Udhëzuesi për përdorimin etik të Inteligjencës Artificiale përmes smartlab në të gjitha lëndët
Publikohet udhëzuesi zyrtar për përdorimin etik të Inteligjencës Artificiale në arsimin parauniversitar. Dokumenti 187-faqësh, i hartuar nga ASCAP, sjell rregulla, rekomandime dhe praktika konkrete për mësuesit e nxënësit, në të gjitha fushat dhe lëndët mësimore.
Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP) ka hartuar, në korrik 2026, “Udhëzuesin për përdorimin etik të Inteligjencës Artificiale përmes SmartLab në të gjitha lëndët”, një dokument zyrtar prej 187 faqesh që sjell për herë të parë një kuadër të detajuar për përdorimin etik, të sigurt dhe efikas të Inteligjencës Artificiale në arsimin parauniversitar.
Udhëzuesi vjen në një moment kur Inteligjenca Artificiale po bëhet gjithnjë e më e pranishme në procesin mësimor dhe përcakton orientime konkrete për mënyrën se si mësuesit dhe nxënësit mund ta përdorin atë, por edhe kufijtë që duhet të respektohen.
Dokumenti nuk e sheh IA-në si zëvendësuese të mësuesit apo të aftësive njerëzore, por si një mjet mbështetës për mësimdhënien dhe të nxënit, duke vendosur në qendër etikën, sigurinë, mendimin kritik dhe përgjegjësinë.
Në 10 kapituj, udhëzuesi trajton gjithçka nga parimet etike, privatësia dhe mbrojtja e të dhënave personale, integriteti akademik dhe shmangia e plagjiaturës, deri te përdorimi i IA-së për planifikimin e mësimit, krijimin e materialeve, të nxënit e diferencuar, vlerësimin dhe zhvillimin profesional të mësuesve.
Një pjesë e veçantë i kushtohet përdorimit të IA-së në të gjitha fushat e të nxënit dhe lëndët, nga gjuhët dhe komunikimi e matematika, te shkencat e natyrës, shkencat shoqërore, teknologjia dhe TIK-u, artet, edukimi fizik, sportet dhe shëndeti.
Udhëzuesi sjell gjithashtu rekomandime për shkollat, mësuesit, nxënësit dhe prindërit, si dhe një listë me platforma të IA-së që mund të përdoren në mbështetje të procesit mësimor, përfshirë ChatGPT, Gemini, Microsoft Copilot, Canva AI, Khanmigo, Diffit, MagicSchool AI, Eduaide.AI, Wayground/Quizizz, Curipod dhe Brisk Teaching.
Portal Shkollor publikon të plotë dokumentin zyrtar të ASCAP, për t’u dhënë mësuesve, nxënësve, prindërve dhe drejtuesve të shkollave mundësinë të njihen me rregullat, rekomandimet dhe mundësitë që sjell përdorimi i Inteligjencës Artificiale në arsimin parauniversitar.
E gjeni si më më poshtë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
PISA 2025 trondit arsimin në botë: Rezultatet e nxënësve në matematikë dhe lexim bien në nivelin më të ulët historik
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe