Shkolla 2020-2021

Udhëzimi për hapjen e shkollave, detyrat konkrete të drejtorit, mësuesve, stafit, prindërve dhe nxënësve

Në këtë artikull do të njiheni me detyrat konkrete të drejtorit të shkollës, mësuesve, stafit, prindërve por edhe nxënësve sa i takon kujdesit ndaj masave anti COVID-19, për këtë vit të ri shkollor. Mund të shkarkoni edhe udhëzimin përkatës të MSH.

Prej disa ditësh ju mund të jeni njohur tashmë me protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë që përcakton rregullat për hapjen e shkollave që nisën në 31 gusht për ata që humbën mësimin online gjatë kohës së pandemisë, dhe 14 shtator që fillon viti i ri shkollor. Për t’ju njohur më konkretisht me detyrat e drejtorit të shkollës, mësuesve, stafit, prindërve por edhe nxënësve sa i takon kujdesit ndaj masave anti COVID-19, sjellim artikullin në vijim, bazuar në udhëzimin përkatës të MSH. 



Masat anti-COVID, këto janë detyrat që duhet të bëjë drejtori i shkollës


Detyrat kryesore në zbatimin e protokollit anti-COVID e kanë drejtuesit e institucioneve arsimore, të shkollave që duhet të menaxhojnë situatën. "Ngrenë grupe pune dhe hartojnë planet e veprimit për menaxhimin e situatës, garantimin e standardeve dhe respektimin e rregullave të përcaktuara më këtë rregullore. Monitorojnë pajisjen e nxënësve dhe të stafit me mjetet mbrojtëse, si: maskë, xhel dezinfektues për përdorim personal (sipas mundësive). Mbajnë kontakte, përmes komunikimit elektronik, me njësinë e vetëqeverisjes vendore, njësinë e mbrojtjes së fëmijëve, strukturat e Shëndetit Publik, Policinë e Shtetit dhe organet e tjera ligjzbatuese për ecurinë e procesit mësimor. Për çdo fëmijë i cili paraqet probleme shëndetësore, si p.sh rritje të temperaturës etj., apo ka njoftim nga prindi, ka pasur kontakt me dikë të prekur me COVID-19 si dhe nëse prindi përkatës është i sëmurë apo ka pasur kontakte me COVID-19 lajmëron menjëherë Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) dhe strukturën përkatëse në këto njësi. Për çdo mësues apo personel tjetër të shkollës i cili paraqet probleme shëndetësore si p.sh. rritje të temperaturës etj. apo ka njoftim se ka pasur kontakt me dikë të prekur me COVID19 lajmëron menjëherë Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) dhe strukturën përkatëse në këto njësi. Drejtuesit e strukturave arsimore duhet të ndjekin me rigorozitet protokollin e kontrollit të riskut të miratuar nga autoritetet shëndetësore. Rezervojmë të drejtën të rivlerësojmë elementët e këtij udhëzuesi në rast të ndryshimeve epidemiologjike të COVID-19" thuhet në protokoll.



Detyrat e mësuesit në shkollë


Në protokoll përcaktohet se mësuesi duhet të paraqitet në shkollë përpara ardhjes së nxënësve në orën e përcaktuar nga drejtoria. "Mësuesit e kujdestarisë ditore/javore paraqiten në shkollë në orë orën e përcaktuar nga drejtoria e shkollës. Stafi mjekësor i shkollës (mjeku/infermierja e shkollës), ose personeli i shkollës i caktuar nga drejtori dhe i trajnuar për veprimet e mëposhtme, kryen për çdo nxënës procedurën si më poshtë:

  • Mat temperaturën me termometër digjital.
  • Spërkat solucion dezinfektues me përmbajtje 70% alkooli në duart e nxënësve 
  • Kontrollon nëse çdo nxënës është i pajisur me maskë.
  • Mësuesi mban gjatë orarit zyrtar maskën dhe solucione dezinfektuese.
  • Gjatë orës së mësimit, mësuesi qëndron në klasë duke respektuar distancimin social dhe fizik me nxënësit.
  • Mësuesi i arsimit fillor largohet nga institucioni vetëm kur klasa e tij mbaron procesin mësimor. Mësuesi i AMU-së dhe AML-së largohet nga institucioni vetëm me miratim të drejtorit të shkollës".



