INSTITUTI I ZHVILLIMIT TË ARSIMIT

“Tri lëndë në gjashtë orë”, fishë sqaruese

Në zbatim të urdhrit nr. 6 dt. 10.01.2018 për zbatimin e nismës “Tri lëndë në gjashtë orë”, shkollat duhet të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë dhe hapësirat për zbatimin me cilësi të kësaj nisme.

Në zbatim të urdhrit nr. 6 dt.10.01.2018 për zbatimin e nismës “Tri lëndë në gjashtë orë”, shkollat duhet të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë dhe hapësirat për zbatimin me cilësi të kësaj nisme. Më poshtë janë dhënë disa sqarime rreth menaxhimit të orarit mësimor, planifikimit mësimor, organizimit të orës së mësimit, vlerësimit të nxënësit dhe plotësimit të dokumentacionit.


A) MENAXHIMI I ORARIT MËSIMOR

Udhëzuesi për zbatimin e nismës “Tri lëndë në gjashtë orë” ofron dy modele të organizimit të orarit mësimor. Në variantin e parë është paraqitur një model i organizuar sipas një jave mësimore, ndërsa në variantin e dytë është paraqitur një model i organizuar sipas dy javëve mësimore (tek dhe çift). Shkolla është e lirë ta hartojë orarin e saj mësimor duke zgjedhur një nga variantet më sipër ose të organizojë një formë tjetër, në funksion të realizimit të nismës, si dhe në varësi të infrastrukturës, të numrit të mësuesve, të specifikave lëndore etj. Kjo do të thotë që jo domosdoshmërisht duhet të ketë vetëm lëndë që zhvillohen në dy orë të njëpasnjëshme, brenda një dite.

Ora mësimore është 45 minuta.


B) PLANIFIKIMI MËSIMOR

Plani mësimor i periudhës

Nisma “Tri lëndë në gjashtë orë” përkon me fillimin e periudhës së dytë. Brenda mundësive të shkollave, mësuesit mund të riorganizojnë planin mësimor të periudhës duke grupuar tema që lidhen me njëra- tjetrën (p.sh., në lëndën e gjuhës shqipe grupohen temat e të lexuarit të teksteve që punohen më shumë se një orë, temat teorike me ushtrimet etj.).


Kjo nuk do të thotë që “të tkurren” ose të lihen tema mësimore pa u trajtuar.

Kujtesë: Plani mësimor lëndor zbaton kërkesat e programit mësimor.


Plani ditor

Mësuesi do të hartojë planin ditor me të njëjtin format që ka punuar deri tani dhe në varësi të temave mësimore që ka për të zhvilluar. Nëse dy temat lidhen logjikisht me njëra- tjetrën, atëherë këto dy orë, mësuesi mund t’i planifikojë si një e tërë. Në këtë rast rezultatet e të nxënit do të jenë për të dyja temat.


Shembuj:

Në lëndën e matematikës, klasa X, për dy temat mësimore “Një vlershmëri algjebrike (Aftësitë)”, “Një vlershmëri algjebrike (Zbatime)” që kanë lidhje logjike me njëra tjetrën, mund të trajtohen si një e tërë, brenda dy orëve të njëpasnjëshme. Një pjesë të kohës, mësuesi e planifikon për konceptet kryesore që përdoren për shprehjet algjebrike, përdorimi i shkronjës etj., një pjesë të kohës, ai e përdor për të aftësuar nxënësit në veprimet me shprehjet algjebrike dhe një pjesë të kohës e planifikon për zbatimin e tyre në lidhje me tematika të tjera të lëndës apo në situata të jetës praktike. Në këtë rast sigurisht nxënësit duhet të jenë aktivë dhe të përfshirë gjatë të dy orëve mësimore të njëpasnjëshme.  


Në programin e  gjuhës shqipe (klasat 6-9) është përcaktuar që tekstet letrare punohen në 2 ose më shumë orë. Kështu sugjerohet që gjatë 12 orëve për tekstin poetik, nxënësit punojnë 5-6 tekste, gjatë 30 orëve për tekstin në prozë, nxënësit punojnë me 14-15 tekste dhe gjatë 7 orëve për tekstin dramatik, nxënësit do të punojnë me 2-3 tekste. Pra, mësuesi planifikon të zhvillojë te nxënësit aftësitë e të lexuarit, duke punuar me një tekst përgjatë dy orëve të njëpasnjëshme, si dhe duke mos pasur shkëputje.


