Aktualitet

“Toka në shkollë”, Kushi shpall konkursin dhe jep mesazhin për nxënësit dhe mësuesit: Kujdesuni për kopshtet edhe gjatë verës

Ministrja Kushi shpalli konkursin e vlerësimit të kopshtit më të mirë , fituesi i të cilit do të përcaktohet nga vlerësimet e publikut dhe do të shpallet më 17 qershor. Ndërkohë, Ministrja Kushi tërhoqi vëmendjen edhe tek kujdesi për këto miniparcela gjatë stinës së verës, kur shkollat janë pushim.

Gjatë këtij viti shkollor nxënësit u bënë pjesë e një prej nismave më të dashura “Toka në shkollë”, duke ndërtuar miniparcela e kopshte në të gjitha shkollat e vendit me kreativitetin dhe duart e tyre, me produkte bujqësore, bimë dhe lule të zonave ku ata jetojnë. 


Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi shpalli konkursin e vlerësimit të kopshtit më të mirë , fituesi i të cilit do të përcaktohet nga vlerësimet e publikut dhe do të shpallet më 17 qershor 2023.

Ndërkohë, Ministrja Kushi tërhoqi vëmendjen edhe tek kujdesi për këto miniparcela gjatë stinës së verës, kur shkollat janë pushim. 


“Tashmë që jemi në fund të vitit shkollor, kjo është edhe një thirrje që të gjithë së bashku të vazhdojmë të kujdesemi për këto kopshte sipas një kalendari të organizuar nga mësuesit për çdo klasë apo grup nxënësish, në mënyrë vullnetare edhe gjatë pushimeve verore. Kështu të dashur nxënës, ju do të kujdeseni që kopshti që keni ndërtuar së bashku me mësuesit dhe prindërit me aq shumë dashuri, të jetë po kaq i bukur edhe kur të ktheheni në shtator për vitin e ri shkollor. Mbarësi të gjithëve dhe shumë suksese! ” – shkruan ministrja.


Deri tani, qindra shkolla kanë dërguar foto të shkrepura gjatë punës së nxënësve me tokën, mbjelljes apo vjeljes së prodhimeve në kopshte me larmishme prodhimesh bujqësore, bimësh aromatike dhe dekorative.

“Faleminderit  të gjithë nxënësve, mësuesve dhe drejtuesve të shkollave që na u bashkuan në një nga nismat tona më të dashura, të cilët me mbështetjen edhe të prindërve dhe komunitetit, nëpërmjet miniparcelave në shkolla mësojnë më shumë mbi vlerën e tokës, proceset praktike të kultivimit të qëndrueshëm të saj, si dhe përforcojnë lidhjen e tyre me natyrën.”


Qëllimi i nismës “Toka në shkollë” është për të nxitur nxënësit të mësojnë vlerën e tokës. 


Nxënësit nën drejtimin e mësuesve të tyre dhe me mbështetjen e prindërve dhe komunitetit, mësuan edhe më tepër mbi vlerën e tokës, proceset praktike të kultivimit, por edhe të përforcuan lidhjen e tyre me natyrën dhe të mirat që marrim nga kujdesi për të.

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,034 Lexime
1 vit më parë