Detyrat e prindit në rregulloren anti-COVID, plotëson formularin, por s'futet në shkollë


Në rregulloren për masat anti-COVID në shkolla, prindi duhet të plotësojë formularin e vetëdeklarimit ditor me përgjegjësi për gjendjen shëndetësore, por nuk lejohet që të futet në ambientet e shkollës. "Nënshkruan ose konfirmon në rrugë elektronike tek mësuesi apo mësuesi kujdestar këtë rregullore. Plotëson formularin e vetëdeklarimit ditor me përgjegjësi për gjendjen shëndetësore të fëmijës në numrin e kontaktit të mësuesit kujdestar. Në rast nevoje për komunikim me mësuesin, drejtuesi përdor komunikimin elektronik dhe në rastet e planifikuara takimet ballë për ballë. Në rastet e shoqërimit të fëmijës/fëmijëve në shkollë, nuk futet brenda mjedisit të shkollës për çfarëdo arsyeje që mund të paraqesë".



Roja me maskë, nuk duhet të lejojë askënd të futet në shkollë


Oficeri i sigurisë në shkollë duhet që të paraqitet në institucionin arsimor në orën e përcaktuar nga drejtoria e shkollës, ku i janë sanksionuar disa detyra sipas protokollit anti-COVID. "Roja/oficeri i sigurisë të mbajë gjatë gjithë orarit të punës maskën, dorezat dhe solucione dezinfektuese. Roja nuk lejon prezencën e prindërve dhe çdo individi tjetër brenda në institucion (me përjashtim të nxënësve dhe personelit të deklaruar të institucionit arsimor). Çdo kërkesë për komunikim me drejtuesin e institucionit të bëhet nëpërmjet numrit të kontaktit të drejtorit ose të stafit drejtues. Kryen të gjitha detyrat duke respektuar distancimin social dhe fizik me nxënësit dhe mësuesit dhe sanitaret.



Sanitaret me maskë, pastrojnë tualetet çdo 30 minuta (Detyrat)


Protokolli i shëndetësisë për hapjen e shkollave përcakton edhe rolin e sanitareve në shkollë. "Personeli ndihmës paraqitet në institucionin arsimor në orën e përcaktuar nga drejtoria e shkollës. Sanitaret të mbajnë gjatë gjithë orarit të punës maskën dhe solucione dezinfektuese. Korridoret pastrohen çdo dy orë. Tualetet pastrohen e dezinfektohen çdo 30 minuta. Rezervuarëve të ujit që mund të ketë shkolla, u hidhet klor sipas udhëzimeve përkatëse çdo ditë. Dorezat e dyerve dhe dritareve të çdo klase dhe mjedisi pune si dhe parmakët e shkallëve dhe vende të tjera pastrohen dhe dezinfektohen sa më shpesh. Largimi nga institucioni arsimor bëhet pas përfundimit të pastrimit dhe dezinfektimit të çdo mjedisi të tij. Kryen të gjitha detyrat duke respektuar distancimin social dhe fizik me nxënësit dhe mësuesit".