Në lëndën “Gjeografi”, klasa VII, nëse temat mësimore “Faktorët që ndikojnë në shpërndarjen e botës bimore” dhe “Faktorët që ndikojnë në shpërndarjen e botës shtazore” janë trajtuar si tema të veçanta, mësuesi mund t’i trajtojë si një të tërë, brenda dy orëve të njëpasnjëshme, duke përcaktuar të njëjtat rezultate të nxëni. Në këtë mënyrë, mësuesi trajton faktorët e përbashkët që ndikojnë si në shpërndarjen e botës bimore, ashtu dhe asaj shtazore.


Shënim: Nëse dy temat nuk mund të trajtohen si një e tërë, atëherë mësuesi mund ta hartojë planinditor për dy orë dhe tema të veçanta.


C) ORGANIZIMI I ORËS SË MËSIMIT

Kjo nismë kërkon nga mësuesit të jenë produktivë dhe ta organizojnë orën duke përdorur metoda, teknika dhe strategji në mënyrë që:

-         të punohet jo vetëm për njohuritë, por edhe për zhvillimin e aftësive, qëndrimeve dhe vlerave, pra të kompetencave kyç dhe kompetencave lëndore;

-         orët të jenë të këndshme dhe gjithëpërfshirëse për nxënësit, duke punuar në grupe, në dyshe etj.  


Punët me shkrim, punët praktike, punët e laboratorit etj.

Mësuesit duhet t’i zhvillojnë punët me shkrim, punët praktike etj., në varësi të programit mësimor dhe të planit të periudhës. Kjo do të thotë që p.sh., nëse një punë me shkrim është planifikuar në një orë mësimi (45 minuta), po kaq do të zhvillohet edhe në klasë. Po kështu, nëse është planifikuar në dy orë, do të zhvillohet në po kaq orë. Në këtë rast, zhvillimi i dy orëve të njëpasnjëshme krijon mundësi për nxënësit që ta vijojnë procesin e të shkruarit, duke hartuar me cilësi punët me shkrim dhe duke ndjekur të gjitha hapat e të shkruarit. Njësoj veprohet edhe për punët praktike, punët e laboratorit, ekskursionet etj.


D) VLERËSIMI I NXËNËSIT

Vlerësimi i vazhduar

Kjo nismë i jep mundësinë mësuesit ta vlerësojë më objektivisht nxënësin. Me organizimin e ri të orarit mësimor, mësuesi duhet të krijojë mundësi të vlerësojë rregullisht dhe më shumë nxënës. Në evidencë mund të shënohet dy herë e njëjta datë për dy temat e zhvilluara.


Për ta bërë sa më efektiv vlerësimin e nxënësit, mësuesi ka më shumë kohë për të përdorur teknika vlerësimi si: vetëvlerësimin e nxënësit, vlerësimin e nxënësit nga nxënësi, pjesëmarrjen në aktivitete dhe diskutime në klasë, vlerësimin e detyrave të shtëpisë apo të klasës etj. Testet e ndërmjetme do të vazhdojnë të planifikohen dhe të zhvillohen për një orë mësimore, 45 minuta.


Portofolet ose dosja e nxënësit

Prezantimi dhe vlerësimi i portofoleve do të vijojë të realizohet si më parë. Kjo nismë krijon hapësira më të mëdha organizimi për vlerësimine tyre.


Testimet/detyrat përmbledhëse

Testet/detyrat përmbledhëse do të vazhdojnë të planifikohen dhe të zhvillohen për një orë mësimore, 45 minuta.


E) PLOTËSIMI I DOKUMENTACIONIT

Regjistri i klasës

Plotësimi i regjistrit do të realizohet sipas udhëzimeve për plotësimin e tij. I vetmi ndryshim është se në ditët që një lëndë do të zhvillohet në dy orë të njëpasnjëshme, do të shënohet dy herë e njëjta datë dhe më pas do të plotësohen temat mësimore përkatëse. 


Më poshtë do të gjeni dokumentin zyrtar

(IZHA)

22,780 Lexime
6 vjet më parë