Kosovë

U mbajt takimi inicues për Raportin Kombëtar PISA 2015

MASHT e përkrahur nga Bashkëpunimi Gjerman (GIZ), ka mbajtur sot takimin inicues për Raportin Kombëtar PISA 2015, me të cilin nisë procesi i reflektimit dhe diskutimit

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), e përkrahur nga Bashkëpunimi Gjerman (GIZ), ka mbajtur sot takimin inicues për Raportin Kombëtar PISA 2015, me të cilin nis procesi i reflektimit dhe diskutimit.

Zëvendësministrja e Arsimit, znj. Anila Statovci-Demaj, me këtë rast, përmendi faktin se Kosova, si shteti që ka një popullsi shumë të re, për herë të parë ka marrë pjesë në vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve në vitin 2015 dhe rezultatet e këtij testi pritet të publikohen në fund të këtij viti.

Ndërsa, sa i përket Raportit Kombëtar për PISA, znj. Statovci-Demaj theksoi se ky raport na tregon të gjithëve ku qëndrojmë ne në krahasim me botën në sistemin arsimor dhe theksoi se kjo është një informatë shumë e vlefshme që do të na vlejë për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për të ardhmen e sistemit tonë arsimor.

“Ky raport na tregon ku janë problemet ku ne duhet të fokusohemi, ku janë sfidat për Republikën e Kosovës në sistemin arsimor, ku duhet që ne të gjithë së bashku, duke filluar nga nxënësit, mësimdhënësit dhe deri te niveli politikbërës, të drejtojmë fokusin për të arritur cilësi në sistemin tonë arsimor dhe ky është edhe objektivi kryesor: të ofrojmë një sistem cilësor të arsimot në Republikën e Kosovës”, tha zv/minstrja, e cila më pas edhe elaboroi për procesin e PISA-s.

Ndërsa, sekretarja e parë e Ambasadës Gjermane në Prishtinë, znj. Henriette Kötter duke theksuar rëndësinë e vlerësimeve ndërkombëtare, tha se ato mundësojnë identifikimin e pikave të forta dhe atyre të dobëta të sistemit arsimor, duke iu dhënë vendeve mundësi për të krijuar sistem cilësor dhe gjithëpërfshirës të arsimit.

Znj. Kötter theksoi se shteti gjerman, përmes GIZ-it do të vazhdojë ta ndihmojë këtë proces deri në fund, i cili proces edhe mund të identifikojë fusha të reja të bashkëpunimit.

Ekspertja ndërkombëtare për PISA, znj. Simone Bloem, ndërkaq, shtroi argumente pse është e rëndësishme që të kemi raport kombëtar krahas atij ndërkombëtar për këtë proces të vlerësimit, në mënyrë që të përdoret PISA në mënyrë konstruktive për përmirësimin e cilësisë dhe zhvillimin e sistemit arsimor.

Nxënësja Tringa Krasniqi, e cila vitin e kaluar ka pasur fatin të jetë një nga 15 vjeçarët që i janë nënshkruar testit PISA, porositi nxënësit, të cilët këtij vlerësimi do t’i nënshtrohen në testin e radhës në vitin 2018 që të mësojnë sistematikisht, në mënyrë që, ndër të tjera,  të japin rezultate të mira për Kosovën.

1,424 Lexime
8 vjet më parë