   


Çdo ditë nxënësit duhet të plotësojnë formularin, klasat dezinfektohen pas mësimit


Ministria e Shëndetësisë kërkon që të kryhet dezinfektimi i çdo klase, çdo ditë. "Pas përfundimit të procesit mësimor, të kryhet pastrimi i sipërfaqeve dhe orendive me lëndë dezinfektuese. Dezinfektimi i mjediseve të brendshme dhe të jashtme të shkollës duhet të kryhet pas procesit mësimor 2 herë në javë. Në ambientet e shkollës do të pranohen vetëm nxënësit apo prindërit (në rastet e nxënësve të ciklit fillor) që do të firmosin rregulloren mbi parandalimin e përhapjes se COVID-19. Përpara se të rifillojnë mësimin në ambientet e shkollës sipas rregulloreve të reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19, nxënësit duhet të plotësojnë Formularin e Vetëdeklarimit për situatën e tyre shëndetësore dhe të familjarëve të tyre, e cila shërben për të hetuar paraprakisht mundësinë e një vatre infeksioni COVID-19. Nxënësit që nuk zbatojnë̈ rregulloren, trajtohen me masë sipas rregullores së shkollës".

   


Aktivitetet sportive dhe artistike jo më shumë se 10 nxënës


Në protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë aktivitetet në ambientet e shkollës, sportive e artistike duhet të kryhen në grupe jo më shumë se 10 persona dhe duke ruajtur distancimin fizik. Gjithashtu duhet të jenë të afishuara në të gjitha ambientet e shkollës postera mbi masat e parandalimit të infeksionit COVID-19 dhe postera me mesazhe të qarta dhe të thjeshta. Shëndetësia kërkon që të vendosen postera të veçantë për mënyrën e larjes së duarve dhe mbajtjes së maskës. Në hyrje dhe dalje të ambienteve të shkollës, rekomandohet të vendoset një higjienizues për duart në trajtë solucioni me përmbajtje aktive të alkoolit 60%, i cili duhet të jetë gjatë kohës i pranishëm.

   


"Shpëtojnë" nxënësit, ndalohen mbledhjet me prindërit në shkollë


Në protokollin e ministrisë së Shëndetësisë për shkollat përcaktohet që takimet dhe mbledhjet ballë për ballë janë të ndaluara. "Klasat duhet të kenë aq nxënës sa lejojnë distancimin jo më pak se 1.5 metra nga njëri nxënës tek tjetri. Janë të ndaluara takimet dhe mbledhjet ballë për ballë në ambientet e shkollës. Nëse nxënësi manifeston gjendje stresi dhe ankthi, ai i drejtohet shërbimit psiko-social të shkollës nëpërmjet mësuesit kujdestar dhe “Këndit të psikologut” online pranë DRAP-së. Në një klasë apo sallë laboratori të mos qëndrojnë më shumë nxënës se sa mund të qëndrojnë në atë mjedis duke respektuar distancimin social dhe fizik" thuhet në protokoll.

   


Kujdesi për higjienën, nxënësit të lajnë duart sa herë të prekin hundën, sytë dhe gojën


Ministria e Shëndetësisë u kërkon strukturave të arsimit që të shpërndajnë mesazheve sensibilizuese për të ndërgjegjësuar nxënësit dhe që të mbahen në komunikim të vazhdueshëm për rëndësinë që ka distancimi fizik dhe higjiena personale në ambientet brenda dhe jashtë shkollës. Nxënësve duhet t’u flitet çdo ditë për rregullat e higjienës, larjen e duarve, mënyrën e kollitjes, teshtitjes dhe mbajtjen e maskës. Çdo nxënës në shkollë duhet të lajë duart pas çdo veprimi që mund të përbëjë rrezik për përhapjen e virusit: prekja e hundës, syve, gojës, etj. Në protokoll kërkohet që të minimizohet prekja e herë pas hershme e maskës, të kihet kujdes që gjatë heqjes të kryhet nga pjesa e pasme e maskës si dhe larja e menjëhershme e duarve apo përdorimi i dezinfektantëve në fund të këtij procesi. Duhet të sigurohen nga struktura arsimore: uji i rrjedhshëm, sapuni i lëngshëm, letra për fshirjen e duarve dhe xheli me përmbajtje alkooli 60%, në të gjithë ambientet e shkollës. Gjatë qëndrimit në ambientet e shkollës, çdo individ duhet të mbajë detyrimisht maskë (sipas specifikimit të grupmoshave). Dritaret duhet të mbahen të hapura, ose të paktën klasat të ajrosen 5-6 herë gjatë kohës së mësimit.

