sepse në jetë nuk keni lindur të jeni vetëm ku doni, por edhe ku duhet. Keni dhe trurin përveç zemrës. Përse nuk ikni edhe nga ushqimi atëherë? Kur e ngopni stomakun, ngopeni edhe trurin. 


Njerëzit e mëdhenj sakrifikojnë nga vetja për të mirën, të drejtën, të arsyeshmen, të nevojshmen. 


Disa dështojnë kur të rriturit u thonë se duhet të mësojnë më shumë, të lexojnë më shumë, të dijnë më shumë, sepse nuk dinë t’i respektojnë autoritetet. Ju thoni “kjo është jeta ime, s’ka ç’të intereson ty” . E thatë ose e menduat është e njëjta gjë. Gjykimi, kritika ju turbullon, ju revolton, ju bën agresive dhe nuk numëroni deri në dhjetë para se të flisni. Këtu dështoni ju, sepse nuk i pranoni gjërat me dashamirësi ashtu siç ju jepen. Sepse edhe një njeri që ka jetuar një ditë më shumë, ka një përvojë më shumë për të treguar dhe ju duhet ta dëgjoni. 

Qëllimi s’janë numrat. Ju kurrë nuk e keni ditur çfarë “numri” kam pasur matematikë, çfarë fizikë dhe kimi. Ju as nuk e dini çfarëe kam dashur të studioj dhe përse kam përfunduar si profesoreshë e gjuhës shqipe. (Për ëndrrat do t’ju flas një herë tjetër). Mos luftoni për numra, luftoni për dije. 


Luftoni duke sakrifikuar, duke ia dalë me gjërat e vështira si shkolla edhe kur ju duket se nuk shkon më, nuk mundeni. Gjejeni durimin, shpresën dhe ecni përpara! Bëjeni veten njeri të mirë! Bota vuan nga e keqja. S’është e lehtë, e di, por edhe unë dikur isha nxënëse dhe ja ku jam sot para jush, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj. Mbijetova pa e ditur çfarë shqetësimesh kishin mësimdhënësit e mi për mua. Se i kemi lënë pa gjumë, duke u shqetësuar për ne, më shumë se ne për veten. 


Ti duhet të bëhesh njeri i fortë, i guximshëm, motivues. Duhet të jesh shembull për të tjerët. S’ka vend për dështakë në jetën time. Derisa jeni ende nxënësit e mi do t’ju sfidoj, do t’ju bëj të ndiheni të mërzitur, do t’ju ballafaqoj me të vërtetën, mund dhe padashje t’ju bëj të më urreni, do t'jua ngarkoj ditën, jetën, do t'ju detyroj të lexoni dhe do të ndaj me ju çdo tregim të bukur, do t’jua marr prindërit në telefon kur jeni të parregullt dhe ata do t’ju qortojnë kur të shkoni në shtëpi. Me vjen keq që do ta bëj këtë. 


E kur të ju shoh se ju jeni bërë ashtu siç ju mendoj çdo natë, do të më bëhet zemra mal dhe do të fle rehat dhe krenare me ju.


Prandaj, bëji vetes një shërbim, mos u arsyeto më si fëmijë, nuk ka më neglizhencë, s’ka dorëzim. Ngreje kokën lart nga celulari me krejt ato vite që ke mbi supe, merre një stilograf, shkruaj dhe shihe se nuk dhemb. Filloje me një “Letër vetes” sa për të thyer dorën.


Me shumë dashuri, 

Për ata që s’dorëzohen

Xhemazije Rizvani


(Portali Shkollor)

7,821 Lexime
7 vjet më parë