   


Keni një shqetësim në shkollë? Ja ku duhet të drejtohet nxënësi


Në bazë të protokollit të ministrisë së Shëndetësisë komunikimi, në rast nevoje, i nxënësit me drejtuesit, sekretarinë dhe stafin mësimor do të kryhet nëpërmjet mësuesit përgjegjës të katit, duke respektuar distancimin social e fizik dhe rregullat e tjera të përcaktuara me lart. Mund të jetë edhe nëpërmjet telefonit apo kompjuterik, kur nxënësi nuk ndodhet në klasë. Nuk do të përdoren sende personale të panevojshme për procesin mësimor. Nuk do të kontaktohen personat që mund të jenë të pranishëm në mjediset e shkollës.



Rregullat për vitin e ri shkollor, vetëm një tualet, distancë në korridor


Lëvizja e nxënësve në klasa, laboratorë, palestra dhe nëpër korridore duhet të jetë e përcaktuar në mënyrë që çdo zonë të ketë numrin më të vogël të individëve që lëvizin në të. Kjo do të thotë, p.sh., nxënësit e klasës I ª do të hyjnë vetëm në sallën e përcaktuar për nxënësit e kësaj klase, do të përdorin vetëm tualetin në korridorin ku ndodhet klasa e tyre, pa u takuar asnjë moment me nxënës të klasave të tjera. Rregullat për lëvizjen e nxënësve duhet të jenë të afishuara në ambientet e klasave dhe në korridore. Nuk lejohen qëndrimet në korridore. Nxënësit të mbajnë largësinë minimale të paktën 1.5 metra nga njëri-tjetri kur lëvizin në korridore.



Nxënësi me shoqërues në tualet, mësim edhe në oborr, s'ka ushqim në klasë


Ministria e Shëndetësisë u kërkon të gjithë mësuesve që të sigurohen që në klasë të gjithë të jenë të pajisur me maskë dhe t’i mbajnë rregullisht ato. Nxënësit ndalohen të dalin nga klasa gjatë orëve të mësimit përveç rasteve kur i duhet të përdorin tualetet. Në këtë rast nxënësi duhet të shoqërohet, por nuk specifikohet se cili do të jetë mbikëqyrësi. Kur është e mundur, praktikohet mësimi në ambient të hapur (oborr shkolle), duke respektuar largësinë dhe rregullat e mësipërme. Nuk lejohet ushqimi në klasë.



Qëndrimi në klasë 1.5 metra larg, mësuesi distancë 2 metra


Mësuesi duhet që të qëndrojë në klasë duke respektuar distancimin social dhe fizik me nxënësit dhe mësuesit e tjerë, në 2 metra. Brenda klasës nxënësit duhet që të qëndrojnë të ulur nga një nxënës në bankë, dhe bankat në të paktën 1.5 metra larg njëra-tjetrës. Në klasat ku kjo nuk është e mundur, nxënësit do të ndahen në klasa të tjera.



Transporti i nxënësve, masa edhe për autobusët


Në protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë theksohet se transporti i nxënësve që kryet me mjetet të transportit të dedikuara ose publik, duhet të mbahet maska gjatë gjithë kohës së transportit (vajtje-ardhje) dhe këto mjete duhet t’i nënshtrohen rigorozisht udhëzuesit për transportin.


Më poshtë ju mund të shkarkoni edhe udhëzuesin e plotë

Udhëzim mbi kujdesin dhe masat anti COVID-19 në strukturat arsimore parauniversitare për vitin akademik 2020-2021

Përgatiti Nanila Allkja Biçaku

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

10,432 Lexime
3 vjet më parë